Letra/ Edi Rama, ti s’je si struci, që të trembesh nga koronavirusi!

636
Sigal

Një letër nga një emigrant shqiptar në Australinë e largët

 Nga Rob Kore dhe Xhevat Mustafa

Në këtë kohë pandemie nga koronavirusi dhe nga videot humoristike me të, për t’iu lehtësuar sadopak gjendjen shpirtërore, po ju përcjell  sot këtë dialog, që pata me mikun tim Rob Kore, që jeton dhe punon prej shumë vitesh familjarisht në Kanada. Ai na bëri të njohur në facebook, më 17 mars 2019  një “letër”, që një mik i tij, emigrant shqiptar në Australi,  i kishte drejtuar kryeministrit Edi Rama. Gjykoni vetë nga kjo “letër e sinqertë,  plot mall e nostalgji!”

I nderuari Z. Kryeministër i Shqipërisë!

Po ndjek me shqetësim të madh ngjarjet e fundit në Shqipëri, duke filluar nga termeti i 26 nëndorit e deri tek koronavirusi .Të lutem shumë, brenda  mundësive, vazhdo si e ke nisur dhe plotësojua kushtet të demtuarve nga termeti sa më shpejt, sepse  se bën ftohtë dhe mund të ftohen.  Dëgjova qe ka dhe fëmijë të semurë, me ethe dhe me temperatura të larta. Për këta, Z. Kryeministër duhet bërë më shume kujdes, si këtu në Australi, ku qeveria dhe personalisht kryeministri, shqetësohen dhe kujdesen me përparësi… Sepse, ju e dini më mirë se unë, fëmijët janë e ardhmja, përtëritja e rilindja e çdo populli dhe vendi.

Po ashtu mundohu të blesh nje qen për të nuhatur viktimat e termetit, jo për gjë, por t’u mbyllësh gojën me fakte të gjithe atyre që s’kënaqen asnjëhëre nga punët e mira të shumta, me të cilat i ke përmbytur këto 6 vjet. Nëse jeni ngushtë financiarisht, mos nguroni të kërkoni ndihmën tonë. Me një aksion me goditje të përqëndruar ndihmash, ne, një grup shqiptarësh në Australi, mund t’i mbledhim shpejt dollarët që duhen për të blerë një qen për termete.

Si në çdo fushë dhe front Ju keni bërë shumë edhe  për shendetësinë, por me sa po shoh gjithë ato arritje nuk mjaftojnë. Në këtë kohë të vështirë duhet të gjeni kohë të dilni nga vila juaj në Surrel, të uleni me mjekët dhe të bisedoni me durim dhe me këmbëngulje për koronavirusin, pa ua vënë veshin dashakeqësisë politike të kundështarëve tuaj, që për humor antikombëtar dhe për t’ju shqetësuar, sajojnë edhe përrallat komunizmovirus, rilindjevirus, edramavirus…

Megjithatë, nga sa kam parë dhe dëgjuar, ju po tregoheni shumë i aftë në menaxhimin e situatës nga Surreli dhe çdo gjë që thoni është me vend dhe nuk e luan asnjë top, i çdo kalibri të madh qoftë. Tani kam edhe një vërejtje. Kur flet nga Surreli, mos e afro shumë fytyrën me kameran dhe kameramanin, se ndoshta prej tyre të kërcen në gojë ndonjë virus! Gjithashtu, për t’u treguar se jeni prijës mbarëkombëtar,  mbani edhe flamurin shqiptar mbrapa kurrizit se edhe kryeministri australian e mban gjithënjë flamurin e Australisë. Megjithatë si ta mendoni vetë, se edhe përkrenarja e Skenderbeut mjafton.

Unë e di që nuk është faji juaj që njerëzit janë të alarmuar dhe frikësuar nga koronavirusi, nga ky “armik i padukshëm” dhe po ju shqetësojnë pareshtur, për 24 orë, me kërkesa, ankesa, kritika, mallkime…

Është e logjikshme të ketë edhe ndonjë problem të pazgjidhur ose të zgjidhur jo si duhet, por ju si kryeministër dhe qeveri  nuk keni asnjë faj. E keqja dhe problemi është qeveria e kaluar. Unë si shumica e shqiptarëve të mençur e kemi kuptuar me kohë se duhet t’i kërkojmë përgjegjësitë dhe fajet si dhe t’i adresojmë ankesat, kritikat, mallkimet individualisht vetëm  tek Sali Berisha. Por, sidoqoftë, juve ra barra historike që t’i rregulloni këto punë. Dhe unë besoj se me ju në krye çdo gjë do shkojë për bukuri e mrekulli.

Kurse përsa i përket atyreve që kërkojnë protesta, unë u them me bindje se  protestat  e tyre kundër jush dhe qeverisjes suaj, për çdo arësye, janë të padrejta dhe nuk sjellin asgjë të mirë. Rasti i dëmtimit të kërpudhës, një vepër arti e mirëfilltë, tregon qartë se kush nuk e do këtë vend. Këtë kryevepër tuajën  e prishën ata që i tremben burgut dhe jo si ju, që i trembeni vetëm Zotit në qiell.Po mos u merrni me ta, se ata janë agjentë të Putinit.

Mbaj mend që kur ishit juve në opozitë, keni mbajtur qëndrime te drejta dhe ishit një opozitar i qytetëruar dhe nuk përdorët asnjëherë dhunë. Edhe në 21 janar 2011 protestuat si në Japoni, vetëm duke mbajtur një shirit të kuq në krahun e majtë dhe duke lyer me bojë të kuqe disa koka dhe fytyra demostruesish anti Berisha dhe anti Ilir Meta.

Por, duke qenë  i sinqertë  me ju,  mbaj mend që ju kam kritikuar  një herë të vetme, kur akademiku i nderuar Rexhep Qosja, të cilin, jo më kot e donte aq shumë shoku Enver sa qe gjallë, ju qortoi të hiqnit duart nga xhepat, që të bënit një opozitë më të fortë, që t’i kallte datën Berishës.

Shqipëria jonë është një vend i bukur dhe ju po ja ndryshoni faqet për ditë me kulla, autostrada, sheshe, fasada shumëngjyrëshe, fabrika, uzina dhe kombinate, me plantacione me kanabis…

Presim me padurim që ju ta bëni Shqipërinë një parajsë tokësore, në mënyrë që edhe ne shqiptarët e Australisë të kthehemi në atdhe.

Zoti kryeministër, dëgjova që 500 mijë shqiptarë janë larguar këto 6 vitet e fundit në vende të tjera të Evropës, në SHBA, Kanada dhe deri këtu në Australi. Të lutem më konfirmoni, duke e përgënjeshtruar publikisht, që kjo është sajim dhe shpifje e opozitës! Tani, duke e mbyllur, edhe një thirje, që më shperthen nga zemra flakë  e kuqe: “Edi Rama, ti s’je si struci, që të trembesh nga koronavirusi!”

               Me respekt

        Shefqet Gjuzi

       Sydney, Australia

 

Xhevat Mustafa:  Mirë e bukur qëndisur e thurur, miku im, Rob! Nga sa shkruan, ai miku yt nga Australia, duket se është fort i  lumturuar nga “sukseset, fitorjet dhe ndryshimet e jashtme historike”, që ka arritur Shqipëria në këtë afro 7 vjet qeverisjeje nga Edi Rama me shoqe e shokë e për kokë …Si letërshkruesin Gjuzi, edhe plot të tjerë, mund t’i ketë marrë malli për t’i parë me sytë e veta të ballit dhe jo vetëm nga ekranet, interneti dhe gazetat “ndryshimet spektakolare” dhe “rekordet historike të Shqipërisë së rilindur”. Ata që mund të kenë fatin dhe mundësi të vijnë në Shqipërinë e sotme, do të “mrekullohen” kur të  shohin se ajo ka ndryshuar nga fasadat , sheshet, kullat, nga lulëzimi i papunësisë, varfërisë, korrupsionit, kriminalitetit, emigracionit, beqarnisë, divorceve, mplakjes dhe sëmundshmërisë së popullsisë, varrezave,  maskave të skaduara mjekësore dhe të maskave njerëzore, me bollëk në politikë, parlament, qeverisje, zyra shtetërore …Në esktazë nga këto “mrekullira”,  disave që jetojnë jashtë, mund t’u lindë edhe dëshirë ta përgëzojnë drejtëpërdrejtë, duke u takuar me “arktitekstin e apo autorin e këtyre fitorjeve historike”, kryeministrin Edi Rama. Do t’u duhet ta mirëkuptojnë nëqoftëse nuk i pret shpejt. Ai është shumë i zënë gjatë 24 orëve dhe 365 ditëve të vitit duke u marrë me 10001 hallet e Shqipërisë dhe Kosovës, të Minishengenit Ballkanit, të Internacionales socialiste, pra mbarëglobale…Në këto muajt e fundit i janë shtuar 1001 halle edhe nga tërmetet, koronavirusi, “reforma në drejtësi”, “reforma zgjedhore”, për të parandaluar “vjedhjen dhe blerjen e votave dhe të fitores së tretë nga opozita” si dhe për t’u dhënë qytetarëve falas mësime se si bëhet joga në ambjente saraji…Në këtë kohe karantine nga koronavirusi i duhet të konsumoje plot orë nga koha e gjumit edhe  për të vrarë mendjen, që të gjejë dhe shpallë urdhëra e vendime të shumta edhe për mjekësinë dhe personelin e saj, edhe për qytetarët..Ata që do të kenë lumturinë ta takojnë bëjnë mirë që t’i rrinë 2 metra larg, dhe sidomos, të mos i puthin duart, sepse, largqoftë, na bëjnë gjëmën, duke  i ngjitur jo vetëm koronavirusin, por edhe viruse të tjerë, që mund t’i kenë marrë nga gjarpërinjtë dhe lakuriqët e shumtë të natës në Australi dhe vendet e tjera, nga vijnë.                                                                                                                                     Inshallah , Robi,  kjo letra e mikut tënd Shefqet Gjuzi në Australi, i bie në dorë kryeministrit Edi Rama në Surrel dhe jo Sali Berishës, Lulëzim Bashës apo Ilir Metës në Tiranë! Ata mund të bëhen xhelozë që Edin e duan edhe shqiptarët, bashkë me  kangurët, strucët, koalat, që kanë përreth shtëpive të tyre atje  në Australi, ndërsa ata këtu në Shqipëri i duan vetëm ca opozitarë, bashkë me qen e mace, që mund të kenë në shtëpi! Po i ra në dorë, dora vetë Edi Ramës, kam frikë se do të emocionohet aq shumë sa do ta lagë letrën me lotët çurgë dhe, larg qoftë e bën të palexueshme! Po shpëtoi pa u prishur nga lotët do tia lexojë Linda. Ai do të shkruaj më dorë të dridhur ato që i duken më urgjente për t’u zbatuar, sipas përvojës edhe të kryeministrit të Australisë. Se kryeministri ynë nuk vendos e vepron më asnjë rast me kokën e vet, por gjithnjë me kolegjialitet dhe sipas shembujve të kryeministrave dhe presidentëve të vendeve kryesore të BE-së si dhe të presidentit Trump të SHBA-së, të cilin e ka fort në zemër e si shembull. Sa mirë do të ishte që t’i dërgonin kryeministrir Edi Rama si kjo letra prej këtij Shefqet Gjuzit nga Sidnei i Australisë, sa më shumë shqiptarë nga vende të tjeta të botës, që përfshihen në Diasporën e Pandeli Majkos. Kjo do ta bindte kryeministrin Rama se Majko nuk po paguhet kot si ministër, por po bën punë plot! Po e mbyll këtu, duke të uruar të mos të ta gjejë trupin coronavirusi dhe asnjë televizion i Shqipërisë ekranin! Po ta gjetën do ta shikosh, të paktën, 24 herë në ditë kryeministrin Edi Rama, aq shumë të zënë me hallet e popullit në këto ditë coronavirusi sa nuk ka kohë të zbresë nga Surreli në kryeministri dhe të veshë kostum dhe kravatë!Lum ne si vend e si popull që kemi patriotë kaq të flaktë si ky shqiptari i Australisë dhe një kryeministër, si Edi Rama, që nuk i gjendet shoku ane kënd gjithësisë!