Ndërron jetë shkrimtarja dhe përkthyesja e njohur Meri Lalaj

142
Sigal

Është ndarë nga jeta shkrimtarja dhe përkthyesja e njohur Meri Lalaj. Lalaj u nda nga jeta pas problemeve të shkaktuara nga koronavirusi. Si duket virusi i kishte shkaktuar shkrimtares dëme të mëdha në ezofag, të cilat mund të gjejnë kurim vetëm jashtë shtetit.

Mikesha e saj, shkrimtarja autorja Miranda Haxhia bëri disa ditë më parë dhe një apel për ndihmë dhe sensibilizim përmes një letre:

“E dashur Meri Lalaj, kjo letër duhet të ishte për cilindo që ka në dore një mundësi; për një kryetare Parlamenti, për një ministre Shëndetësie, apo Kulture, për një kryetar shteti…. Për një biznesmen… por pak gjasa ka të lexohej nga dikush prej tyre, aq me pak gjasa ka të çajnë zemrën e shpirtin e të të gjenden. Kur erdha në spital, të gjeta me tuba e serume. U zbeha e u trondita, por ti me dhe kuraje, me fole me entuziazëm… për librin e ri qe prisje të dilte nga shtypi. ‘Shiko, Miranda, a të pëlqen si ka dalë ballina?’ Dhe unë me vete:’ Meriii, mendjen të librat ti?! Shiko shëndetin!’ Të pata zili, për Zotin!

Ti je shumë e sëmurë, kemi komunikuar bashkë, edhe unë e hallakatur për mamane time qe ka zënë shtratin. Aty aty jeni me një moshe, por një ditë jete më tepër është një thesar për ty, për mamanë time. Mgjt, mua mendja me rri të ty. Sepse mamaja ime është e imja, ka njerëz rreth e rrotull, e pavarësisht jetës së saj, e që për mua është Perëndi, mendoj se për ty, Meri Lalaj, duhet të lëvizë dikush e të bëjë ç’ka ka në dore.

Ti je personazh në librin tim ‘Vaji i gurit’, për vuajtjet dhe mundimet e një ëndrre të shkatërruar; ti je e njohur në të gjitha familjet e personazheve të librit ‘Instituti femëror Nëna Mbretëreshë’. Sepse i ke intervistuar, je ulur e ke biseduar me dëshmitarë të gjallë e ke mbledhur dëshmi për jo të gjallët. Ia ke dalë vetëm deri këtu. Gjysma jote, vajza, është larg. Këto janë fatet.

Nëse mamaja ime ikën një ditë, do me digjet xhani, por flamurët do t’i ul unë në zemrën time gjysmë shtize; por ti nuk dua të ikësh. Dhe as flamurët nuk i mendoj dot. Sepse je një mikeshe, je një zonje, je një thesar kujtimesh, kulture. Je një grua zonje që ashtu me mundim e rropatje ia ke dalë mbanë të kesh emrin tënd mbi ballina librash të mirë. Dhe ke merituar vendin në bibliografitë e së ardhmes.

Sa shumë njerëz mund të ndihmonin të zgjidhej ky halli i shëndetit tënd- një problem teknik që ndoshta bota e përparuar nuk e mendon të pazgjidhshëm, e aq me pak të hezitojnë se je 80 vjeç e boll jetove; ndoshta të ndihmojnë gazetarët, të cilëve u ke mbushur kronikat me lajmet e intervistat; ndoshta të ndihmojnë ata dhjetëra miq e mikesha qe kane bujtur në shtëpizën tende të vogël, por sa të madhe; ndoshta të ndihmojnë edhe të tjerë, qe nuk të njohin e do të duan të jesh edhe ca vite që të kenë një mundësi me shume. Të bisedojnë me ty, të lexojnë prej teje.

Ka edhe milionere që kane zemër të madhe, besomë. Çfarë i kushton një vendi një organizim e operacion në një vend të fuqishëm? Çfarë i kushton ministrisë se Shëndetësisë një firme mbi një mundësi jete për ty? Ministria e Kulturës mund të ndihmojë, sikur do të te botonte një libër. Sepse kam një parandiejnë qe po ta dine si vërtitesh në fillin e holle mes jetës e vdekjes, do duan të jenë një çast ‘Zeus’.

E që për ty ka shume vlerë, mikja ime. Pasi flas me ty, më mbysin lotët. Kthehem e përqafoj mamanë time që ka zgjedhur të sëmurët njëlloj në kohe me ty. Por unë nuk kam asgjë në dore. Mund të shkruaj e të krijoj avion e salle operacioni e shifra faturash, sa të dua, por zeja ime është shkrimtarja, aty ku edhe ëndrrat janë të bukura. Veç kolla jote, oksigjeni yt, frymëmarrja jote, nuk janë as ëndërr, as shkrimtari. Janë ankth e pafuqi. Dhe sot në telefon nuk e kishe atë optimizmin e asaj dite në spital. Flisje nga një shtrat azili. Jam pa fjalë. Një grua si ti nuk duhet të ike në këtë mënyrë, në një cep azili, si të jesh në një stacion pa tabele, ku nuk mbërrin kurrë asnjë autobus. Ah, sikur të me lexonte ndonjë i shkarë e i pasur! Po unë edhe miqtë, o Meri e dashur, i kam si vetja. As të shkarë e as të pasur.”