“Beteja kundër Ruçit – Fundi i anti-komunizmit”

704
Nga Frank SHKRELI*
Ky ishte titulli i një programi televiziv (Emisioni Dritare) ditët e fundit në Shqipëri, duke iu referuar emërimit të Z. Gramoz Ruçi si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Nuk e di, nëse drejtuesja e programit kishte në mend, që me të ftuarit në studio, dëshironte të pasqyronte qëndrimet e tyre, pro dhe kundër emërimit të Z. Ruçi në karrigen e Kryetarit të Kuvendit, apo të nënvizonte shpresën e saj (wishful thinking) se me emërimin e tij në detyrën numër dy të shtetit shqiptar, më në fund, do u mbyllet goja njëherë e mirë, anti-komunistëve brenda vendit, megjithëse është vështirë të përcaktohet, se kush janë sot “anti-komunistët” në Shqipëri ose, nëse në të vërtetë ekziston një shtresë e tillë — me përjashtim të disa ish-të përndjekurve të regjimit komunist — që kanë mbetur ende gjallë. Këto 27 vitet e fundit të jetës politike në vend, kanë dëshmuar se, as në radhët e pozitës dhe as në radhët e opozitës, nga njëra qeveri në tjetrën, nuk ka pasur “anti-komunistë”. Kështu që reagimet ndaj emërimit të Z. Ruçi në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë nuk përbëjnë një “betejë” dhe as nuk po ndërmerret një “betejë” e tillë nga “anti-komunistët” në radhët e kësaj politike, pasi të tillë nuk ekzistojnë, në asnjërin krah. Prandaj të nderuar panelistë të programeve televizive, merrni frymë lehtë dhe mos u shqetësoni, as për fillimin dhe as për mbarimin e antikomunizmit, sepse antikomunizëm dhe “antikomunistë” nuk ka në radhët e klasës politike shqiptare të periudhës post-komuniste. Mendoj gjithashtu se, as opozita e sotme nuk e ka seriozisht kur kritikon emërimin e Z. Gramoz Ruçi në detyrën e lartë shtetërore. Në fund të fundit, opozita e sotme, që ishte pozita e djeshme, e ka pasur Z. Ruçi aty për 27-vitet e fundit. Për më tepër, është hipokrizi dhe nuk i takon opozitës të ankohet për këtë emërim, pasi edhe në radhët e saj, në të kaluarën, por edhe sot, ka pasur dhe ka protagonistë të ish-regjimit komunist, në një nivel ose një tjetër, përgjegjësie. Për më tepër, çfarë bëri opozita e sotme kur ishte në pushtet për të zbardhur krimet e komunizmit dhe çfarë masash mori, që shoqëria shqiptare të përballej me këtë histori të errët, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Lindjes?
Për mua Gramoz Ruçi nuk është problemi kryesor. Pa marrë parasysh të kaluarën e tij politike, nuk mund të thuhet, se emërimi i tij sot si Kryetar Kuvendi nuk është legjitim, pasi ai është votuar nga zgjedhësit në zonën e tij elektorale dhe u votua me vota të lira të shumicës parlamentare dhe me disa vota të opozitës në Kuvendin shqiptar. Por, emërimi i Z. Ruçi në atë detyrë mund të konsiderohet nga disa, si një vendim që nuk është menduar mirë nga udhëheqja socialiste dhe Kryeministri Rama, sepse në çdo shoqëri tjetër, një emërim i tillë do të reflektonte një mungesë ndjeshmërie ndaj krimeve, ndaj viktimave të komunizmit — të gjallë e të vdekur. Prandaj, problemi kryesor, në mendimin tim — nuk është emërimi i Z. Ruçi në vetvete si një person që ka shërbyer në ish-sistemin monist – por është sistemi post-komunist i 27-viteve të fundit, pjellë e dy partive kryesore politike të vendit, që, ndonëse me shembjen e komunizmit, shqiptarët e donin Shqipërinë si e gjithë Evropa – por ndryshe nga mbarë Evropa ish-komuniste – klasa politike shqiptare e çerek shekullit të kaluar, nuk dënoi kurrë krimet e regjimit komunist dhe as nuk u përball me të kaluarën komuniste, madje as nuk kanë caktuar minimalisht një ditë në kujtim të viktimave të komunizmit, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të bllokut sovjetik. Caktimi i një dite për të përkujtuar viktimat e komunizmit në Shqipëri nuk ka nevojë, as për fonde, as për debate, por në përputhje me vendet e tjera ish-komuniste, kërkon vetëm kurajë dhe përgjegjësi morale Për më tepër, nuk mbahet mend asnjë debat serioz në Kuvendin e Shqipërisë, asnjë projekt-ligj ose rezolutë që të jetë paraqitur e miratuar, nga cilado palë ose parti politike, në raport me diktaturën e egër komuniste dhe mbi pasojat e saj, që gjithnjë ndjekin fatin e kombit shqiptar sot. Njihen mirë nga të gjithë dokumentacioni, rezolutat dhe ligjet evropiane mbi nevojën e domosdoshme për t’u përballuar me krimet e komunizmit dhe për marrjen e masave për të çrrënjosur një herë e mirë trashëgiminë e regjimit komunist në kontinentin evropian. Deri, më tani, Shqipëria nuk e ka bërë këtë, prandaj të nderuar panelistë, mos humbni kohë duke debatuar simptomat e sëmundjes së vërtetë të jetës politike dhe parlamentare të Shqipërisë, por merruni me trashëgiminë politike të ish-regjimit komunist dhe me nevojën e madhe për t’u përballur me krimet e ati sistemi! Një debat i tillë nuk kërkon dhe nuk duhet të ketë hakmarrje, pasi kundër hakmarrjes janë shprehur shpesh edhe ata që kanë vuajtur më së shumti nga komunizmi, ish-të përndjekurit politikë, por kërkon kurajë civile dhe morale nga kjo klasë politike — si pozitë ashtu edhe opozitë — për t’u ballafaquar me krimet dhe me të vërtetën historike të së kaluarës. Fatkeqësisht, deri më tani një gjë e tillë nuk ka qenë prioritet për asnjërën palë. Prandaj, sado që të dëshirojnë disa analistë e komentatorë “fundin e anti-komunizmit” në Shqipëri, fundi i anti-komunizmit të vërtetë nuk do të realizohet, as me një debat në televizion, as me emërimin e një protagonisti të lartë, të ditëve të fundit të pushtetit komunist, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë. Por anti-komunizmi do të marrë fund në Shqipëri, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet ish-komuniste të Lindjes, kur klasa politike shqiptare të lërë mënjanë arrogancën politike dhe hipokrizinë e të vendosë në dakordësi me pjesën tjetër të Evropës, ashtu siç është shprehur Komisionerja për Drejtësi e Bashkimit Evropian, Viviane Reding: “Çdo viktimë e cilitdo regjim totalitar qoftë, ka të njëjtin dinjitet njerëzor dhe si e tillë meriton prej nesh drejtësi, kujtesë dhe njohje të vuajtjeve të tyre”.
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë
Sigal