Fuat Memelli: Lamtumirë Mitropolit Ilia Ketri!

220
Sigal

Gjashtëdhjetë vjet punoi me përkushtim në shërbim të fesë orthodokse. Me fjalën e tij ka mbushur shpirtin e besimtarëve për besimin ndaj Zotit. Fjala e tij ka “ngjitur” tek besimtarët, pasi i ka folur në gjuhën e nënës, në gjuhën e bukur shqipe. Dhe, në kujtesën e popullit, mbetet vetëm ai që populli e ka dashur.

Ndarja nga jeta në Boston e Mitropolit Ilia Ketrit, ishte një lajm i trishtë jo vetëm për familjaret e të afërmit, por edhe për të gjithë ata bësimtarë dhe  jo vetëm, që e kanë njohur  nga afër. Në rrugëtimin e jetës së  tij prej 85 vitesh,  60 vjet i përkasin  shërbimit me përkushtim të rrallë ndaj fesë orthodokse. Por, vitet nuk tregojnë gjithçka. Mbi të gjitha tregojnë gjurmët që njeriu le në jetë. Dhe Ilia Ketri ka lënë gjurmë të pashlyera. Me fjalën e tij ka mbushur shpirtin e besimtarëve me besimin ndaj Zotit. Fjala e tij ka “ngjitur” tek besimtarët, pasi i ka folur në gjuhën e nënës, në gjuhën e bukur shqipe. Dhe, në kujtesën e popullit, mbetet vetëm ai që populli e ka dashur.

DISA NGA “STACIONET” E JETËS SË TIJ

Për të krijuar një ide më të plotë për figurën e tij, duhet t’i hedhim një vështrim “udhëtimit” të Ilia Ketrit në rrugën e jetës 85 vjeçare. Janë të shumtë “stacionet”e rëndësishëm të jetës së tij dhe po t’i përmendim të gjithë, do të duheshin faqe të tëra. Për këtë arsye, po ndalemi vetëm në disa prej tyre. Ilia Ketri lindi në qytetin Sault Sainte Marie të Miçiganit, nga prindër shqiptarë me origjinë nga Sinica e Devollit. Pas mbarimit të shkollës së mesme me rezultate të shkëlqyera, vazhdoi studimet e larta për 6 vjet dhe u diplomua për teologji. Për edukimin e tij kanë patur ndikim të veçantë, prindërit si dhe kisha. Hirësi Ilia ka shërbyer për vite me rradhë në kishën  “Shën Trinia “ në Boston, të “Shën Kollit” në Çikago, në Las Vegas, Detroit, Kanada, etj.Një “stacion” i rëndësishëm i jetës së tij i përket vitit 2002, ku së bashku me klerikë të lartë orthodoksë në Amerikë, u ftua në një takim me presidentin amerikan Xhorxh W. Bush në Shtëpinë e Bardhë, siç dëshmon edhe fotografia. Ilia Ketri ka qënë drejtues dhe pedagog  në Akademinë e Shën Vlashit në Durrës, në vitin 1992. Ka përfaqësuar Kishën Autoqefale të Shqipërisë  në dy dialogje ndërkombëtare teologjike, një me Kishën Katolike të Romës dhe një me Komunitetin Ndërkombëtar Anglikan. Si përfaqësues i kishës shqiptare, ai përfaqësoi Shqipërinë në festimet e Vatikanit  më 29 qershor të vitit 2012.Pjesë e kësaj vizite ishte edhe një takim me Papa Venediktin e XVI. Ilia Ketri gjithashtu ka qënë anëtar i Asamblesë së Peshkopëve Orthodoksë Kanonikë të Amerikës , ku ka  kryesuar edhe Komitetin e Edukimit Teologjik. Ka marë pjesë gjithashtu në Konferencën Kanadeze të Peshkopëve Orthodoksë. Më 1 qershor të vitit 2014, ishte i ftuar në shenjtërimin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit “ në Tiranë. Ngjarje e shënuar në jetën e tij ishte edhe ajo e vitit 2019, kur mori titullin e lartë “Mitropolit” nga Patrikana Ekumenike e Stambollit. Ai ishte kryetar i Kishës Orthodokse Shqiptare të Amerikës  dhe Kanadasë. Në CV-në e tij, ka edhe plot ngjarje të tjera të shënuara.

MODEL I NJERIT TË THJESHTË

Thjeshtësia ka qënë një vlerë e çmuar e këtij shërbëtori të fesë. Kjo thjeshtësi ka spikatur  në jetën e përditëshme  si dhe në shërbimet fetare. Kam marë pjesë në disa mesha që drejtonte ai në kishën “Shën Trinia” në Boston. Nga fundi i meshës, pasi mbaronte si të thuash “anën zyrtare” të saj, shkëputej nga letrat, dilte para besimtarëve dhe i fliste si të thuash “vendëshe”. Kur  mungonte ca kohë pasi ndodhej në qytete të tjerë të Amerikës ose jashtë saj, i fliste për udhëtimin që kishte bërë si dhe njerzit që kishte takuar. I pyeste besimtarët për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve. I fliste për ndonjë problem aktual; u thoshte për të qënë besimtarë të devotshëm, për të dashur e falur më shumë njëri-tjetrin. I fliste për edukimin shpirtëror të tyre dhe të fëmijëve. Kur binte fjala për priftërinjtë shqiptarë që do shërbenin për komunitetin shqiptar në Amerikë, ai thoshte:” Ata duhet të dinë mirë shqip e anglisht e të njohin mirë traditat shqiptare, ndryshe fjala e tyre nuk do të ngjitë te besimtarët”. Por, thjeshtësia e tij dukej edhe në raste të tjera. Në sebepe të ndryshme të besimtarëve e miqve të tij, ai bëhej  “njësh” me ta. Pinte raki, këndonte këngë patriotike e këngë të vjetra korçare. Kur ishte i lirë, ftonte miqtë e tij për kafe, për drekë ose darkë dhe nuk i linte të futinin dorën në xhep.

Ilia Ketri merte pjesë në veprimtaritë me karakter patriotik që zhvillonin shqiptarët në Amerikë,  Kanada, etj. I fliste për Fan Nolin, Faik Konicën e patriotë të tjerë. Një nga vizitat e tij të paharruara ishte ajo që bëri në Federatën Pan Shqiptare “Vatra” në New York në vitin 2020, ku u prit nga kryetari i saj, Elmi Berisha, kryetari i Nderit Agim Rexhaj si dhe përfaqësues të tjerë të saj.Të gjithë ata që e njihnin, e donin  dhe vlerësonin  Mitropolit Ilia Ketrin, ashtu siç i donte dhe respektonte  ai. Fjala e ngrohtë e Hirësi Ilia Ketrit në dasma, fejesa e pagëzime të shqiptarëve të Amerikës, ua shtonte gëzimin , ndërsa në hidhërime fjala e tij ishte melhem për shpirtërat e plagosur. Spikasnin këshillat e tij të urta për emigrantët, për të mbajtur gjallë e për të transmetuar te brezat e rinj dashurinë për Atdheun tonë , Shqipërinë e paharruar.

ZËRI I GJAKUT E THËRRISTE DREJT SHQIPËRISË

Krahas shërbimeve fetare në Amerikë, herë pas here  merte rrugën edhe për Shqipëri. Nuk ishte vetëm detyra që e bënte të shkojë në vendin e të parëve, por ishte edhe zëri  gjakut që e thërriste. Vërtet Ilia Ketri ishte lindur, rritur e shkolluar në Amerkë, por ai nuk i harronte asnjëherë rrënjët nga kishte ardhur. Prindërit dhe njerzit e afërt, i ushqyen dashurinë jo vetëm për fshatin e tyre por për gjithë Shqipërinë. Amerikanët kanë një shprehje:” Po nuk e di nga vjen, nuk e di ku shkon”. Hirësi Ilia, e kishte bërë të vetën këtë shprehje. Gjatë viteve të monizmit, nuk mundi të shkojë në Shqipëri. Me ardhjen e demokracisë, shkoi në Sinicë, Qytezë, Dardhë, Korçë, Tiranë, Berat, Durrës, etj. Ka shpënë edhe gruan, djalin e vajzën për t’u njohur me vendin e të parëve. Në vitin 1992, shkoi për 6 muaj në Akademinë  e Shën Avlashit në rrethin e Durrësit. Aty  mbajtur detyrën e drejtorit njëkohësisht edhe të pedagogut, duke dhënë një kontribut të çmuar në përgatitjen e prifërinjve të rinj. Në vitin 2002, pasi mori titullin e Peshkopit, shkoi në Shqipëri dhe meshën e parë pas marjes së këtij titulli, e mbajti në Sinicë te fshati i prindërve të tij. Te kisha e rindërtuar e Shën Tanasit, i foli i mallëngjyer bashkëfshatarëve. U përlotën ata por u përlot edhe ai . Ka mbajtur edhe mesha të tjera si në katedralen e Korçës, të Tiranës,  Durrësit e Beratit, si dhe në Qytezë kur vdiq mësuesi i shquar, Dhimitër Farmaqi. Ka qënë disa herë në ditën e Shën Kollit në festën e sinicarëve e cila zhvillohet më 20 maj. Kudo ka lënë gjurmë të pashlyera, pasi u fliste shqiptarëve me gjuhën e zemrës. Më kishte thënë se donte  të shkonte përsëri në Shqipëri, por ndarja e papritur nga jeta, nuk e lejoi. Megjithatë, Shqipëria ashtu si edhe Amerika, mbetën përgjithëmonë në zemrën e tij. Lamtumirë Hirësi Ilia Ketri! U prehsh në paqe, ashti siç e kishe zemrën!