Klik Ekspo Group, Porta Rajonale drejt Ballkanit për shkëmbimet ekonomike

594
Sigal

Në më shumë se dy dekada, Panairi Ndërkombëtar Klik Ekspo Group i ka shërbyer më së miri krijimit të një tregu  solid  të vendeve të Ballkanit, ku për vite me radhë kompanitë nga Serbia, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria janë bëre bashkë për të ekspozuar prodhimet dhe shërbimet e tyre. Çdo vit mbi 100 kompani nga rajoni i Ballkanit kanë qenë pjesëmarrëse në Klik Ekspo Group, ku jo vetëm kanë ekspozuar mallrat dhe shërbimet e tyre kundrejt vizitorëve të interesuar, por kanë ndarë mes tyre edhe mjaft përvoja në mënyrën e të bërit biznes. Ky bashkëpunim i frytshëm po reflektohet edhe sivjet në edicionin e 25-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, Klik Ekspo Group, ku janë bërë bashkë bizneset nga Serbia, Turqia, Kosova, Bosnja dhe Maqedonia, të cilat po promovojnë mundësitë e bashkëpunimit në biznes, në stendat gati ngjitur njëra-tjetrës. Një mjedis ballkanas mesdhetar i ngrohtë me bazë traditën, ka mbushur hollin kryesor të Pallatit te Kongereve, ku zhvillohet edicioni i 25-të, i Panairit Klik Ekspo Grup, që këto ditë po vizitohet nga qindra të interesuar. Sot investitorët e huaj, sidomos ata të sipërmarrjeve të mëdha e shohin Ballkanin, si një rajon të përbashkët për investime. Në këtë drejtm për Shqipërinë  ka shërbyer  Klik Ekspo Group,  si një katalizator për ardhjen në vendin tonë të korporatave të mëdha globale të cilat synojnë të jenë të pranishme me investimet e tyre.

Serbia

Kompanitë serbe vijnë për të 15-tin vit radhazi  në Klik Ekspo Group me synimin e një bashkëpunimi rajonal gjithnjë në rritje, sidomos në sektorin e energjisë. Duke i dhënë vlerësimin e duhur këtij bashkëpunimi, Elona Agolli,  organizatorja e Panairit Ndërkombëtar Klik Ekspo Group, ndërsa i uroi mirëseardhjen ekspozuesve nga gjithë Ballkani u shpreh se, bashkëpunimi i përforcuar mes Klik dhe Velexpo përgjatë viteve ka forcuar edhe një miqësi të bukur mes njerëzish të bukur, të cilët më tepër se shumë faqe e libra biznesi, kontribuojnë ne mirëqënien dhe progresin ekonomik e social të vendeve tona ballkanike. “Ne Ballkanasit, ndajmë mes veti të njëjtat tradita, e kulturë shpirtërore. Jemi të njëjtë në vitalitetin tonë, në forcën e shpirtit, dhe forcën e mendjes, në largpamësinë dhe vizionet tona. Në rrugëtimin tonë u bashkua edhe Dhoma e Tregtisë së Serbisë, dhe tanimë ajo përbën edhe “akrepat” e orës sonë të bashkëpunimit, pa të cilat zor se kjo orë do të mund të funksiononte bukur mirë. Përfitoj nga ky rast për të falenderuar përzemërsisht Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë, Z.Marko Čadež. Nismat e mira janë ato të cilat që në gjenezë e kanë të shkruar të ardhmen e tyre. E tillë do të jetë dhe Dhoma e Tregtisë Serbo-Shqiptare, dhomë, e cila u krijua si nismë e përbashkët mes sipërmarrësve dinamikë të pushtetshëm me bizneset e tyre, që ndajnë aspirata e pritshmëri të përbashkëta,” tha Agolli ndërsa shtoi se prania e ekspozuesve nga Serbia, vit pas viti ka ardhur drejt rritjes. Nga 20 të parët e viteve 2003 – 2004, sot në edicionin e 25-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, dhe 15 vjetorit të admirueshëm të bashkëpunimit Shqipëri-Serbi, numërohen mbi 40 biznese të sektoreve vitale e prioritarë, si energji, ndërtim, bujqësi e agro-industri. Ndër vite numërohen mbi 400 biznese që kanë prekur Shqipërinë dhe realitetin shqiptar: nga bujqësia tek mallrat e konsumit, nga industria kimike tek materialet elektrike, e sot madje dhe formimi dhe arsmimi. Rikthimi i përvitshëm i tyre është dëshmi e pritshmërive të realizuara.

Turqia

“Bota” e biznesit turk, përfaqësuar në këtë panair me emrat më të afirmuar të industrisë së saj ushqimore si Merkez Efendi, Tamek, Metro synon të zgjerojë tregjet e bashkëpunimit në tregun shqiptar. Prezenca e tyre në ekspozitën e Klik është një fillesë e synimeve të tyre për të hyrë në tregun shqiptar e më pas në të gjithë Rajonin. Me një ekonomi në rritje të fortë, Turqia është kthyer në një magnet për njerëzit në Ballkan ku tregtia dhe turizmi lulëzojnë. “Shqipëria është një vend interesant për prodhim dhe distribuim produktesh që më pas do të shtrihen në të gjithë vendet e tjera të Ballkanit” thotë Atasheu tregtar i Turqisë në Shqipëri, Halis Kaya.

Greqia

Përfaqësimi Institucional i Greqisë nepermjet Dhomës së Tregtisë së Janinës dhe Programe mbështetëse evropiane dhe cross-boarder, me prezantimin e mbi 20 kompanive që propozojnë, jo vetëm produkte të përfunduara, por edhe teknologji e zgjidhje për sektorin mjekësor, industri agroushqimore, materiale elektrike etj.

Mali i Zi

Përfaqësimi Institucional i Malit të Zi, nëpërmjet Dhomës së Tregtisë, me një përzgjedhje ekspozuesish në sektorët agroushqimor, elektrikë, por edhe me investitorë ne fushën e turizmit dhe agro-turizmit.

Maqedonia

Përfaqësimi Institucional i Republikës së Maqedonisë, zgjedhur këtë edicion të mbërrije edhe përmes Kulturës, duke sjellë nëpërmjet Ministrisë së Kulturës me Projektet e perbashketa ndërkufitare, bashkë anëtarësimi në rrjetet ndërkombëtare të Bashkimit Evropian, rrjetet Traduki etj., në kuadër të botimeve dhe shperndarjes se ndersjellë të Kulturës dhe Letërsisë. Ekspozuesit e tjerë nga Republika e Maqedonisë, i përkasin disa sektorëve të ekonomisë me të cilat tregu shqiptar eshte në bashkëveprim të përditshëm si; industria e printimeve, industria e paketimeve, agro-ushqimore etj.   

Mbi 300 biznese dhe sipërmarrje vendase dhe të huaja nga 20 shtete të botës, deri nga Kina e largët, marrin pjesë në edicionin e 25-të, të Panairi Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga “Klik Ekspo Group”, që zhvillohet nga data 21 deri 24 nentor ne Pallatin e Kongreseve.