Arbër Mati: Bashkia e Matit “punon” vetëm në Facebook!

Rrugët shemben, asfaltet çahet, ndërsa në rrjetet sociale gjithçka duket perfekte. Qytetarët kërkojnë punë reale, jo foto e video.

Në faqen zyrtare të Bashkisë së Matit në Facebook, çdo ditë shfaqen pamje ngjyrë-vezulluese të punimeve, investimeve, inspektimeve dhe “arritjeve” të radhës. Në rrjet duket sikur gjithçka po ecën mrekullisht. Por realiteti në terren është krejt tjetër: aty punët ose nuk bëhen fare, ose bëhen keq, ose shemben ende pa u tharë betoni.

Sigal

Prej kohësh qytetarët ankohen se ndërmarrjet e bashkisë funksionojnë vetëm në letër dhe në postime, ndërsa shërbimet reale mungojnë. Ndërmarrja e rrugëve, për shembull, edhe kur ndërhyn në ndonjë segment, ai shpesh shembet pa u mbyllur punimet. Asfaltimet çahen ende pa u inauguruar, bordurat prishen dhe rikthehen për t’u riparuar vetëm pak javë më pas, ndërsa çarjet dhe gropat shfaqen si me magji sapo largohen kamerat.

Në vend që të përmirësojë cilësinë e shërbimeve, bashkia duket se ka zgjedhur rrugën më të lehtë: propagandën dixhitale. Mjafton një video e montuar mirë, disa foto të një inspektimi të rastësishëm, dhe gjithçka paraqitet si sukses. Show hidhet në rrjet, ndërsa realiteti u lihet qytetarëve: me rrugë të dëmtuara, punë të pakryera dhe premtime boshe.

Por banorët e Matit nuk ushqehen më me imazhe. Ata kërkojnë punë konkrete, investime të qëndrueshme, cilësi në shërbime dhe përgjegjësi për çdo metër rrugë që shembet sapo vendoset. Bashkia duhet të punojë në terren, jo në Facebook. Derisa kjo të ndodhë, çdo postim mbetet thjesht një perde tymi, ndërsa problemet e përditshme të qytetarëve mbeten po aty, të dukshme dhe të pazgjidhura.

Qytetarët duan rezultate reale, jo fasada virtuale.