Zgjedhjet e kryetarit të partisë me “një anëtar një votë” si komedi politike!

675
Prof. Artan FUGA
Partia demokratike është para një votimi për kryetarin e saj duke zbatuar mekanizmin “një anëtar – një votë”.Të gjitha parametrat tregojnë se do të jemi përpara një zgjedhje të gabuar, një farse politike, por që në fakt nuk lidhet vetëm me partinë në fjalë, por me të gjitha partitë politike. Ajo që po i ndodh partisë demokratike nuk është veçse një rast i veçantë dhe lidhet me gjendjen e saj pas disfatës të përmasave katastrofike me rastin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit të kaluar, dhe me faktin se ajo ndodhet e çarë dhe e përçarë në elitat e saj drejtuese. Dikush mund të pyesi : E përse na qenka një farsë elektorale, një fasadë e shpifur gjoja demokracie? A nuk ka në republikat presidenciale edhe atje zgjedhje të presidentit të republikës ku voton i gjithë populli? Përgjigja është e thjeshtë. Nuk kanë asnjë lidhje këto procese me njeri tjetrin. Kryetari i partisë mbledh të gjitha pushtetet de facto në duart e tij pasi zgjidhet dhe bën një natë, një orë, një muaj para votimit çfarë të dojë me partinë, kurse presidenti i një republike nuk është veçse njeri nga pushtetet e saj, sepse përveç tij ka gjykata, ka parlamente, ka kryeministër, etj., që e kufizojnë pushtetin e tij. Kryetari i partisë i zgjedhur sipas mekanizmit “një anëtar – një votë”, është një diktator brenda partisë, një vetë zot vetë shkop, një individ që pasi shkel me këmbë të gjithë grumbullon rreth vetes një shpurrë servilësh, me pak përjashtime, që pasi i bëjnë lavde e çojnë pikën deri aty sa vetë kryetari “loz menç” dhe kujton se ato lavde dhe servilosje të pështira janë reale dhe kurtizanët e tij ja bëjnë sinqerisht. Mua në këtë rast më vjen keq për kryetarët sepse pikërisht në këtë fazë humbin ndërgjegjen e asaj se janë njerëz normalë dhe jo perëndi, nisin të flasin pa lidhje sepse gjuha jashtë kontrollit të të tjerëve priret drejt modelit “halzaimer”, dhe mbi kurriz të tij, kurtizanët ngrenë “perandoritë” e tyre të vogla por mizore mbi ata që kanë poshtë. Ai dikushi vazhdon të pyesë: Përse na qenka mekanizmi “një anëtar – një votë” prodhues diktatorësh partiakë, kur edhe në vende të tjera perëndimore, në parti perëndimore ka mjaft raste që ky parim zbatohet? Sepse nuk është i njëjti realitet, prandaj. Anëtarët e partisë te ne, masa e tyre, ata njerëzit e thjeshtë që punojnë, nuk kanë luksin e perëndimorëve, që të informohen nga media për ngjarjet, personazhet dhe proceset politike. Militanti i bazës është te ne i painformuar sikurse nuk është qytetari perëndimor, për partinë e tij politike. 

-Ku e di për shembull te ne militanti, se kush pagoi për ngritjen e Çadrës të Lirive Politike në bulevard? 
-Ku e di militanti, se cilët ishin personat që sakrifikuan dhe ndenjën ndryrë atje për tre muaj rresht gjatë ditës? 
-Ku e di militanti i bazës, se çfarë ndodhi mbrëmjen gjatë Paktit mes opozitës dhe qeverisë në mes të muajit maj? 
-Ku e di militanti i bazës se kush i propozoi ministrat e opozitës në qeverinë e sotme? 
-Ku e di militanti i bazës se cilat janë kriteret e përzgjedhjes të deputetëve demokratë në fshehtësinë e ndërgjegjes kryetar-ore? 

Pa pasur përgjigjen e tyre dhe të shumë të tjerave, sigurisht që militanti voton kot, sy mbyllas. Pastaj, mos harrojmë se militanti i bazës në partitë e mëdha perëndimore është një njeri i lirë nga kryetari i partisë. Kurse te ne një pjesë e madhe e militantëve, sidomos pjesa e tyre më aktive, ka interesa për t’u punësuara në shtet, nëse partia vjen në pushtet, ose është në pushtet. Ata nuk gjykojnë pra kryetarin e partisë, por bëjnë llogaritë se me cilin kandidat mund të sigurojnë më mirë interesat e tyre ngushtësisht personale. Kurse pjesa e lirë, ata më të pa interesuarit për privilegje personale, ata që kanë gjykim më të saktë, ata nuk vijnë fare në votime. Mos harrojmë se në perëndim, zgjedhjet në partitë politike monitorohen nga juristë të pavarur dhe jo nga komisione që i cakton kryetari i partisë dhe që i numëron vetë votat e veta dhe të kandidatëve të tjerë. Vendosni përmbaruesit e pavarur të gjykatës në komisione, përndryshe mos flisni se kështu ndodh edhe në perëndim. Aq më shumë se në perëndim për “primaret” për shembull votojnë edhe zgjedhësit edhe dashamirësit e një partie politike, dhe jo vetëm grupe të ngushta militantësh.

Dikush mund të vazhdojë pyetjet e tij: Mirë po si ka ndodhur në Shqipëri?
Gjithkush e di se në partitë politike shqiptare, sado gjoja u kalua te mekanizmi “një anëtar – një votë”, në fakt ose nuk ka zgjedhje fare për kryetarin, ose ka zgjedhje që janë vetëm fasada ku të vjen keq për rivalët e kryetarit që dalin si alternative përballë tij. Më mirë pranoj sinqeritetin e ashpër të kryetarit të partisë socialiste që u tha anëtarëve të partisë së vet : “Ikni ore tutje, dashkeni të më votoni juve mua!”. Sesa tipin e zgjedhjeve gati në errësirë dhe pa transparencë të LIBRA-s, Sfidës, etj. Dihet gjithashtu se edhe në LSI kryetari themelues i partisë në procesin e zgjedhjes para disa muajve pati përballë një kandidat që i ka të gjitha meritat dhe cilësitë, por jo ato të një kandidature alternative me zotin Meta. Për të mos thënë se militantët dhe ne dashamirësit nuk kuptuam gjë pe gjëje lidhur me vendosjen dhe heqjen rrufe të zotit Vasili si kryetar partie. Mos flasim pastaj për partitë e tjera. A ka të këqija zgjedhja e kryetarit të partisë me mekanizmin një anëtar një votë? Tmerrësisht shumë. Partia bëhet njê mekanizëm populist, një mekanizëm autoritar nën drejtimin e shefit të gjithëfuqishëm që emëron, punëson, çpunëson, aparatet e partisë dhe aparatçikët, të deleguarit e partisë në agjenci të ndryshme, pra krijon kastën e tij dhe me anë të saj injoron totalisht këshillat drejtuese, kongreset, i kompozon ato si do, loz me to si të lidhi e të zgjidhi këpucët e veta. A nuk ndodhi kështu me partinë demokratike ku lista e kandidatëve të saj për deputet as nuk u konsultua me forumet drejtuese të partisë? E trishtueshme, fyese, dhe që krijon një dyshim të pashërueshëm te funksionimi i brendshëm i asaj partie që tani po zgjedh kryetarin e saj sipas mekanizmave që i japin atij, kushdo qoftë, të gjitha kamxhikët për të “rrahur” këdo që i kundërvihet sadopak, apo të gjitha “kalemat” që i bien në duar për të vendosur vijën mbi çdo emër që ndofta flet me një dialekt ndryshe nga ai që flet ai. Kryetari që merr votat e një pakice militantësh të sugjestionuar dhe nën presion e terror psikologjik, me vota që një dreq e di se kush i numëron, me votat e një numri militantësh që pastaj nuk dihet se ku shkojnë e ku treten pa pasur mundësi t’i kërkojnë për nja 500 vjet llogari kryetarit të zgjedhur në mënyrë krejt populiste, mjerane dhe të trishtë, me mekanizma që nuk nderojnë askënd, merr staturën e të qenit sipër dhe mbi forumet drejtuese të partisë. Sa bën “koka” e kryetarit pastaj nuk bëjnë “kokat” e të gjithë të zgjedhurve nga kongresi. Nuk ka gjë më të lehtë të manipulosh këto forume butaforike, fasadash, nga një kryetar që ka në dorë financat e partisë, mjetet e partisë, energjinë e burokratëve të partisë të paguar nga ai vetë. Hapësira politike bëhet sikurse është bërë tanimë një hapësirë pa elita politike, një shkretëtirë politike, një vend ku askush nuk qëndron dot më këmbë, një hapësirë politike kryetarësh. “Jemi familje kryetarësh tani!” – çirrej Kapedani i filmit soc-realist. Brenda partisë humbet kontrolli nga ana e forumeve, partia nuk është më një arenë demokratike, drejtimi kolektiv bëhet aq kolektiv sa ishte kolektiv edhe drejtimi i Byrosë Politike “nën drejtimin e shokut Enver Hoxha”. Dhe kryetari që përgjërohet tani se kur të ribëhet kryetar duke zëvendësuar vetveten herën tjetër, pas katër vitesh, do të jetë më i kuptueshëm, më i sjellshëm dhe nuk do të bëjë më gabime. Gjithçka varet nga ai në fakt! Besojeni fjalën e mirë! Sepse atë kryetar ju, o anti-kryetarë, e keni prodhuar vetë, e prodhoni vetë me mekanizmin “një anëtar – një votë-, ku kryetari, ai, ose në parti të tjera, bëhen despotë, autoritarë, ‘fyhrerë’. Ja përse ka hutim në rastin aktual të partisë demokratike. Kjo vjen në thelb nga fakti që janë vetë forumet që gjithkush e di se kanë qenë jashtë loje të cilët pyesin të hutuar : “Përse o kryetar na nxore jashtë loje ne që ishim jashtë loje?” Të gjithë e dinë se me pëlqimin e vetë elitave drejtuese gjumashe, interesaxhie, forumet kanë qenë dhe janë fasada e kryetarëve. Nuk është mirë dhe e besueshme pra që t’i hedhësh gurin kryetarit kur kryetari të ka venë drunë. Sepse atë kryetar e ke bërë vetë monument, i ke dhënë të gjitha fuqitë që ai të bëjë çfarë të dojë me ty. Më mirë do të ishte të thoshin si ish ministri i ndjerë i sigurimit që kur e kërcënuan se do ta arrestonin, tha me paradoksin dhe inteligjencën e qartësisë së dramës që e priste: “Nuk prish punë, partia ime do të më arrestojë”!
Sigal