Engjëll Musai: Skënderbeu dhe Ismail Qemali, dy simbolet e Kombit dhe Flamurit Kuq e Zi!

164
Sigal

Engjëll Musai
Drejtor i Gazetës ‘Telegraf

Konstitucionalistët dhe ustallarët e materializmit kanë thënë:“Më jepni një shtet, të formoj një komb!” Rreth 112 vjet më parë, pikërisht në fundin e 1912 dhe fillimin e 1913 na dhanë një shtet me bindjen se mund të formonim një komb. Por koha në këto 30 vite dhe sidomos në 10 vitet e fundit të “Rilindjes – përtej së majtës dhe së djathtës”, po tregon se jemi folklorik; as Shtet nuk po bëjmë dhe as Komb nuk po ndërtojmë dot. Dhe kjo është fatkeqësi e madhe. Një popull bëhet Komb kur ka aftësinë të mbrojë një “interes kombëtar” dhe të krijojë Shtet kur fiton aftësinë të mbrojë një “interes publik”. E bëra këtë hyrje të gjatë për të treguar se kur nuk do familjen tënde dhe kur mohon të zotin e shtëpisë, fataliteti dhe disfata janë të sigurta. Po e filloj me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu; strategu dhe prijësi shpirtëror i shqiptarëve. Sa herë që zhvillohen aktivitete, me praninë e zyrtarëve të Turqisë, apo të disa ekstremistëve fetarë otomanë, hiqet nga sallat, ose mbulohet me çarçafë sikurse ndodh rëndom në Sheshin “Skënderbej”, ku ndodhet dhe monumenti. Madje edhe në rastin e tërmetit u tentua nga qeveria turke të marë përsipër disa riparime të banesave në zonën e Laçit, pikërisht për të goditur Identitetin Kombëtar. Madje edhe një halldup i akademisë turke, fliste para varrit të Skënderbeut duke e cilësuar këtë të fundit tradhtar! Dhe pse? Se Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbe luftoi për Kombin që e lindi, e rriti dhe i dha forcë e mënçuri. Heqja e bustit është një turp i madh për të gjithë palaçot e politikës së majtë dhe të djathtë. I vetmi qëndrim që meriton respekt dhe mirënjohje është ai i vitit 2000 kur ish-Presidenti Rexhep Mejdani dekoroi me Urdhërin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Presidentin e Turqisë Sulejman Demirel në Tiranë. Rasti i dytë po kaq flagrant ka të bëjë me Babanë e Pavarësisë Ismail Qemali. Askush nuk u kujtua të vendoste një tufë me lule as në ditën e lindjes dhe as të ndarjes nga jeta ?! E nëse Skënderbeu bashkoi kombin duke hapur rrugën drejt Perëndimit, Ismail Qemali u tregoi të gjithëve se me ngritjen e Flamurit Kombëtar shqiptarët tashmë kanë shtetin e tyre të pavarur. Ndaj fjalët lapidar të Ali Asllani: “ Koha është e maskarenjëve, por atdheu i shqiptarëve”, janë më aktuale se kurrë.