Bardhyl Berberi/ Politikanë, po shkelni vijën e kuqe!

609
Loja që po luhet me miratimin e reformës në drejtësi ka shpërthyer nga një mllef i paparë në të gjitha bisedat me njerëzit e të gjithë moshave. Ata tashmë i njohin hileqarët e vërtetë të kësaj reforme. Ata ditën u buzëqeshin diplomatëve të huaj, ndërsa natën gjejnë njëmijë justifikime për të varrosur reformën në drejtësi. Pse natyrisht që “Ata” që e zvarritin i dinë kusuret e tyre dhe mundohen që me çdo çmim ta shtyjnë në pafundësi këtë reformës… Tani ka ardhur kufiri i fundit, ajo që njihet si vija e kuqe, më 21 korrik. Nëse edhe pas kësaj date reforma nuk do të miratohet atëherë gjithçka do të dali jashtë kontrollit. Faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE, pas këtij bllofi (nëse ndodh) do të ndërrojnë strategji ndaj nesh dhe padyshim ndryshimi i saj do të jetë një kosto jo e vogël për vendin tonë…Treni i Europës do të iki dhe do të na lëri aty në stacion dhe shqiptarët do të ngelen pa i hipur atij. Dyert e Europës do të na mbyllen për hir të këtyre delenxhinjve të politikës. Pse po ndodh kjo? Politikanë të korruptuar, parlamentarë analfabetë e me diploma të blera, pushtetarë gënjeshtarë, parlamentarë me lista të mbyllura që nuk i ka sjellë populli në parlament me një votim të hapur, por që erdhën nga dera e pasme e kryetarit të partisë… Ju jeni modele të reja të parlamentarizmit shqiptar që nuk i njeh politika, por që po funksionon në mënyrë shumë të përsosur në realitetin tonë kaotik.

 Ju jeni modelet e reja të demokracisë së shëmtuar që na kanë lënë në trazicion për 25 vjet duke i zhgënjyer tërësisht shqiptarët. Pikërisht ju, me shpejtësi marramendëse, e ndryshuat kushtetutën, bëtë eksperimente brenda një nate, në marrëveshje midis dy liderëve për interesin e dy partive të mëdha të vendit. Këtë e bëtë për një kohë shumë të shkurtër dhe të gjitha modelet e demokracive që ekzistonin apo eksperimentoheshin në jetën e përditshme në anën më të dyshimtë u eksperimentuan tek ne. Por çfarë polli ajo natë e zezë e ndryshimit të Kushtetutës? Modelin më të keq, deputetë me lista të mbyllura që ti nuk e di për kë voton dhe kryetari i partisë i fut si asin nën mëngë deputetë biznesmenë me të kaluar të dyshimtë, ata që kanë rreth e rrotull, të fortët për të marrë votat me hir e me pahir. Në këtë model pesha specifike nuk varet nga niveli intelektual i secili, por nga simpatia që ka njëshi i partisë të vendosi në listë dhe në renditje ata që ia do puna atij jo ata që e meritojnë. Në këtë model të demokracisë nuk vilet elita parlamentare, por vendosen mediokër që kanë ardhur në parlament për interesa personale dhe për të mbrojtur bizneset e tyre…Çfarë kërkon një njeri në parlament që ka bërë vrasje, që është marrë me prostitucion? Po biznesmenë në parlament, përveç se të ruajë interesat vetjake, çfarë pune kanë, mos vallë ju digjet barku për popullin?! Sepse thuhet dhe sillen fakte në shtyp se ky politikan arrin që t’u shmanget përgjegjësive nga shkeljet e rregullave kushtetuese, juridike dhe fiskale të biznesit të tij. Populli thotë se në të gjitha variantet “dikush nga kjo elite” gjithmonë duhet ta hajë, ndërsa ata që e paguajnë xhirollogarinë e politikanëve janë gjithmonë qytetarët. 

Pse ndodhi kjo? Sepse në politikë u pozicionuan shumë njerëz të papërshtatshëm, shumica e të cilëve ishin të implikuar në lloj-lloj aferash që e donin postin e parlamentarit si çadër për të realizuar synimet e tyre. Kështu politikanët kanë siguruar dominim në gjithçka, përmes kontrollit të rreptë të të gjitha sferave të jetës shoqërore duke përvetësuar gjithçka në shoqëri e shtet. Me lista e mbyllura këta ustallarë na hoqën të drejtën e votës; ti voton për partinë, por se kë sjell në Kuvend nga lista që i di vetëm ai i pari i partisë Nuk votohet direkt për një deputet konkret, nuk votohet direkt nga populli për Presidentin, pasi dihet nga të gjithë se si është zgjedhur. . . Edhe pse shumica e deputetëve ishin nxënës shumë të dobët në procesin arsimor, kjo nuk është e rëndësishme më sepse shkollimin gjithmonë është kohë e kaluar dhe e harruar. Ndërsa këta analfabet e të paditur, me injorancën dhe çmenduritë e tyre të skajshme arritën që ne qytetarëve të na kontrollojnë edhe trurin. Pasuria gjithmonë i ka prishur dhe i prish njerëzit në tru, moral por edhe në shpirt. Prandaj ata gjithmonë nga populli kërkojnë vota për ta pasuruar veten e tyre, ndërsa popullin ‘e qerasin’ me varfëri të skajshme, sepse sa më i varfër të jetë populli aq më i përulur është ai. Ky takëm kriminelësh dhe të inkriminuarish jo se nuk ju dihej biografia nga të parët e tyre, por Njëshi i partisë i ka promovuar për të krijuar një rrjetë kriminale, për t’i marrë frymën vendit në funksion të marrjes dhe të mbajtjes së pushtetit me dhunë me këta “të fortët”. Ka ardhur çasti që ky tabor të tërhiqet për t`i bërë një shërbim minimal vendit, pas atij dëmi që i kanë shkaktuar këto mostra. Çdo njeri mund të ndryshojë bindjet politike, besimin fetar, mund të ndryshojë gruan, madje dhe të dashurat, por të ndryshosh identitetin do të thotë që ke bërë një pisllëk të madh në jetë që me emrin që të kanë vënë prindërit nuk mund ta përballosh dhe e ndërron emrin, madje një takëm disa herë… Një miku im gjerman më tha një fjalë të urtë: Nëse ke qenë një herë kriminel, ngelesh gjithmonë kriminel. Të nderuar delenxhinj deputetë dhe politikanë që jeni të implikuar në vepra penale dhe keni ndërruar emrin, paratë i keni me thasë në të gjitha bankat e botës, shkoni ndërroni dhe fytyrat tuaja me operacion plastik se popullit i dhembin sytë nga fytyrat tuaja çnjerëzore që e latë në varfëri në këto 26 vjet demokraci…!
Sigal