Bujar Nishani/ Shërbëtorët e shtetit, shoqërisë dhe qytetarëve

569
Sigal

*President i Republikës së Shqipërisë

 Do të desha të ndalem në mënyrë të veçantë në rëndësinë e madhe që ka, në tërësi, për sistemin gjyqësor dhe atë të drejtësisë, në kuptimin e përgjithshëm, pjesëmarrja dhe prezenca e magjistratëve si një nga shërbimet më jetësore dhe më të rëndësishme të asaj çka, me të drejtë shpesh, në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen artikulohet dhe diskutohet si çështja e reformës në sistemin e drejtësisë. Futja e magjistratëve si prurja kryesore dhe duhet të shkojmë drejt asaj  ‘si prurja e vetme’ në sistemin e drejtësisë ndër prokurorët dhe gjyqtarët, është çelësi kryesor i rritjes së standardit të dhënies së drejtësisë, por jam i bindur dhe i pasimit të të gjithë elementëve të tjerë për të arritur dhe ato standarde që kërkohen për sistemin tonë të drejtësisë. Nëse ka një arritje, në gjykimin tim, jam i bindur që e ndaj këtë besim dhe këtë bindje me shumë qytetarë, por edhe me aktorë të tjerë që janë të njohur, të interesuar por dhe familjarizuar me tematikat e sistemit tonë të drejtësisë që, futja e magjistratëve, angazhimi i magjistratëve, zgjerimi gjithmonë e më shumë i dominimit të magjistratëve në sistemin tonë të drejtësisë, qoftë në prokurori, qoftë në sistemin gjyqësor është, pa dyshim, një arritje e rëndësishme. Nuk ka shumë vite që sistemi ynë i drejtësisë, gjyqësori veçanërisht prokuroria, bazuar në legjislacionin përkatës, kanë filluar të bëjnë si pjesë të tyre resurset që vijnë nga magjistratura. Ky hap i rëndësishëm është hedhur, tashmë mbetet për tu konsoliduar. Mbetet, pa diskutim, për t’u trajtuar në mënyrë përfundimtare që gjyqësori ynë, prokuroria jonë, por pse jo dhe në standardet e aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, të orientohemi gjithmonë nga prezenca e magjistratëve. Në eksperiencën time të tashme si President i Republikës, por dhe të mëparshme si Ministër i Drejtësisë, për fat të mirë kam gjetur një eksperiencë të konsoliduar të monitorimit të mënyrës sesi funksionojnë pjesëtarët e sistemit tonë të drejtësisë, gjyqtarët, prokurorët dhe jo rastësisht është konstatuar se magjistratët janë pjesa më profesionale, janë pjesa më e përparuar qoftë në elaborimin doktrinal, qoftë në qasjen profesionale, qoftë në formatin e integritetit, të cilat mbeten, pa diskutim, elementë kryesorë dhe shtylla kryesore të asaj çka pret, në tërësi, sistemi për të përfituar nga ata, të cilët e bëjnë të funksionojë mekanizmi i sistemit tonë të drejtësisë, që janë gjyqtarët dhe prokurorët. Ne do t’ju ofrojmë mbështetjen maksimale dhe institucioneve të tjera juridike si Këshilli i Lartë i Drejtësisë duke shtuar se magjistratët dhe gjyqtarët e rinj mbeten ta fitojnë edhe mbështetjen e publikut në mënyrë të tillë që të gjithë këto elementë që bëjnë një pikë shumë të fortë në pritshmëritë e mëdha, që në tërësi shoqëria shqiptare, qytetarët shqiptarë kanë ndaj sistemit të drejtësisë. Përpara se të ndaj me ju disa qasje në lidhje me atë çka ne, të gjithë së bashku, diskutojmë, trajtojmë dhe presim nga sistemi i drejtësisë do të desha në nënvizoj me forcë faktin se është momenti që disa hapa të rëndësishëm në interes të forcimit të mëtejshëm të aftësive tuaja profesionale, të angazhimit, performancës, integritetit në kuadër të asaj që themi ‘reformë’ në sistemin e drejtësisë, të merren hapa konkretë. Jam i bindur se është momenti që Kuvendi i Shqipërisë të bëjë ndërhyrjet e duhura në ligjin përkatës për të parashikuar bonuse të veçanta për të gjithë magjistratët e rinj që shërbejnë në gjykatat më të larta të vendit. Dhe ky do të jetë një element i rëndësishëm i reformës legjislative. Kjo është një detyrë e Parlamentit. Është gjithashtu momenti që KLD-ja të përcaktojë qartazi, në akte të funksionimit të tij, bonuse të veçanta për magjistratët që shërbejnë në gjykatat më të lartë të vendit si një pjesë e rëndësishëm e sistemit të vlerësimit, e pikëzimit të tyre për procesin e transferimit dhe promovimit të kandidatëve. Kjo është pjesë e reformës që i takon një aktori tjetër, KLD-së. Ashtu siç aktorë të tjerë të shoqërisë kanë detyrat dhe detyrimet e tyre qartazi, lehtësisht të identifikueshme dhe forcërisht të detyrueshme për tu angazhuar në infrastrukturë, trajnime dhe në mjaft elementë tjerë që do ju shërbejnë juve, pa diskutim në radhë të parë sepse, në bindjen time më të plotë, përfituesi kryesor i reformës në sistemin e drejtësisë duhet të jetë gjyqtari. Përfituesi kryesor në reformën e sistemit të drejtësisë duhet të jetë prokurori. Nëse këta janë përfitues direkt, në kontekstin e profesionalizmit, integritetit, të pavarësisë, rezultati i ofrimit të shërbimit tek qytetari është, pa diskutim, më i mirë. Do të desha të ndaja me ju problematikat që ka sistemi ynë i drejtësisë dhe më konkretisht meqë jemi dhe me gjyqtarët më të rinj të Republikës, sistemi gjyqësor. Nuk kam pranuar dhe nuk do të pranoj asnjëherë faktin spekulativ që, sistemi ynë i drejtësisë është i falimentuar, jo sepse në sistemin tonë të drejtësisë, në gjyqësor dhe në prokurori ka njerëz, ka gjyqtarë, ka prokurorë që jo vetëm e kanë lidhur jetën e tyre njerëzore, në kontekstin profesional, me atë detyrë, janë përkushtuar atij profesioni, por duke ruajtur në rrethana, herë-herë të vështira, integritetin profesional, integritetin moral, bëjnë drejtësi. Natyrisht, midis tyre, përballë tyre, për fat të keq, por aspak dekurajuese, qëndrojnë shembuj, formate të deformuara të gjyqtarëve dhe prokurorëve të caktuar të cilët, për fat të keq, bëjnë, në tërësi, përcaktimin negativ të këtij sistemi. Ka qenë gjithmonë në besimin tim dhe mbetet se një nga elementet për ta kuruar, për ta shëruar problematikën është pikërisht motivimi, mbështetja në të gjitha dimensionet, në të gjitha format të parashikuara në ligj të pjesës dërmuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve tanë, të cilët kërkojnë të ruajnë imazhin pozitiv, jo vetëm të tyre individual, por në tërësi të sistemit. Kjo nuk është e pamundur. Është një betejë e gjatë dhe jo e lehtë. Por, jam i bindur është një betejë që fitohet dhe në këtë betejë ata që duhet të përballen janë, pikërisht, ata që shërbejnë brenda sistemi: gjyqtarët dhe prokurorët. Një nga elementet kryesore, për të cilët unë besoj fort, me atë të cilën ju mund të kontribuoni, mund të kontribuoni realisht në reformën e sistemit të drejtësisë është ruajtja, konsolidimi dhe përparimi i integritetit të secilit, i integritetit dhe të atyre që shërbejnë në sistemit të drejtësisë. Në radhë të parë, për këtë integritet është secili prej jush përgjegjës, por jo vetëm. Përgjegjës për ruajtjen e integritet tuaj janë dhe institucionet e tjera, pushtetet e tjera, të cilat duhet të shërbejnë dhe kontribuojnë për fshirjen një herë e përgjithmonë të një mentaliteti të së shkuarës që një pushtet i caktuar ka autoritet mbi një pushtet tjetër të caktuar, të parashikuar si i pavarur nga Kushtetuta jonë dhe nga sistemi politik, të cilin e kemi ndërtuar që pas viteve ‘90-të.  Duhet të fshijmë një herë e përgjithmonë nga sjellja, kultura idenë se – pushteti gjyqësor mund të kontrollohet apo komandohet nga Presidenti i Republikës; mund të kontrollohet apo komandohet nga pushteti ekzekutiv; mund të kontrollohet apo komandohet nga pushteti legjislativ, apo nga pushtete të tjera, apo, aq më keq akoma, nga grupe të caktuara interesi. Pushteti gjyqësor është një pushtet më vete, kjo është bazë, thelbësore e sistemit politik që kemi zgjedhur si e gjithë Evropa. Brenda këtij koncepti duhet, me çdo kusht, të punojmë dhe forcojmë çdo ditë e më shumë elementet që përbëjnë integritetin personal të gjyqtarit dhe prokurorit. Kjo nuk do të thotë që të heshtim, të fshihemi përballë asaj, që e quajta rastet e shembujt e deformuar, të cilët i mohojnë drejtësinë qytetarëve, i ulin nivelet dhe standardet shoqërisë, e fusin në ngërç mekanizmin e përparimit social, ekonomik, të gjithanshëm, shoqëror sepse kaq i madh është ndikimi që sistemi që ju jeni pjesë ka mbi shoqërinë. Por, integriteti juaj vihet në provë çdo ditë në raport me qytetarin, në sallën e gjyqit, në ambientin e gjykatës, në komunikimin tuaj profesional, procedural, por edhe gjatë hetimit gjyqësor. Respektimi i të gjithë elementeve të parashikuara në ligj, por që juve ju interesojnë më shumë janë të domosdoshëm dhe do t’u rrisin dhe forcojnë më shumë dhe shërbejnë më shumë integritetit tuaj. Jam i bindur se kjo do të jetë pjesë e eksperiencës, e eksperiencës tuaj të përditshme. Qasjet ndaj reformës në sistemin e drejtësisë unë besoj që janë, tashmë, edhe në eksperiencën që keni, edhe me problematikat që keni patur, edhe në raport me objektivat që ka shoqëria, që ka në tërësi sistemi, janë qartësisht të identifikuara. Është shumë e rëndësishme përcaktimi i mënyrës dhe i rrugës së mbërritjes dhe i arritjes së tyre. Reforma në sistemin e drejtësisë është domosdoshmëri. Duhet, me çdo kusht, të arrijë transparencën e nevojshme. Të realizojë efikasitetin dhe efiçencën e detyrueshme. Të garantojë pavarësinë e patjetërsueshme. Çdo qasje tjetër jashtë këtyre elementeve, jashtë këtyre kolonave jo vetëm që nuk ndihmon sistemin, që do të thotë nuk ndihmon qytetarin, përkundrazi, i minon këto kolona. Flasim dhe diskutojmë për pavarësinë dhe shpesh herë nuk bëjmë kujdes ta dallojmë atë nga paanshmëria si dy elementë të domosdoshëm të punës së gjyqtarit si baza fondamentale mbi të cilat ngrihet si jeta profesionale, por dhe raportet midis institucioneve dhe pushteteve në një shoqëri demokratike. Paanshmëria është tërësisht në dorën tuaj, pavarësia duhet të realizohet në mënyrë të dyanshme: midis jush dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë, por përgjegjësia për ta realizuar këtë pavarësi e të gjithë aktorëve përfshirë dhe atë të tuajën është e njëjtë. Do të desha njëkohësisht të nënvijëzoj dhe një element tjetër që ka të bëjë me etikën. Etikë, e cila, është e nevojshme nga ju që nga momenti i parë dhe gjatë gjithë ushtrimit të detyrës suaj. Etikë në raport me kolegët. Etikë në raport me qytetarët. Etikë në raport me profesionin. Etikë edhe në raport me përmallimin apo mënyrën e përballjes së sfidave dhe problematikave. Jam i bindur se, çdo moment që etika do të marrë vlerën e merituar nga secili prej jush, çdo raport do të jetë ndihmës dhe çdo përballje do të jetë në favorin tuaj. Sot e në vazhdim, ju do t’i drejtoheni gjykatave të vendit, sallave të gjykatave, të cilat kanë nevojë për përmirësim të mëtejshëm në aspektin e infrastrukturës. Kjo është pjesë e reformës që i takon pushtetit ekzekutiv – të përmirësojë maksimalisht infrastrukturën në të cilën ju, kolegët tuaj, pjesa e administratës gjyqësore që është në shërbimin tuaj duhet të gjejë ambientin që meriton. Por dhe këtu ka elementë, në të cilën ju jeni në radhë të parë pjesë, solemniteti i cili mbetet një problem, realisht që duhet ndeshur, që duhet korrigjuar, që duhet vlerësuar shumë herë më tepër. Është detyrë e kryetarëve të gjykatave të kërkojmë maksimalisht respektimin e solemnitetit, por ajo duhet të jetë pjesë e kulturës profesionale dhe element përbërës i integritetit të çdo gjyqtari, në radhë të parë.  Jam i bindur se, ai gjyqtar që respekton maksimalisht solemnitetin jo vetëm që jep formë serioze dhe të duhur aktivitetit të tij, por i jep dhe përmbajtjen dhe ka ndikim thelbësor dhe tek përmbajtja. Përmbajtja, e cila do të rrjedhë më pas nga reagimi i palëve në konflikt, nga mënyra e hapësirës që secili prej jush do të ketë për të adresuar dhe për të zgjidhur konfliktin. Pra, janë një sërë elementesh të tillë cilat duhen vlerësuar maksimalisht në vijimësi, pa ndërprerje, të harmonizuara me monitorimin dhe kontrollin e instrumenteve përkatës të parashikuara në ligj. Unë besoj se, mundësinë më të madhe e ka, pikërisht, secili prej jush. Ky besim që kam ka të bëjë me faktin e asaj që unë vlerësoj si niveli qytetar, profesional, por dhe kontribuues që secili prej jush përfaqëson.