Frank Shkreli: Federata Pan-Shqiptare Vatra e Amerikës feston 109-vjet Shqipëri!

294
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Të gjithë ata që i ndjellin zi organizatës më të vjetër shqiptaro-amerikane, duke thënë se “Vatra ka mbaruar”, “s’ka më ndonjë rol për të luajtur”, “misioni i saj ka marrë fund”, e tjera dashakeqësi të tilla, duhej të ishte i pranishëm në darkën e organizuar nga kjo federatë historike e komunitetit shqiptaro-amerikan, mbrëmjen e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor, 2021.

Qëllimi i këtij komenti të shkurtër nuk është që të shkruaj një kronikë të mbrëmjes:  sepse jam i sigurt se gazeta “Dielli”, organ i Vatrës, por edhe gazetarë të tjerë që ishin të pranishëm në darkë, do të pasqyrojnë me korrespeondencat e tyre, në hollësi, fjalimet dhe zhvillimet e mbrëmjes festive në sallën Eastwood Manor të lagjes Bronx.

Vatra e vitit 2021, drejtohet nga Kryetari i ri, Z. Elmi Berisha, një biznesmen i njohur dhe aktivist i dalluar dhe i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe ish-përfaqësues i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Shtetet e Bashkuara.  Z. Berisha është zgjedhur gati dy vjetë më parë Kryetar i vatrës, me një Kryesi, Bord dhe antarësi të re. Edhe gazeta Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, gazeta më e vjetër shqiptare, që botohet gjithnjë, ka një Editor të ri, gazetarin energjik, Z. Sokol Paja.


Anëtari i Këshillit të Nju Jorkut, Z. Mark Gjonaj, Kryetari i Vatrës, Z. Elmi   Berisha dhe Nën-Kryetari i Vatrës, Dr Pashko Camaj

Si pjesëtar i vjetër dhe pjesëmarrës në shumë aktivitete të komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë viteve, vura re mbrëmë se megjithë sfidat me të cilat është përballur në vitet e fundit, Vatra, është me një udhëheqje të re dhe efektive, me një anëtarësi gjithënjë në rritje, me përfaqësues të një brezi të ri shqiptaro-amerikanësh të ardhur në këtë vend 10-30 vitet e fundit, sidomos me anëtarë të rinj edhe për nga mosha dhe mirë të edukuar – përfshirë në universitetet amerikane – në krahasim me brezat e mëparshëm të shqiptarëve në Amerikë.  Edhe pjesëmarrja prej lartë nga 500 veta në darken, që shtroi mbrëmë Vatra për të shënuar 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, e pasqyroi këtë fakt, se diçka duket se po ndryshon, për më mirë, me Vatrën, përfaqsuesen dhe votrën më të vjetër rreth të cilës janë mbledhur shqiptaro-amerikanët, në kohë festash, por edhe për të qarë hallet dhe për të ofruar ndihmë në kohë krizash, me të cilat janë përballur shqiptarët këtu dhe në atdhe, ç’prej themelimit të saj në Boston në vitin 1912.


Disa prej pjesëmarrësve në darkën e Vatrës

Ishte një pjesëmarrje që, në të vërtetë, i tregonte një vërejtësi se megjithë sfidat gjatë historisë së saj, Vatra e Nolit dhe e Konicës, nuk i lëshon armët, Vatra nuk dorëzohet, as përballë sfidave të mbrendshme as të jashtme.  Sepse ky komunitet, brez pas brezi, i gjen njerëzit e duhur në kohën e duhur, jo vetëm për ta mbajtur gjallë Vatrën, por për t’a udhëhequr Vatrën e vjetër në një mision të ri historik, në shërbim të Shqipërisë, Kosovës dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi.

Pjesëmarrja mbrëmë ishte nga shqiptaro-amerikanë, shumica të ardhur 2-3 dekadat e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica, siç thashë, gjithashtu në moshë të re dhe nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim. Denjësisht u përfaqësuan nga të parët e tyre edhe tri komunitetet tona fetare këtu në Nju Jork, të ulur së bashku në tavolinën e nderit, duke venë në dukje edhe para disa mysafirëve amerikanë harmoninë tonë fetare. Eh, sikur politikanët shqiptarë do të tregonin të njëjtën harmoni, të pakën për një ditë që u përket të gjithëve, siç është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë!


Në tavolinën e nderit — Diplomatët shqiptarë – të Shqipërisë dhe të Kosovës – pjesëmarrës në darkën e shtruar nga Vatra me rastin e 109-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.  Shpresojmë që kjo foto të jet një testament bashkimi e bashkpunimi midis diplomatëve të Shqipërisë dhe të Kosovës me Vatrën dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan këtu në Nju Jork por edhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara –pasi të dy palët kanë nevojë për njëra tjetrën.

Të pranishëm ishin gjithshtu edhe diplomatët shqiptarë, si nga Shqipëria ashtu dhe nga Kosova. Ishte, veçanërisht, kënaqësi të shihje përfaqsuesit e Misionit të Shqipërisë në OKB, të cilët: ndryshe nga diplomatët e Kosovës që kanë marrë pjesë, pa dallim, në pothuaj çdo aktivitet të komunitetit gjatë viteve, diplomatët e Shqipërisë kanë munguar, fatkeqësisht, për vite të tëra, në darkat dhe takimet e organizuara nga Vatra. E vërteta është se për diplomatët e Shqipërisë kishim pritur për një gjysëm shekulli, gjatë luftës së ftohtë, të na bashkoheshin në raste të tilla.  Për arsye që dihen, diplomatët e Tiranës i mungonin komunitetit për pothuaj një gjysëm shekulli. Mbrëmë ata u pritën vëllazërisht dhe miqësisht nga krerët e Vatrës dhe nga komuniteti në festën e përbashkët për të gjithë shqiptarët, pa dallim – në Festën e Madhe të pavarësisë së Shqipërisë, të Ditës së Flamurit të 28 Nëntorit, 1912.

Editori i ri i gazetës Dielli, Z. Sokol Paja drejtoi ceremoninë e darkës

Kështuqë, kjo darkë tregoi se sa të jenë shqiptarët të bashkuar, ashtu siç ishin mbrëmë në atë takim përkujtimor të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, jo vetëm Shqipëria dhe Kosova do rrojnë e do të përparojnë, por edhe Vatra do të vazhdojë të rrojë dhe të veprojë në interes të Kombit, e drejtuar nga një brez i ri shqiptaro-amerikanësh, ashtu siç ka bërë ç’prej fillim shekullit të kaluar. Me siguri se për derisa të ketë Shqipëri, Kosovë dhe shqiptarë, do të ekzistojë edhe Vatra e Fan Nolit dhe e Faik Konicës.

Misioni i saj për mbrojtjen e interesave kombëtare në Amerikë dhe në trojet shqiptare, jo vetëm që nuk është shuar, por duket se për Vatrën po shtohet edhe interesimi dhe mbështetja nga shqiptaro-amerikanët e ardhur këtu, vitet e fundit.  Se, Federata Vatra, si organizata më e vjetër dhe më historike në këtë vend, por që ka luajtur edhe një rol kyç e vendimtar gjatë historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve po merr një hov të ri, shtyrë nga një brez i ri shqiptaro-amerikanësh, i cili me ndërgjegjësi morale e kombëtare – me Vatrën dhe në emër të Vatrës – do të vazhdojnë të punojnë për më të mirën e mundur për Atdheun e të parëve tonë shumë të vuajtur. Kryetari Elmi Berisha tha se Vatra po mobilizohet dhe u premtoi të pranishmëve se Vatra nën drejtimin e tij do ndërtojë ura të reja lidhëse me institucionet amerikane në Washington dhe gjetkë.

Tani, detyrimisht dhe përgjegjësisht, i takon këtij brezi të ri të shqiptarëve që, së bashku, të mbrojë dhe të realizojë objektivin kryesor dhe mbarë-kombëtar, sot për sot, duke vepruar dhe duke punuar me, guxim dhe pa kursim, për një Shqipëri dhe Kosovë vërtetë demokratike, sa më shpejt dhe pa vonesë, si anëtare të plota, me detyrime, përfitime dhe përgjegjësi, në organizmat euro-atlantike ushtarako-politiko-ekonomike, duke mos harruar, njëkohësisht, as Çamërinë dhe as të drejtat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë në trojet e tyre arbërore.

Pamje nga darka e Vatrës, 28 Nentor, 2021