/Telegraf.al/ Këshilli bashkiak i Vlorës ka dekoruar Flamurtarin e periudhës 1981-1991 në futboll. Një dekorim i vonuar si “Nderi i Qytetit”, por plotësisht i merituar. Një skuadër e paharrueshme, emblemë e qytetit bregdetar jonian, që meriton më shumë se kaq. Flamurtari është një histori e shkëlqyer e futbollit vlonjat dhe atij shqiptar, një shkollë më vete, që ka nxjerrë emra të mëdhenj ndër vite për ekipet kombëtare. Nuk do të ketë skuadër tjetër shqiptare, që do të arrijë ato rezultate si Flamurtari në Kupat e Europës, duke eliminuar Partizanin e Beogradit, duke fituar e barazuar me Barcelonën e madhe. Këto maja, janë padyshim “Olimpi” i futbollit vlonjat e shqiptar në rang klubesh.
KJO ËSHTË HISTORI GRANDIOZE!
Flamurtari që luajti kundër Partizanit të Beogradit dhe Barcelonës do të shkruhet me gërma të arta në historinë e futbollit tonë. Është një moment mburrjeje, sigurisht, pas kualifikimit historik të kombëtares kuqezi në “Euro 2016”, për herë të parë. “Gjermania 2024” përbën, po ashtu, një tjetër arritje të jashtëzakonshme. Çdo dekoratë, vlerësim, urdhër presidencial, apo lokal që ka marrë Flamurtari është pak për atë që ka bërë, më shumë se pak. Flamurtari ideal është i madh. Në fakt, më i madhi, por në mënyrë modeste mendoj se nuk është Flamurtari i viteve 80-90-të. Kjo gjë duhet nënvizuar. Flamurtari që bëri historinë është ai i periudhës 1985-1991. Ai grup djemsh kuqezinj e ngjiti në piedestal skuadrën vlonjate të futbollit. Deri atëherë, Flamurtari ishte renditur nga vendi i pestë deri tek i nënti në kampionatin shqiptar. Legjendat e Flamurtarit janë ai brez futbollistësh që e morën “stafetën” nga ikona si Mexhit Haxhiu, Koto Zilja, Ben Çela, Edmond Liçaj, Leonidha Çurri, Uran Xhafa e të tjerë, për ta shpënë akoma më përpara emrin e futbollit të qytetit bregdetar.Theksoj që në fillim, përtej kontributit të shumë faktorëve, teknikëve, një prej emrave dhe kontribuitori më i madh i formimit të legjendave është Agron Sula, trajneri, që bëri revolucion në klub, që besoi dhe solli lojtarë të rinj të talentuar si Ziaji, Taho, Çipi, Rucët etj., por edhe raporti që Agron Sula krijoi me Federatën Shqiptare të Futbollit. Natyrisht, duhen përmendur disa faktorë që dërguan tek ai Flamurtar ideal, që eliminoi Partizanin e Beogradit dhe mundi Barcelonën në Vlorë! Në bazë të gjithçkaje është kontributi i instancave të kohës, posaçërisht i ish-sekretarit të parë, Enver Halili, dashamirës i madh i futbollit, njeriut që ndikoi në zbutjen e luftës së klasave, ishte kundër letrave anonime, kërkonte t’iu jepte mundësinë më të mirëve në të gjitha fushat e jetës asokohe. Dihet se Flamurtari i atyre viteve ishte peng i cic-mic-eve të tilla të politikës alla Ferik Bisha e Janaq Syko etj. Realisht, Flamurtari bëri një kapërcim cilësor në Kupën Ballknike, kur ishte renditur i pesti, por kontributi i ardhjes së profesor Agron Sulës, e theksoj, dhe e Gëzim Nushit, që punonte në federatë, ishte determinant në rritjen e kuqezinjve; i futi ato në rrugën europiane. Flamurtari shkoi në Kupën Ballkanike dhe u tregua dinjitoz, skuadër me potenciale të mëdha. Me atë rast u pa edhe dashamirësia e FSHF-së karshi Flamurtarit të kohës, por ndërsa ishte në kulmin e vet, Vasil Ruci, befas nuk lejohet të luajë jo si i persekutar, por si pasojë e cic-mic-eve alla janaqsyko. Kjo bëri që Flamurtari të merrte pjesë në Kupën Ballkanike, me përfaqësim dinjitoz ndaj AEK-ut, të fitonte ndaj ekipeve të Ish-Jugosllavisë. E përsëris se ndodhi për herë të parë që Vasil Ruci të mos lejohej për të luajtur jashtë shtetit, në mënyrë krejt të padrejtë, për shkak të letrave anonime. “Kompetenti” e meritonte të ishte atje me Flamurtarin, si një nga futbollistët më të talentuar vlonjatë të atij brezi. Duke qenë se kam punuar në komitetin ekzekutiv të asaj kohe, e theksoj se përtej inateve brenda grupit dhe letrave anonime, një rol të rëndësishëm luajtën në sheshimin e problemeve. Pastaj, ardhja e Enver Halilit si sekretar i parë e vendosi Flamurtarin në shina të sigurta, duke njohur meritat sportive të gjithsecilit, jo aq shumë biografinë. Mbas ndeshjeve të luajtura në Kupën Ballkanike, në vitin 1985, Flamurtari fitoi Kupën e Republikës. Aty filloi periudha e dominimit vlonjat, kjo është fillesa e Flamurtarit të madh. Theksoj se ka tri periudha Flamurtari i madh: Flamurtari i Skënder Elmazit me të rinjtë, që e furnizoi atë ekip; 1980-1985, periudha e Agron Sulos, që e futi Flamurtarin në sallonin e madh europian; periudha 1980-1985 veçuar si “paradhoma” e suksesit të madh. Periudha 1985-1991 është e Flamurtarit të madh, që i mahniti të gjithë, i legjendave dhe mjeshtrave të futbollit vlonjat e atij shqiptar. Këtë e tregojnë trofetë e fituar, por edhe renditja nga vendi i parë deri në të tretin. Ky është Flamurtari ideal. Në periudhën 1885-1991, mos harrojmë se Flamurtari ka qenë thelbi i kombëtares shqiptare. Në ndeshjen ndaj Rumanisë, kombëtarja kuqezi kishte tetë lojtarë të Flamurtarit të grumbulluar. Pas largimit të Shyqyri Rrelit nga stoli, një mendjendritur i trajningut shqiptar, por që pëlqente më shumë futbollistët e Tiranës, iu hap rruga e kombëtares edhe talenteve vlonjate të kohës. Bejkush Birçe iu dha vendin e merituar futbollistëve të Flamurtarit, që po bënin bujë jo vetëm në kampionatin shqiptar, por edhe Kupat e Europës. Për mendimin tim modest, duhet saktësuar pak periudha e Flamurtarit të madh, jo 1980-1985, por ajo më pas, 1985-1991. Nuk është se e them unë këtë, por e dëshmojnë statistikat, sukseset e arritura në fushën e blertë. Natryrisht, historia e Flamurtarit në tërësi duhet shkruar me germa të arta, me 2 barazime, një fitore dhe një humbje me Barcelonën në Kupat e Europës si kulm. Edhe më ëndërrimtari nuk do ta kishte menduar fitoren e Flamurtarit 1-0 në Vlorë, ndaj Barcelonës, apo paraqitjet dinjitoze në “Camp Nou”. Një saktësim i tillë i periudhës së Flamurtarit të madh do të vlerësonte sipas meritës reale legjendat kuqezi, aspak për të errësuar atë brez të artë futbollistësh vlonjatë, që në harkun kohor 1980-1991 e ngjitën futbollin vlonjat në “Olimp”. Nuk mund të harrohet asnjë kontribut që nga Arapi, Petro Ruci, Çipi, Taho, Iljadhi, Lushaj, Ziaji, Gjondeda, Ferko, Memushi, Ziu, Daullja, Murati, Bubeqi, Ruci, Kushta. Ky Flamurtar nuk mund të harrojë urrejtjen dhe diskriminimin e Vasil Rucit, të cilin nuk e aktivizuan asnjë minutë me kombëtaren kuqezi. Po ashtu, Flamurtari ideal duhet krenuar me madhështinë e Sokol Kushtës, i cili shënoi 12 gola, i pari futbollist me më shumë se 10 gola në kombëtare. Kushta është i pari në listën e golashënuesve, nëse marrim mesatarisht golat për minuta loje me kombëtaren. Ky shkrim kërkon të mos minimizojë asnjë periudhë të ndritshme të Flamurtarit, por të evidentojë legjendat e vërteta, ato që e treguan veten me trofe, gola dhe përfaqësim në kombëtaren kuqezi. Si brezi 1985-1991 te Flamurtari nuk ka pasur dhe nuk do të ketë për shumë vite në futbollin vlonjat e atë shqiptar. Flamurtari 1985-1991 do të mbahet mend për futbollin më të bukur, më modern, veç të tjerash. Ishte një skuadër, që kishte frikë vetëm veten, pra Flamurtarin. Natyrisht, që të jesh kampion duhet të mposhtësh rivalët direktë. Nëse shikojmë me kujdes, Flamurtari ka qenë në epërsi ndaj sfidantëve të vet afër fundit të kampionateve. Më 1986 ndaj Dinamos, i duhej fitorja ose barazimi në Vlorë për t’u shpallur kampion, por nuk ia arriti. Një vit më pas, Partizani i mundi vlonjatët, fitoi më shumë pikë dhe mori titullin kampion. Po kështu, kur Dinamo luante në Gjirokastër dhe Flamurtari në Tiranë. Kjo tregoi se Flamurtari humbi tituj se nuk mundi kundërshtarët e fortë në ndeshjet direkte.