Bledi Dervishaj: Ky proces zgjedhor është me rëndësi jetike, për rivendosjen e rendit kushtetues ndaj shko në votime jepi jetë vullnetit tënd të lirë

363
Nga Bledi Dervishaj
Ky proces zgjedhor është me rëndësi jetike, për rivendosjen e rendit kushtetues, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Paqësisht, në mënyrë demokratike, të gjithë duhet të marrim pjesë në këto votime, për të vendosur bashkarisht se cila është rruga më e mirë për shqipërinë, për të gjithë ne, për fëmijët tanë dhe të ardhmen tonë të përbashkët!
Fuqia e secili prej nesh është tek liria e shprehjes, liria e mendimit, liria e zgjedhjes.
E ku ka më të fuqishme se sa vota. Ai çast në dhomën e fshehtë me fletën e votimit përpara është momenti kur vendos ti dhe askush tjetër.
Përmes votës ti zgjedh, ti ndëshkon, ti vendos për atë që do, apo për atë që beson se është më i miri.
Ndaj pjesëmarrja në votime, nuk është vetëm një e drejtë, por dhe një detyrim ndaj gjithë shoqërisë.
Nëse nuk voton, ti heq dorë nga e drejta jote, tërhiqesh nga mundësia për t’iu bashkuar zërit të shumicës, duke fuqizuar dikë tjetër në mënyrë të pamerituar.
A mund të sigurosh ti një të ardhme më të mirë duke mos marrë pjesë në votime? JO, kjo është e gabuar.
Nëse nuk shkon në votime, dikujt tjetër i shkon fuqia e votës tënde.
Më keq akoma, është ta shesësh votën. Ky është veprimi më i ulët që mund t’i bësh vetes, familjes dhe të gjithëve ne.
A ja vlen që për pak të holla që i shpenzon për 2 a 3 ditë, ja dhe për një javë, të shesësh të ardhmen dhe mundësitë që mund të të ofroheshin në 4 vitet që vijnë.
Nëse i bën këto, ti vetofrohesh për tu bërë skllav i dikujt, që pasi të ka blerë sot, do të shesi edhe më lirë nesër.
Ndaj zgjohu, mos neglizho, mos e shit votën, mos lejo askënd të trajtojë si plackë, por shko në votime, zgjidh, vendos, jepi jetë vullnetit tënd të lirë.
Voto i lirë të dielën në 25 prill 🇦🇱
Sigal