Ditmir BUSHATI*: “Duam një Shqipëri me vlera europiane dhe jo demokraci në letër”

656
Sigal

*Kryetar i Komisionit Parlamentar të Integrimit

Ne socialistët duam të ndërtojmë Shqipërinë Europiane, përmes institucioneve demokratike, ekonomisë së tregut funksionale, shoqërisë së dijes, bashkëjetesës demokratike, ku pakicat konsiderohen ura lidhëse e bashkëpunimi ndërmjet kombeve, mirëqenies ekonomike dhe shërbimeve publike, në çdo zonë të atdheut tonë të përbashkët. Shqipëria Europiane për ne s’është slogan, po projekt politik dhe qeverisës i një rëndësie të posaçme gjeostrategjike. Ndaj, refuzojmë një Shqipëri në letër me arnime ligjesh, që nuk vlejnë as sa letra mbi të cilën shkruhen. Ne refuzojmë retorikën e helmatisur nacionaliste, që tenton të mbulojë dështimet e brendshme dhe shfaqet si kërcënim për stabilitetin demokratik në rajon. Pasi besojmë në rëndësinë themelore që ka procesi i reformave transformuese në përmirësimin e cilësisë së shtetit të së drejtës dhe mirëqenies së qytetarëve. Ne, progresistët, jemi të vendosur të përmbysim “mentalitetin e privilegjeve” e “kulturën e pandëshkueshmërisë” dhe të formësojmë ndjenjën e të konsideruarit të detyrës publike, si përgjegjësi. Qeveria në ikje nuk ka demonstruar vullnet politik, bashkërendim, apo pronësi në këtë proces. Aq më pak, ka demonstruar aftësi për kompromis politik e reforma që përmirësojnë standardin e jetesës, duke u përqendruar plotësisht në lojën e baltës dhe bishtnimin e përgjegjësive.  Qeverisja jonë do të përvijojë një raport të ri me opozitën e pas 23 Qershorit, duke stimuluar kulturën e kompromisit politik dhe prodhuar reforma të prekshme e të qëndrueshme. Marrja e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, vitin pasardhës, është një objektiv plotësisht i arritshëm. Për ne, çështja e statusit kandidat dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim paraqet një rëndësi të trefishtë, si: Çështje e vlerësimit politik, pasi lidhet me kredon politike dhe imazhin e vendit, duke ravijëzuar një perspektive më konkrete për aderimin në BE; Çështje e vlerave dhe përkatësisë sonë Europiane, pasi lidhet me modelin e jetës publike që duam të ndërtojmë, e në të njëjtën kohë si sinjal inkurajues për shqiptarët që jetojnë në trojet etnike, se reformat shpërblehen; Çështje e agjendës zhvillimore të vendit, e cila do ta zhvendoste “menynë” e BE-së me Shqipërinë në fushat që kanë ndikim të dukshëm në transformimin dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit, mbështetur në ciklin buxhetor të BE-së 2014-2020. Ne jemi të vendosur për t’i dhënë fund praktikës së dështuar të bashkërendimit të këtij procesi në mënyrë të atrofizuar, periferike e dritëshkurtër, sipas nevojave politike të ditës. Ne kemi të gjithë vullnetin e nevojshëm për ta kombinuar këtë përfshirje politike në proces me fuqizimin e kapaciteteve administrative dhe reformimin tërësor të shërbimit diplomatik, në përputhje me këtë prioritet kombëtar. Njëkohësisht, do të krijojmë fondin e posaçëm për administratorët e rinj Europian, pasi jemi të vendosur të ndërtojmë një shërbim publik Europian, duke u ndarë një herë e mirë nga sëmundjet e partisë-shtet, nepotizmit e konfliktit të interesit. Shqipëria Europiane është projekti ynë i dinjitetit, në marrëdhëniet ndërkombëtare, i konsolidimit dhe qëndrueshmërisë së partneritetit strategjik me SHBA-të, kontributit për fqinjësi të mirë, e stabilitet demokratik në rajon. Shqipëria Europiane është projekti i vetëm i thellimit të kursit të politikës konstruktive në rajon. Është projekti i ndërtimit të partneritetit shumëplanësh me shtetin e ri të Kosovës, i nevojshëm në rrafshin diplomatik, i detyrueshëm në rrafshin kombëtar dhe i domosdoshëm në rrafshin strategjik. Projekti ynë i Shqipërisë Europiane nënkupton cilësinë e komunikimit të lirë të shqiptarëve në Ballkan, duke respektuar tërësinë territoriale të shteteve ku jetojnë shqiptarët autoktonë dhe funksionalitetin e plotë të shteteve. Projekti ynë i Shqipërisë Europiane vlerëson të domosdoshëm realizimin e një strategjie të re për një bashkëpunim sa më të frytshëm rajonal, që do të mundësonte përfitime nga projektet e përbashkëta në fushën e transportit, energjisë dhe infrastrukturës të mbështetur nga BE. Bashkëpunimi rajonal i pa mbështetur nga projekte strategjike për rimëkëmbjen ekonomike dhe lidhjen e rajonit tonë me Europën, është joefektiv. Ndaj, projekti ynë i Shqipërisë Europiane e konsideron ekonominë si forcën shtytëse të intensifikimit të kontakteve njerëzore dhe bashkëpunimit rajonal, duke u përqendruar në përcaktimin e sektorëve ekonomik me avantazh të krahasuar të tilla si bujqësia, industria e drurit, tekstileve apo metaleve, që mund të përfitojnë nga iniciativat e BE-së. Projekti ynë i Shqipërisë Europiane nuk mund të realizohet pa mbështetjen dhe angazhimin e shqiptarëve, që jetojnë apo studiojnë jashtë shtetit, duke përfshirë të drejtën për të votuar në distancë. Ne do të lehtësojmë dhe nxisim veprimtarinë e tyre kudo në botë përmes krijimit të qendrave të promovimit të kulturës shqiptare dhe shërbimeve të posaçme konsullore. Ne do t’i japim jetë, gjithashtu, politikave që synojnë kthimin në Shqipëri të talenteve, për të përdorur kapitalin njerëzor e financiar në funksion të zhvillimit të atdheut tonë të përbashkët.