Pensionisti që u grabit 400 milion lekë çdo vit mësuesve

565
Sigal

Degjeneron në sherr takimi i sindikatave të arsimit me ministren Nikolla. Kryesindikalisti Nikollaj: Ju rrëfej skandalin

Konfederata dhe Sindikatat e Arsimit janë përplasur dje me njëra-tjetrën për shkak të kontratës kolektive të nënshkruar në vitin 2010 me Ministrinë e Arsimit. Ministrja Lindita Nikolla është detyruar që të zhvillojë dy takime të ndara, pasi përfaqësuesit e  sindikatave, nuk kanë pranuar të ulen në të njëjtën tavolinë për të diskutuar. Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, ka akuzuar Xhafer Dobrushin  e Sindikatës së Arsimit, se është bërë palë me ish-qeverinë “Berisha” dhe se nuk mbron interesat e punonjësve. “Ne nuk kemi qenë nënshkrues të një kontrate formale kolektive të nënshkruar prej 4 vitesh, e cila mbaron këtë vit. Duke mos qenë nënshkrues të asaj kontrate që është nënshkruar atëherë, detyrimisht pala klientele e ish-qeverisë së kaluar, z. Dobrusha dhe z.Kruja pretenduan që nuk duhet të jetë konfederata në këtë takim, sepse ata kanë sekrete me të gjitha qeveritë”, tha Kol Nikollaj. Ai u shpreh gjithashtu se, ”Konfederata e Sindikatës të Shqipërisë nuk ka qenë dhe as do të jetë bisht e asnjë qeverie apo ministrie, por do të jetë sindikata reale, e cila do të mbrojë me devotshmëri ashtu siç ka mbrojtur edhe sot interesat e gjithë punëtorëve shqiptarë qofshin ato mësues, mjekë, infermierë, minatorë”.  I kontaktuar nga “Telegraf”, Kreu i Konfederatës, Kol Nikollaj tregon paligjshmërinë e kontratës kolektive për mësuesit, të nënshkruar para 3 vjetësh e gjysmë si dhe mënyrën abuzive sesi i merren lekët 36 000 arsimtarëve.  “Arsimtarëve, anëtarë apo jo, u merren në mënyrë arbitrare, direkt nga listë-pagesa, nga drejtoritë arsimore me urdhër të ish- ministrit Myqerem Tafaj. Kjo kuotë u merret 2 herë në vit nga 6000 lekë të vjetra, pra 12 mijë lekë të vjetra në vit”, thotë Nikollaj. Me një llogari të thjeshtë, sindikatat e Arsimit marrin 43 200 000 lekë në vit nga mësuesit, që sipas z.Nikollaj, nuk dihet se ku përfundojnë.

 Z. Nikollaj, sa sindikata ka për arsimin dhe a është e ligjshme kontrata aktuale kolektive e arsimtarëve?

 Në Shqipëri janë tre sindikata të ligjshme për arsimin, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe Federata e Sindikatave të Punonjësve të Arsimit, Edukimit dhe Shkencës së Shqipërisë, kryesuar nga Xhafer Dobrushi, e cila ka dalë si e pavarur që prej 6 vitesh. Në vitin 2010 është nënshkruar kontrata e re kolektive e punës në arsim nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë (FSASH), Xhaferr  Dobrusha dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH), Bajram Kruja, e cila ka afat deri më 31 dhjetor të vitit 2014. Kjo kontratë është antiligjore, sepse përjashton në mënyrë të padrejtë të gjitha sindikatat e tjera. Gjithashtu kjo kontratë është e paligjshme pasi bie ndesh me pikën 1 dhe 2 të Nenit 164 – “Procedura e njohjes së organizatës ose organizatave më të përfaqësuara të punëmarrësve”: “l. Nëse përfaqësueshmëria e organizatës ose organizatave të punëmarrësve, që kanë kërkuar fillimin e bisedimeve kundërshtohet, çdo organizatë e punëmarrësve e interesuar duhet t’i dorëzojë punëdhënësit ose organizatës së punëdhënësve, me shpenzimet e veta, provën e përfaqësueshmërisë. Kjo provë paraqitet në formën e një vërtetimi noterial, ku noteri vërteton numrin e anëtarëve të organizatës së punëmarrësve, në bazë të kuotizacioneve të paguara gjatë dy vjetëve të fundit ose deklarimeve, me shkrim ose me gojë, të punëmarrësve anëtarë.

2. Organizata që provon se ka numrin më të madh të anëtarëve punëmarrës në ndërmarrje ose degë, vlerësohet si organizata më e përfaqësuar. Nëse disa organizata punëmarrësish paraqiten së bashku, vlerësohet më i përfaqësuar grupi i organizatave që ka numrin më të madh të anëtarëve”. Pra, nuk është vërtetuar përfaqësueshmëria e organizatës. Kontrata e tyre nuk ka vlerë administrative. Gjithashtu, kjo kontratë duhet të zgjidhej që në fillimet e saj për shkak të mosrespektimit të pikave 2, 3 dhe 5 të Nenit 163 “Kërkesa për bisedime për lidhjen e kontratës kolektive” thuhet se: “2. Kërkesa për fillimin e bisedimeve për lidhjen e kontratës kolektive bëhet me shkrim. Ajo shoqërohet me kopjen e statutit të organizatës ose organizatave të punëmarrësve kërkuese, si dhe me treguesit e nevojshëm mbi përfaqësueshmërinë e këtyre të fundit në ndërmarrje, ndërmarrjet apo degën e caktuar. 3. Punëdhënësi, të cilit i është kërkuar fillimi i bisedimeve, duhet ta bëjë kërkesën publike, duke e afishuar në mënyrë të dukshme gjatë dy javëve në ndërmarrje. Nëse kërkesa është bërë në nivel dege, ajo duhet të afishohet në të gjitha ndërmarrjet ose degët. Organizata ose organizatat e punëmarrësve, që kërkojnë fillimin e bisedimeve, duhet të kujdesen që afishimi të kryhet në mënyrë të rregullt. 5. Nëse lidhja e kontratës kolektive nuk është paraprirë nga një afishim i rregullt i kërkesës, punëdhënësit ose organizata e punëdhënësve nuk mund të kundërshtojnë fillimin e një procedure të re të njohjes së përfaqësueshmërisë së organizatës ose organizatave të punëmarrësve, me qëllim hapjen e bisedimeve për lidhjen e një kontrate tjetër kolektive. Kontrata e parë kolektive, e lidhur pa respektuar detyrimin e afishimit, është e pavlefshme që nga çasti i hyrjes në fuqi të kontratës së dytë, që është lidhur duke respektuar procedurat e parashikuara në këtë kod”.

Ju thatë që nuk është respektuar ligji për nënshkrimin e kontratës kolektive të arsimtarëve dhe një nga këto shkelje është dhe përfaqësueshmëria. Po Konfederata a mund t’i përfaqësojë arsimtarët?

 Po, pasi mbi 70 % e arsimtarëve janë anëtarë të Konfederatës. Këtë e vërtetojmë dhe me kartat e tyre të identitetit. Në fakt, ne si Konfederatë i kemi kërkuar ministres së Arsimit të verifikojë 2 sindikatat dhe anëtarësitë e tyre.

 Sa është kuota që paguajnë arsimtarët te Federata e Sindikatave të Arsimtarëve dhe si u mbahet atyre kjo kuotë?

 Je apo s’je anëtar i Federatës së Sindikatave të Arsimtarëve, të ndalohen kuotat padrejtësisht. Kjo kuotë u merret atyre në mënyrë arbitrare nga drejtoritë arsimore, me urdhër të ish -ministrit Myqerem Tafaj. Kjo kuotë vilet dy herë në vit nga 6 000 lekë të vjetra dhe për më tepër nuk u duhet destinacioni, sepse si rregull; 30 % e shumës duhet të shkojë në bazë, 20 % në Konfederatë dhe 50 % në Federatë. Kjo kuotë ndalet nga listë-pagesa në mënyrë të padrejtë, sepse ato merren vetëm me deklaratë me shkrim të punonjësit. Mësuesit janë revoltuar dhe kanë ardhur të flasin me ne. Kemi marrë ankesa pa fund.

 Kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimtarëve është në moshën e pensionit. A lejohet që ai të drejtojë një sindikatë?

 Ai është 78 vjeç, pra pensionist. Sipas nesh, sindikatë do të thotë punëmarrës dhe në kuadër edhe të unifikimit me sindikatat në BE, ai mund të jetë anëtar, por jo drejtues i atyre që punojnë.

 Ju jeni shprehur se ka pasur shumë ankesa edhe për mënyrën se si po bëhen emërimet e mësuesve, duke e konsideruar konkursin vetëm një propagandë?

 Ka një lum ankesash përsa i përket problemit të emërimit të mësuesve dhe veçanërisht përsa i përket problemit të klasifikimit të tyre sipas vjetërsisë së profesionit. Sipas ankesave, nuk duhet që mësuesi t’i nënshtrohet një konkursi përsa i përket problemit. Në qoftë se është një vend vakant, drejtori i Drejtorisë Rajonale apo kushdo qoftë pa konkurs sepse mësuesi ka marrë licencën për mësues. Nuk ka çfarë konkursi të bëjë tjetër. Kjo është për të nxjerrë qimen nga qulli, sepse të bësh konkurse për një mësues i cili ka 20 apo 30 vjet punë, ka marrë licencën e arsimtarit, ka dhe shkollën është thjesht propagandë. Ky ligj që po implementohet këtu tek ne është për vendet skandinave, jo për realitetin tonë. Edhe drejtuesit e shkollave të zgjidhen me formulë tjetër dhe jo nga bordet që përbëhen nga kryeplaku, nga një anëtar i PD-së dhe një anëtar i PS-së, apo bordi i prindërve. E si mund të jenë në gjendje bordet e pakualifikuar, të gjykojnë një mësues me 20 vite punë e 16 vite shkollë

Statistika

 36 000   mësues në shkallë vendi

12 000          lekë në vit, kuota e anëtarësisë

43 200 000   lekë vilen gjithsej nga sindikata

MAS: Nikolla takim me përfaqësues të sindikatave

 Me kërkesë të Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, priti dje në një takim në ambientet e MAS përfaqësuesit e këtyre sindikatave. Në kuadër të dialogut social me sindikatat dhe nevojës për dëgjimin dhe bashkëpunimin me grupet e interesit, znj. Nikolla shprehu angazhimin e saj personal dhe të institucionit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për thellimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me këto sindikata partnere, në funksion të zbatimit të politikave arsimore të Qeverisë. Zbatimi i reformës arsimore dhe veçanërisht arritja e objektivit për përmirësimin e cilësisë së arsimit në vendin tonë zuri një pjesë të konsiderueshme të takimit të ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Nikolla me përfaqësuesit e sindikatave FSASH/SPASH. Ministrja Nikolla, theksoi gjithashtu se, marrëdhëniet ekzistuese midis MAS-it dhe sindikatave do të vazhdojnë të konsolidohen edhe në nivelin e dytë ndërmjet DAR/ZA-ve, si dhe seksioneve sindikale të sindikatave partnere, bazuar në dispozitat ligjore. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e sindikatave vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën angazhimin e tyre për trajtimin e problemeve madhore me të cilat përballet sistemi arsimor. Ftesa për bashkëpunim midis MAS-it dhe sindikatave, u prit me entuziazëm nga përfaqësuesit e sindikatave, të cilët mbështetën programin politik të Qeverisë “Rama”, si dhe reformat që ky program synon të zbatoj në këtë fushë. Arsimi cilësor, trajtimi i figurës së mësuesit, roli dhe personaliteti i tij, bashkëpunimi me prindërit dhe komunitetin dhe vënia e shkollës në funksion jo vetëm të arsimimit, por dhe të përçimit të edukatës qytetare dhe vlerave demokratike në mbarë vendin ishin ato tema për, të cilat u vu theksi i të dyja palëve për një bashkëpunim dhe kontribut gjithëpërfshirës.