-Në vend të lamtumirës për Prof. Agron Fico-
I trishtë shumë ky mëngjezi i sotshëm. Qënka ndarë nga jeta Prof. Agron Fico, një tjetër gurë i rëndë, madje qoshelli, i trashëgimisë tonë shpirtërore, i vëtë kulturës tonë kombëtare.
Iku, u shkëput dhe një gurë i shndritshëm prej gjerdanit të gjirokastritëve të artë, të atyre që bënë histori me mendje e me penë.

Siç ishte Agron Fico, njeriu që përcolli dituri e fjalë të mençura shqipe në tri kontinente. Intelektuali i dorës së parë e me kontribute të mëdha sidomos në fushën pedagogjike, trashëgimisë kulturore, kërkimeve shkencore në folkloristikë, etnokulturë e albanologji, publicistikë, gjuhësi, letërsi etj.
Mbit të gjitha një njeri me veçori të jashtëzakonshme njerëzore, promovues i pa lodhur i vlerave dhe çdo gjëje që përbën aset identitar shpirtëror për kombin e vet.
Personalitet me vlera të larta njerëzore e me një urtësi proverbiale, por edhe më një dashuri e mirësi të pa matë.

Përherë i qeshur e buzagasë, ngaherë i urtë e gojë mjaltë, kudo e me këdo, si rrallë të tjerë.
Gjithëmonë i interesuar për trashëgiminë shpirtërore, sidomos, duke i’u gëzuar arritjeve po edhe duke u brengosur nga bjerrjet.
…Akoma e kam edhe sot të gjallë përkujdesjen e këtij njeriu aty e çerek shekulli më parë kur rastësisht do të ndiqte një koncert të folk grup “Bilbili” të Vlorës që sa kishte nisur rrugën e debutimit e ku do ti gëzohej si një fëmije.
Nuk mund të harrohet as ndihmesa e Profesorit në ndërmjetësimin dhe kordinimin e rrugës dhe përballjes së parë të ‘Bilbilit” me folklorin europian në një nga festivalet ndërkombëtare të Moldavisë, në vitin 1995.
Edhe pse për shumë vite do të largohej e do ti kushtohej aktivitetit krijues në SHBA, asnjëherë nuk do harronte të interesohej, të pyeste e të mësonte rreth aktiviteteve të trashëgimisë shpirtërore në atdheun e tij të dashur.
Kam parë nga afër se si do ti vezullonin sytë kur gjatë një takimi në Tiranë do ti komunikoja vendimin e bordit të festivalit për ta patur “President Nderi” të edicionit të pestë të Aulona Inter Folk Festival.

Kishte pak kohë që kishte lënë Amerikën dhe ndjehej tërësisht i pushtuar nga malli dhe dashuria për të qenë përsëri e për të parë nga afër magjinë e folklorit, siç mundi ta përjetojë me aq shumë kreshëri e vemëndje ato tri ditë maji të 2013-tës, në Vlorë.
Më duhet që në këtë shkrim të përzishëm për profesorin e dashur të citoj pikërisht disa radhë nga përshëndetja që si President nderi i bëri festivalit në ceremoninë e hapjes së tij.
“Aulona Interfolk Festival” ka fituar statusin e nderuar dhe të adhuruar nga shikuesit dhe teleshikuesit, brenda dhe jashtë vendit, edhe për faktin se mbahet në qytetin e Vlorës ku hodhi shtat Pavarësia e Shqipërisë, por edhe gjirin e popullit vlonjat i njohur jo vetëm për trimërinë , shpirtin liridashës dhe demokratik, por edhe për bujarinë dhe mikëpritjen proverbiale.

Festivali ështe jo vetëm një manifestim folklorik i veçantë dhe origjinal, por edhe përcjell njëherazi mesazhe të sinqerta miqësore, demokratike dhe paqësore duke shërbyer njëherazi edhe si ftesë e hapur për ofertën turistike”.
Vetëm një njeri me përkushtim për artin e popullit dhe që njeh fuqinë dhe magjinë e trashëgimisë shpirtërore mund të shkruaj me kaq shumë dashuri e vlerësim.
…Pak kohë më pas do kisha fatin që të shikoja te profesor Agroni një tjetër dimesion të vlerave të tij njerëzore.
Dashurinë për vendlindjen, për njerëzit dhe “gurët e udhës” ku, siç më thoshte –i kishte rënë koka.
Ishin ditët kur bashkia e Gjirokastrës, qytetit të lindjes do ti akordonte, do ta nderonte e do ta shpallte “ Qytetar Nderi”.
Një gëzim që ndjehej në çdo nerv e qenie të këtij njeriu që nga një nxënës i shkëlqyer në gjimnazin e njohur të qytetit të gurtë, tani kthehej për të marrë vlerësimin e lartë që qyteti i lindjes i jepte.
Me një krenari të ligjshme si vlerësim të punës e përpjekjeve të tij në harkun e një jete por edhe si pinjoll i një familjeje emër madhe të njohur në histori e shekuj.
…Shumë i trishtë e i dhimbshëm ky mëngjes qershori, Profesor Agroni.
Të donim të të kishim edhe shumë e shumë vite të tjera; me mendjen e ndritur, me dashurinë e madhe, me buzën e qeshur, si përhera.
Lamtumirë Profesori ynë i dashur, Agron Fico!
Njeriu që le gjurmë kulture e trashëgimie në Tre kontinente.

















