Catherine Ashton: Vendet e Ballkanit duhet të vazhdojnë rrugën e integrimit

523
Sigal

 

 

Shqetësimet e vendeve
të Ballkanit Perëndimor ndaj ndikimit që mund të ketë daja e Britanisë nga
Bashkimi Evropian, mbi procesin e zgjerimit janë të kuptueshme, thotë ish shefja
e BE për politikën e jashtme, Catherine Ashton. Gjatë një diskutimi dje në
Qendrën Wodrow Wilson në Uashington, zonja Ashton tha megjithatë se vendimi i
votuesve britanikë për dalje nga B.E. nuk ka ndryshuar qasjen afatgjatë të
Brukselit ndaj zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Me zonjën Ashton
bisedoi kolegu Festim Gashi. Pas miratimit të referendumit për daljen nga
Bashkimi Evropian, Britania po shqyrton tani mënyrat e shkëputjes. Analistët
thonë se Britania ka dy rrugë për dalje nga Bashkimi Evropian, të ashtuqujtarat
rruga e butë dhe ajo e fortë. “Në thelb, rruga e fortë do të thotë dalje e
menjëhershme nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje për të ardhmen e
marrëdhënieve me të, dhe në sytë e atyre që e shohin këtë si dalje të fortë, ne
bëhemi një vend plotësisht i pavarur, i cili e sheh Evropën në distancë. Dalja
e butë do të thotë një qëndrim sa më afër Evropës, në një distancë fare të
vogël nga BE, ku mund të kemi përfitime nga tregu i përpashkët, mund të bëjmë
marrëveshje për çështje të ndryshme si imigracioni, që ishte çështje e madhe e
fushatës për dalje nga BE, e kam fjalën për imigracionin brenda Evropës, dhe ku
ne do të operonim pothuaj sikur të ishim një vend anëtar, që do të mund të
përfshinte kontributet financiare për buxhetin e B.E.-së për gjëra të caktuara
si mbrojtja, siguria etj”, thotë ish-shefja e Bashkimit Evropian për politikën
e jashtme, Catherine Ashton. Pavarësisht se cilën rrugë do të ndjekë, dalja e
Britanisë nga Bashkimi Evropian ka ngritur shqetësime në Ballkan mbi aspiratat
e anëtarësimit në strukturat euro-atlantike. Ish shefja e Bashkimit Evropian
për politikën e jashtme dhe sigurinë, Catherine Ashton thotë se Britania ishte
një vend pro-zgjerimit të Bashkimit Evropian, prandaj ajo i kupton shqetësimet
e vendeve të Ballkanit në lidhje me ndikimin që kjo mund të ketë. Megjithatë,
ajo thotë se kjo nuk ka ndryshuar në mënyrë thelbësore qasjen e BE ndaj
zgjerimit. “Unë mendoj se ekziston një pritshmëri në mesin e vendeve të
Bashkimit Evropian se vendet e Ballkanit Perëndimor eventualisht do të bëhen
anëtare të bllokut. Mendoj se kur njerëzit flasin për një lodhje nga zgjerimi
dhe nëse Evropa duhet të vazhdojë procesin e zgjerimit, është zakonisht një
vlerësim që e përjashton Ballkanin Perëndimor sepse ata supozojnë se vendet e
Ballkanit Perëndimor eventualisht do t’i bashkohen BE. Nuk shoh ndonjë ndryshim
të madh ndaj kësaja qasjeje”. Prandaj, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të
punojnë më shumë në përmbushjen e detyrimeve të tyre për të treguar se ato duan
të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, thotë zonja Ashton. “Ka shumë punë për
të bërë, vendet e Ballkanit tani po ndeshen me shumë sfida. Ato duhet të
sigurohen që po bëjnë gjithshka që është e mundur në ndjekjen e rrugës drejt
kësaj të ardhme. Por, për mua kjo rrugë është absolutisht e sigurt.” Në lidhje
me përpjekjet e Rusisë për të shtrirë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor
përmes investimeve dhe metodave të tjera, zonja Ashton tha se këto vende duhet
të jenë të kujdesshme ndaj këtyre veprimeve. Ajo shtoi se këto vende duhet të
vendosin vetë se çfarë rruge duan të ndjekin. “Investimet janë pozitive por ato
nuk duhet të lidhen me disa përpjekje për të ndryshuar drejtimin që njerëzit
kanë zgjedhur për vendin e tyre. Në bazë të prëvojës sime me vendet e Ballkanit
Perëndimor, veçanërisht me Kosovën dhe Serbinë, ato kanë bërë zgjedhjen e tyre
mbi atë se cila është e ardhmja e tyre më e mirë nga pikëpamja ekonomike dhe
ajo që duan banorët e tyre. Njerëzit e këtij rajoni kanë patur një kaluar të
vështirë dhe ata meritojnë një të ardhme paqësore dhe të sigurt”. Catherine
Ashton, e cila ishte ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në vitin
2013, kur këto dy vende nënshkruan marrëveshjen e normalizimit të
marrëdhënieve, tha se dialogu duhet të vazhdojë pasi përmes tij mund të punohet
drejt përmirësimit të jetës së banorëve të dy vendeve.