Ëngjëll Musai: Politikanët e Tiranës dhe vizita e kreut të CIA-s

604

Është bërë zakon që në çdo fund viti kudo
në botë,në institucione, kompani, biznese, teknologji, shkencë, grupe shoqërore,
në familje, individë madje edhe vetë shtetet bëjnë analizën e asaj, se çfarë
premtuan për të realizuar gjatë 365 ditëve dhe sa ia arritën qëllimit apo çfarë
mbeti pa realizuar dhe cilat ishin shkaqet apo defektet, që një gjë e tillë të
mos ndodhë në vitin pasardhës. Madje-madje edhe Babagjyshi i vjetër ikën duke
pritur dhe lënë stafetën tek Babagjyshi i Vitit të Ri. Por për ne shqiptarët
dhjetori shënon një ngjarje e veçantë, pasi ka të bëjë jo thjesht me një datë
ku u krijuan disa parti politike pas 46 vjetësh sistem mono partiak por ky muaj
daton me hapjen e vendit, daljen nga izolimi, krijimin e pluralizmit politik,
fitoren e lirisë, demokracisë, ëndrrës evropiane të shqiptarëve që nisën bashkë
me parullën e “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” dhe me flamujt e SHBA si
simbol i shpresës së madhe. Ngjarjet e dhjetorit ’90 janë unike, nga ato ku
takohen dhe shkrihen historia dhe perspektiva, e tashmja dhe e ardhmja e një
kombi. Po a u shpërblyen përpjekjet dhe sakrificat e
idealistëve të 8 dhjetorit? Pse dështuan dhe pse Shqipëria
sot kalon probleme të panumërta? Pse varfëria dhe krimi, droga dhe
prostitucioni, papunësia dhe emigracioni, shëndetësia dhe arsimi, vetëvrasjet,
vjedhjet, lotët etj, po trishtojnë këdo në vendin e shqiponjave? Po ku janë
studentët e Dhjetorit ’90, ata që rrëzuan diktaturën dhe shkundën komunizmin,
pse i lanë shpresat të veniten? Shqiptarët prisnin diçka pozitive për të
treguar, se post-komunizmi nuk do zhgënjente, jo vetëm nismëtarët e proceseve
demokratike, por edhe skeptikët e viteve ’90. Është e pafalshme që shumica e
shqiptarëve të jenë të zhgënjyer për mos realizimin e plotë të aspiratave të
asaj lëvizjeje dhe të asaj rinie. Mitingjet madhështore që nisën nga
qyteti studenti dhe përshkuan anembanë vendin si dhe entuziazmi i shprehur
krijuan bindjen se shumë shpejt vendi do rimëkëmbet dhe do ti bashkëngjitet Evropës
dhe Amerikës. Historia dihet, por ende nga një pjesë dërrmuese nuk po kuptohet,
se pse edhe sot një çerek shekulli më vonë Shqipëria ndodhet në këtë gjendje që
sa vjen dhe rëndohet.   

SHBA dhe Shqipëria

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë
treguar, se forcën e saj nuk e tregojnë vetëm nga shkalla e pasurisë, por
kryesisht nga idealet e popullit amerikan, të cilat bazohen tek demokracia,
liria dhe besimi për të pasur një botë të suksesshme. Ishin po SHBA ato që
krijuan kartën universale të të drejtave, por edhe shteti që luftoi për rrëzimin
e fashizmit dhe nazizmit duke iu bashkuar frontit çlirimtar. Janë po SHBA që
nuk tolerojnë diktaturat komuniste, regjimet ushtarake dhe qeveritë
diktatoriale. SHBA, si shteti më i fuqishëm i botës, ka qenë një aleat dhe
mbështetje për Shqipërinë dhe  ka kontribuuar
në njohjen e pavarësisë së vendit tonë. Pikërisht më 4 korrik 1917, Presidenti Wilson
deklaronte: “Unë do të kem vetëm një zë
në Konferencën e Paqes në Paris dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e
Shqipërisë”.
Ky mesazh i Presidentit Wilson krijoi shpresën te shqiptarët,
se një aleat i madh si Amerika do të mbronte çështjen shqiptare. Ndërsa më 15
shkurt 1920, Presidenti Wilson deklaroi, se “Qeveria Amerikane kundërshton me fuqi çdo dëmtim në kurriz të
Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavisë
”. Ai shkoi edhe më larg duke
kërcënuar bashkëpunimin me evropianët dhe tërheqjen nga Traktati i Paqes me
Gjermaninë. Vetëm një ditë më vonë, Londra e Parisi u tërhoqën para presionit
amerikan. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së
Kombeve. Në vitet në vazhdim, në rrugëtimin e bashkëpunimit midis dy vendeve
tona, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol të veçantë për
vendin tonë në konsolidimin e demokracisë, në anëtarësimin në NATO dhe në
mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve të Kosovës për çlirimin dhe pavarësinë e
saj

Amerika. Lindja, NATO dhe vizita e drejtorit të CIA-s në
Tiranë

Situata
e rënduar në Ballkan, influenca ruse dhe deklaratat e ndërsjella të liderëve të
rajonit kanë detyruar ardhjen në Kryeqytetin Shqiptar të numrit një të CIA-s
John Brennan. Sigurisht ka shumë hipoteza, se përse kjo vizitë në këtë fund
mandati, por gjithsesi pa shpresuar për të vërtetën absolute mund të rendisim,
se kjo vizitë është një falënderim për bashkëpunimin me strukturat e
specializuara të shtetit shqiptar sikurse është; mbrojtja, policia, shërbimet
homologe por edhe një gjykim për politikat e liderëve aktualë të vendit. Lëvizjet
e rusëve, por edhe hapat e Tiranës zyrtare drejt lindjes nuk mundet të
përcillen kaq lehtë. Të mendosh si partnerë strategjikë Rusinë kur edhe
diktatura e Enver Hoxhës u shkëput e para nga Traktati i Varshavës është pak e
pakuptueshme. Nëse një gjë e tillë bëhet për presion ndaj BE-së dhe SHBA-ve, atëherë
problemet bëhen edhe më të ndërlikuara dhe të rrezikshme për ideatorët. Nëse
vendi ynë duhet të ecë me ritme gjigande dhe të kapë kohën e humbur në këto 26
vjet duhet të bëjë reformat e kërkuara, të plotësojë 5 kriteret bazë, të bëjë
një reformë të plotë zgjedhore dhe të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të
ndershme. Pikërisht këto shtatë pika kërkon edhe BE edhe SHBA. Këto detyra
duhen bërë jo për t’u bërë qejfin Evropës por për të mirën e shqiptarëve, pasi edhe
vetë ambasadorët pavarësisht, se venë e vijnë, duhet pranuar që për disa gjëra
këta i diskutojnë dhe marrin miratim nga qeveritë aktuale në vendet e tyre. Por
ajo që duhet të jetë e qartë përgjithmonë për ne, ka ta bëjë me një kusht të përhershëm;
që Shqiptarët dhe Shqipëria duhet t’i kenë sytë dhe duhet të lidhen me Amerikën
dhe Gjermaninë. Me Gjermaninë për arsye ekonomike dhe investimesh, pasi është
më afër gjeografikisht dhe me Shtetet e Bashkuara për arsye strategjike dhe
mbrojtjeje, pasi është afër për tjera gjëra. Duhet të jemi miq me të gjithë,
madje edhe me; Serbinë, Rusinë, Greqinë, Turqinë, Kinën etj, por jo në dëm të
marrëdhënieve me dy të parat. Sepse “miqësinë” e të gjithë këtyre tjerëve e
kemi provuar, kryesisht për fatin e keq tonin gjatë 100-viteve të fundit. Kërkesat
turke për të ngritur qendra stërvitjeje në bregdetin e Jugut janë, jo të
pranueshme dhe dëmtojnë marrëdhëniet brenda vetë NATO-s . Besoj se këtu na
duhet roli i SHBA dhe strategjia e së cilit duhet të jetë udhërrëfyesi për
vendin tonë. Ndaj edhe vizita e John Brennan nuk mbetet thjesht terrorizmi, pasi
ai ka ekspertët pranë shërbimeve homologe në vendin tonë dhe e di shumë mirë
situatën dhe faktin që ne jemi partnerë të palëkundur në këtë fushë. Ajo bëhet
e rëndësishme kur shikon kërkesat e tejskajshme të Turqisë, zgjedhjet,
anashkalimin e ministrit të brendshëm dhe vendimmarrjen e rusëve për t’u shtrirë
në ish vendet e Lindjes që kanë pësuar zhgënjim nga proceset demokratike dhe
implikimi në aferat e drogës e armëve të mafjes ruse. Fakti i sondazhit të
fundit të OSBE, është një arsye më shumë për ta besuar.

 Po pse erdhi në të vërtetë kreu i CIA-s, John Brennan në Tiranë?  

 “Ndoshta drejtori I CIA- s’do ua ndalojë pak
hovin e dashurisë drejt Moskës, atyre që po tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë,
pasi shenjat nuk janë të mira. Kërcënimet e Kryeministrit Edi Rama nuk i
takojnë një burri shteti shqiptar. Tani sipas tij rusët nuk na qenkan
antishqiptarë. A di gjë ky nga historia apo e ka dëgjuar nga Erdogani dhe këshilltarët
e Putinit?! Është koha që SHBA t’u tregojë vendin cilitdo delenxhiu që për
interesat personale kërkon të rivendosë diktatura. Me sa duket Presidenti Nishani
dhe Kryeparlamentari Meta po dalin më të mirë dhe më të përmbajtur dhe pro
SHBA-ve. Të pakën ky është këndvështrimi i përtej oqeanit…”

 

Sigal