Bardhyl Berberi: Një mbijetesë me pushtetarë të korruptuar

610
Kërcënimet dramatike ndaj mbijetesës së individit apo të kombit shqiptar na obligojnë të luftojmë në shërbim të jetës. Duhet të hapim rrugën për të shembur çdo dogmatizëm, çdo provincializëm dhe rivalitet të sëmurë midis nesh. Zyrtarët shqiptarë kanë fjetur në orën e mësimit dhe kanë qenë nxënësit më të dobët të shkollës mezi kalonin klasën me paterica. Momentalisht politika shqiptare udhëhiqet nga një kastë e pleqve të çmendur, të cilët janë duke na çuar në drejtim të greminës. Shqiptarët kanë dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor. Shkaku? – korrupsioni, nepotizmi dhe dhënia e posteve drejtuese njerëzve të paaftë. Këta drejtuesit e sotëm në këto 26 vjet e kanë shkelur shumë herë vijën e kuqe dhe përsëri nuk iu ka hyrë asnjë gjemb në këmbë… Por, nuk do të lejojmë që ende ta poshtërojnë, dhunojnë, shtypin, mashtrojnë, shfrytëzojnë, plaçkitin, grabitin, frikësojnë, masakrojnë popullatën. Ne do t`i flakim aq larg sa që ata kurrë nuk do të vijnë në parlament apo pushtet përsëri. Jo krimit, haraçit, kontrabandës, vrasjeve politike! Kriminaliteti dhe vrasjet e përditshme në vend kërkojnë domosdoshmërish të mblidhen armët. Të çarmatosim trojet shqiptare nga psikopatët, frikacakët, kriminelët, minjtë dhe karkalecat. Këta burrecë, për motive banale, keqpërdorin armën duke dëmtuar vëllezërit/motrat e gjakut. Si qyqar nga natyra, asnjë plumb nuk e shkrepën në okupatorët gjakatarë sllavo-ortodoksë në luftërat për çlirim kombëtar (1988-2001). Atëherë ikën apo u fshehën pas fustaneve, dimive të grave, të cilat tani i keqtrajtojnë. Shqiptarë, gjithë së bashku domosdoshmërish të punojmë për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë (gjithë shqiptarisë) në botë! Nuk mund të ndryshohet Shqipëria pa ndryshuar diçka në mentalitetin tonë. Për të ndryshuar Shqipëria secili prej nesh domosdoshmërish të ndryshohet pak: në qasjen tonë ndaj problemeve, në mentalitetin tonë, në zakonet tona të punës. Kjo sepse Shqipëria është një koleksion i të gjithë problematikave në marrëdhënie me jetën, në marrëdhënie me punën, në marrëdhënie me përgjegjësinë, në marrëdhënie me familjen, në marrëdhënie me veten e tij dhe ambicien e tij. Duhet hequr imuniteti politikanëve, sepse nuk funksionon – Keqpërdoret. Imuniteti parlamentar është një mbrojtje e një anëtari të Parlamentit (Kuvendit) kundër persekutimit të mundshëm politik nga ekzekutivi (policia). Në vendet demokratike të gjithë njerëzit e zgjedhur në pushtet (deputetët) gëzojnë imunitet parlamentar sipas kushtetutave, përafërsisht: Asnjë anëtar i Parlamentit (Kuvendit) pa pëlqimin e parlamentit nuk mundet të ndiqet penalisht ose të burgoset, përveç, nëse ai është kapur në flagrancë. Kur policia dyshon se një deputet ka kryer një krim, i kërkon Parlamentit (Kuvendit) të heqë imunitetin para se ajo të ngrejë një akuzë. Normalisht se Kuvendi përmbush menjëherë kërkesat e tilla, pasi kuptimi (qëllimi) i imunitetit nuk është që deputetët mundet të jenë në gjendje për të thyer ligjin pa pasoja, por vetëm për t`i mbrojtur kundër persekutimit të motivuar politikisht.
Sigal