Bardhyl Berberi: Populli ju voton, por dhe ju rrëzon …

776
I keni mprehur shpatat kundër njëri-tjetrit për të fituar fronin kryeministror. Disa po thonë se do të ketë befasi dhe surpriza . Cilido prej jush që të fitojë, ne do t’ju “besojmë ” si qytetar , ashtu siç ma merr mendja se do t’ju “besojnë” edhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare po na jepni programet tuaja që t’ju votojmë . Ne po ndjekim në këtë fushatë se. Secili prej jush insistoni në fushatë që populli t’ju besojë. Populli është i zhgënjyer, i varfër dhe i rrënuar, prandaj ai s’do të mund t’ju besojë juve që nesër do të quheni qeveritarë apo kryeministra , sepse paraardhësit tuaj e kanë sjellë vendin në këtë gjendje. Ju mund ta fitoni besimin e popullit vetëm pas zgjedhjeve, kur si Kryeministër i zgjedhur do të punoni për t’ia kthyer shpresat, për t’i siguruar punë dhe pagë dinjitoze, si dhe për ta rimëkëmbur moralisht dhe fizikisht një shoqëri që ka 26 vjet që lëngon nga zhgënjimi i pseudo demokratëve. Rimëkëmbja morale dhe ekonomike bëhet duke na dhënë arsye të mjaftueshme për të mos e urryer vendin tonë, për shkak të disa kolegëve tuaj që tani do të duhej të dërgoheshin për pushime në burgje si shpërblim i drejtë për të gjitha “të mirat” që ia kanë bërë këtij vendi dhe këtij populli. Kurse, rimëkëmbja fizike bëhet duke e shëruar ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe kulturën. Shqipëria është një shtet që i mungon krenaria kombëtare. Për se mund të jenë krenarë shqiptarët për kanabizimin e vendit , apo për numrin e madh të të rinjve dhe intelektualëve që largohen dhe duan të largohen nga Shqipëria apo për ata pseudo kuadro me diploma false që venë në rresht intelektualët shqiptarë, profesorët, akademikët vetëm se kanë marrë një tesër partie! Deri sot janë poshtëruar njerëzit e mençur dhe të kulturuar. Duke injoruar intelektualët e vërtetë, ju nuk do ta ngrini as shtetin, as partinë tuaj. Kultura është më e madhe dhe më e vjetër se cilado parti, prandaj mos insistoni që elefanti të futet nëpër vrimë të gjilpërës tuaj partiake. Ka ardhur koha që të vijnë ndryshime për të mirë: mbrojeni trashëgiminë, financojeni seriozisht artin dhe mbështetni projekte për përkthimin e letërsisë sonë në gjuhë të huaja. Ndihmojeni teatrin dhe kinematografinë, duke vendosur në krye të institucioneve kulturore menaxherë të mirë, artiste me emër që e dinë se ku pikon çatia e artit. Koha ka treguar që intelektuali i vërtetë ka një ego tepër të fortë që nuk e lë atë të bëhet shërbëtor i shefave që e kanë marrë atë karrige me tesera partie . Kisha shpresë se në listat e deputetëve të partive të ndryshme do të shikoja personalitete pas asaj mynxyre të parlamentit të mëparshëm që kishte në gjirin e tij trafikantë droge dhe vrasës apo persona me rekorde kriminale por çuditërisht shohim se një pjesë prej tyre janë njerëz më se të zakonshëm pa ndonjë CV të spikatur që mund të sjellin mendime me bukë në atë sallë të shenjët të popullit . Ky fakt i ndërlikon gjërat dhe e vret shpresën se këta burra dhe gra që kemi zgjedhur me listat e kryetarëve të partive do t`i bëjnë gjëra më ndryshe në të mirë të popullit . Shqipëria ka nevojë për njerëz të ditur dhe menaxherë të mirë. Mos harroni ju që do të vini në pushtet pas 25 qershorit katër vite ikin shpejt dhe do të ngeleni para popullit si peshku pa ujë ai do t’ju flakë tutje si lëvore prej pjepri: Koha konsumon jetën por jo shpresën, shpresa ngelet e fundit për të bërë diçka ndryshe, 26 vjet eksperimente janë shumë …Populli ju voton ose ju rrëzon.
Sigal