Prof. Enver Bytyçi: Standardet e dyfishta të ish-ambasadorit Donald Lu!

274
Sigal

Nga Enver Bytyçi

Kur Sajmir Tahiri u mor nën hetim, pra para katër vitesh, ambasadori amerikan, Donald Lu, e mori në mbrojtje të hapur atë. Tha se “Hetimi i Sajmir Tahirit nuk mund të bëhet si në kohën e komunizmit”! D.m.th akuzoi opozitën dhe sidomos deputetin e Kuvendit, Sali Berishën, se po bënin akuza si ato të periudhës së komunizmit kundër ish-ministrit të Brendshëm. Sipas Lu-së, vepra penale në demokraci duhet provuar, për të duhen fakte, prova, jo fjalë. Dhe sigurisht që kështu duhet të jetë! Por akuza që u provua dje ndaj ish-ministrit të preferuar të Lu-së, Edit dhe Obamës provoi të kundërtën e avokatisë së ish-ambasadorit amerikan.

Edhe pse Berisha denonconte avionët e drogës dhe këta avionë të mbushur me hashash kapeshin në kanale, nga ku nuk mund të ngriheshin! Edhe pse ministër i kanabizimit dhe i trafikut ishte Sajmir Tahiri! Edhe pse Shqipëria u bë “parajasa” e trafikimit të kanabisit dhe drogërave të tjera! Edhe pse ky ministër shetiste me jaht së bashku me trafikantët e drogës, kushërinj të tij, Habilajt!

Edhe pse ai ua kishte dhuruar makinën, të regjistruar në emrin e vetë ministrit, qëllimisht që të lehtësohej trafiku u Habilajve dhe policia të paralizohej! Edhe pse policia e Vlorës bashkëpunoi me bandën e Habilajve për shkak të kësaj makine! Donald Lu, pavarësisht të gjithave, thoshte së kundër Sajmir Tahirit po bëhej “gjueti shtrigash” si në kohën e komunizmit!

Ndërkaq, me angazhimin e plotë të Donald Lusë dhe të ekipit të tij vendas, emrat e të cilëve tashmë njihen, Departamenti i Shtetit shpalli ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë si person të “implikuar në korrupsion domethënës”, pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa u bazuar në dokumente, në llogari bankare, në denoncime ligjore ose në hetime paraprake. Heqja e mandatit dhe procesi hetimor ndaj Sajmir Tahirit për ambasadorin amerikan ishte “gjueti shtrigash”, edhe pse akuza ndaj tij u provua ditën e djeshme.

Ndërsa korrupsioni hipotetik i Sali Berishës i paprovuar asnjëherë për Departamentin e Shtetit, për ambasadorin Lu, për ambasadoren Kim, për Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe Erion Velinë, e madje edhe për të tjerë që “po lënë lesht për ta denigruar Sali Berishën”, na qenka e drejtë ekskluzive, thjesht se vendimi është i Antony Blinken!

Por shqiptarët janë në gjendje të dallojnë faktin se jo hetimi i veprimtarisë kriminale të Sajmir Tahirit, por akuzat ndaj Sali Berishës i ngjajnë vendimeve dhe ekzekutimeve politike të diktaturës komuniste në Shqipëri e në Europën Lindore! Prandaj shumica e shqiptarëve nuk e beson vendimin e sekretarit të Shtetit për shpalljen e zotit Berisha non grata e sidomos motivacionin e këtij vendimi “për korrupsionin domethënës” të tij!