Av. Idajet Beqiri/Mehmet Shehu, Gjeneral dhe burrë i madh shteti

552
Sigal

Mehmet Shehu ka përbërë, përbën dhe do të përbejë domosdo edhe në të ardhmen një fenomen, të cilit i janë kthyer dhe do t’i kthehen vazhdimisht brezat e sotëm, dhe brezat që do të vinë, shqiptarët doemos, sepse e kanë fenomenin e tyre të ndritur, që na bën nder, por do t’i kthehen edhe më shumë të huajt, europianët kryesisht, sepse Mehmet Shehu ishte dhe mbetet një europian i madh, do t’i kthehet edhe gjithë memoria historike e popujve dhe kombeve të tjera, sepse ai ka qenë Kryeministri më jetëgjatë dhe më i suksesshëm i një vendi që shpesh herë gjatë kësaj kohe ka përbërë lajmë ndërkombëtar.
Nuk ka vend në botë, nuk ka shkencë të mirëfilltë historike, nuk ka enciklopedi serioze, që të mos e njohin, të mos e kenë pasqyruar, apo të mos e kenë vlerësuar këtë figurë madhore të shekullit të 20-të, sepse Mehmet Shehu, me prezencën e tij, si legjendë ushtarake, i pozicionuar në luftën e drejtë botërore, si burrë shteti, me fjalët e tij, me veprat e tij, me mesazhet e tij, të mos ketë qenë dhe të mos jetë ende i pranishëm kudo, ku ka frymuar jeta njerëzore.
Mehmet Shehu nuk ishte një fenomen rastësor. Për të lindur ky njeri i shquar, Mehmet Shehu, kishin shpenzuar shumë historia e kombit tonë, por edhe historia, natyra dhe populli i Krahinës së Mallakastrës, kishin shpenzuar shumë rrënjët gjenetike të familjes së tij tipike mallakastriote, të Shehajve në Çorrush, rrënjë, të cilat shtrihen thellë në historinë e qytetërimit iliro-alban. Mehmet Shehu diti që, me jetën e tij, me punën e tij, me luftën e tij, me veprën e tij, me të qënurit e tij në krye të formacioneve të mëdha ushtarake dhe të institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar, për afro 45 vjet pandërprerje, ta çmojë lart dhe t’ia kthejë këtë shpenzim me mirënjohje e me besë, Mallakastrës së tij, po e po, por mbi të gjitha Shqipërisë, në të gjithë kufijtë historik të saj, duke ua rritur nderin dhe lavdinë, si dhe duke ndikuar fuqishëm në rrënjosjen, në fuqizimin dhe në zhvillimin e lirisë dhe të sovranitetit të vendit, të sigurisë, të arsimimit dhe të mirëqenies së popullit.
Mehmet Shehu ishte produkt i krahinës së Mallakastrës. Kjo Krahinë ka qenë dhe ka mbetur shtrati i ngrohtë, ku kanë lindur në të gjitha kohërat dhe ku lindin edhe sot burra dhe gra të shquara, intelektualë të spikatur në të gjitha fushat, atdhetarë të nderuar e të respektuar, luftëtarë trima e të guximshëm, njerëz të besës, të nderit dhe të lezetit, punëtorë të palodhur dhe duarartë.
Formimin e plotë, i cili i shërbeu gjatë gjithë jetës së tij, si çelës me anën e të cilit hapi shumë dyer të jetës, të dijes, të kulturës, të arsimit, të ekonomisë, të formimit si njeri dhe si drejtues, Mehmet Shehu e mori në Shkollën Teknike Amerikane të Harri Fulcit në vitet 1929-1932. Kjo shkollë ishte si “kapaku” për të gjitha, sepse pas kësaj Mehmet Shehut çfarë i shikonte syri, ja bënte dora, dhe nga ana tjetër, pas saj Ai u bë aq i aftë dhe aq syçelët, sa orientohej qartësisht dhe ecte i sigurt në çdo hap të jetës, vetëm në rrugën e lirisë, të atdhetarisë, të qytetërimit, të ndershmërisë, të përkushtimit për kombin dhe popullin e vet. Mehmet Shehu ishte një demokrat i madh. Ai ishte gjithashtu edhe një antifashist dhe antizogist i madh. Në vitin 1932 Mehmet Shehu filloi studimet në Akademinë Ushtarake të Modenës, në Napoli të Italisë. I lidhur me shumë studentë revolucionarë, duke jetuar në Napoli të Italisë, ai përjetoi ditët e lindjes dhe të zhvillimit të fashizmit, ideologji të cilën e urrente pa masë. Përmes një publicistike të gjerë, por edhe përmes një krijimtarie poetike, të cilën e shpërndante, duke e bërë “pronë” të vetëdijes së të gjithë studentëve shqiptarë e të huaj, në Itali dhe në Shqipëri, Mehmet Shehu, jo vetëm përkrahte çdo lëvizje antizogiste dhe antifashiste, por gjente rrugë e forma për t’i nxitur ato.
Mehmet Shehu ishte një nuhatës shumë i mirë i situatave dhe një largpamës i madh. Ai kuptoi se, Hitleri dhe Musolini nuk mundnin dot të realizonin pushtimin e Francës, Anglisë, Ish-Bashkimit Sovjetik dhe pastaj gjithë botën, pa likuiduar Republikën e Spanjës, e cila udhëhiqej nga një qeveri legjitime e Frontit Popullor. I bindur se pas Spanjës, radhën do e kishte Shqipëria, sikurse ndodhi në fakt, në kushtet e një ilegaliteti të thellë, sepse Ahmet Zogu si profashist që ishte, mobilizoi gjithë strukturat e shtetit për të ndalur daljen e vullnetarëve shqiptarë dhe shkuarjen e tyre në Luftën e Spanjës, Mehmet Shehu, si një prej përfaqësuesve më të denjë të antifashizmit shqiptar, dy ditë pasi kishte marrë pjesë dhe kishte mbajtur një fjalim brilant në ceremoninë madhështore të varrimit të heroit të madh të Luftës së Vlorës të 1920, Kanan Maze, në dhjetor 1937, së bashku me 68 vullnetarë të tjerë, u nisën për në Spanjë dhe u inkuadruan në Batalionin e 4-ët të Brigadës së 12-të “Garibaldi”. Fillimisht Mehmet Shehu u zgjodh Zëvendëskomandant i këtij Batalioni. Më pas, kur e panë që ishte një ushtarak tepër i aftë, mendjemprehtë, trim dhe i guximshëm, kur panë që heroizmat e tij në frontin e luftës, sidomos në Betejën e Ebros, “Kuota 196”, ishin në kufijtë e të paimagjinueshmes, e zgjodhën komandant të Batalionit. Mehmet Shehut në këtë luftë u bë legjendë.

Nuk mund të rrimë pa përmendur faktin se pasi u kthye nga Lufta e Spanjës dhe nga kampi famëkeq i internimit në Francë, në fillim të gushtit 1942, Mehmet Shehu erdhi me një ideal të madh. Në datën 12 gusht 1942 hodhi në letër, në shtëpinë e tij, në Çorrush një Plan Program Politik socialdemokrat prej 19 pikash. Mehmet Shehu, ky shtetformues i madh, ky ndërtues, mbajtës dhe organizues gjenial i institucioneve të shtetit, ishte i pari që dha shembullin se si duheshin formësuar strukturat e shtetit dhe pushtetit, duke ngritur fillimisht Këshillin Nacional Çlirimtar të Çorrushit më 15 tetor 1942. Në 28 nëntor 1942, së bashku me Bilbil Klosin e Dervish Hekalin, formuan Këshillin Nacional Çlirimtar të Hekalit, më 29 nëntor 1942 atë të Cakranit, më 10 janar 1943 Këshillin Nacional Çlirimtar të Qarkut të Mallakastrës etj.. Brenda 4 muajve nga ardhja e Mehmet Shehut në Çorrush në fund të dhjetorit 1942 e gjithë krahina e Mallakastrës, që kishte brenda edhe Krahësin, Kalivaçin e gjithë fshatrat e “Toskërisë” që ka sot Tepelena, në Zonë të lirë, të udhëhequr dhe të mbrojtur me organe pushteti e me forca të armatosura të krijuara nën udhëheqjen e tij.
Mehmet Shehu ishte një vizionar i madh rreth natyrës së pushtetit dhe gjithpërfshirjes në të. Ai ishte realizuesi dhe konkretizuesi i kësaj gjithpërfshirje, si në strukturat formacioneve të luftës antifashiste nacional-çlirimtare, ashtu dhe në përbërjen e pushtetit antifashist që u krijua në Mallakastër. Mjafton të shikosh dhe të studiosh miqtë dhe bashkëpunëtorët e Mehmet Shehut të asaj kohe, Hysni Kapon, Nako Spiru, Sejfulla Malishova, Tul Jakova etj., mjafton të studiosh emrat e të zgjedhurve në organet e pushtetit nacional-çlirimtar që ai ngriti kudo në Mallakastër, mjafton të studiosh me vëmendje fjalët, idetë dhe thirrjet e tij në mbledhjet pluraliste, për të krijuar bindjen e plotë se kush ishte Mehmet Shehu, çfarë përfaqësonte ai, si dhe nga ana tjetër, për të hedhur poshtë me neveri çdo insinuatë dashakeqëse dhe justifikuese të zërave që përfaqësojnë kategorinë e të turpëruarve të kombit tonë, të cilët u hodhën në krahun e fashizmit dhe iu kundërvunë popullit dhe vendit të tyre.
Në përfundim po theksoj dy-tre konkluzione.

E para: Mehmet Shehu, në fund të fundit ishte produkt i kohës, produkt i epokës në të cilën lindi, u rrit, u formua, jetoi, luftoi dhe punoi. Kjo epokë, për hir të së vërtetës ishte “pjellore” sepse lindi burra të shquar shteti në të gjithë botën. Lindi Gjeneral De Golin, Çërçillin, Trumanin, Gjeneral Zhukovin etj., etj.. Për të qenë kaq të famshëm këta burra shteti punoi shumë vendi i tyre, përkatësisht Franca, SHBA, Anglia, ish-Bashkimi Sovjetik etj. Mehmet Shehu nuk e pati këtë fat, domethënë faktorin vend, sepse jo vetëm që ishim një vend i vogël, por Ahmet Zogu e la Shqipërinë si një zhele turpi në mes të Evropës. Ndaj Mehmet Shehu ia rriti lavdinë dhe nderin Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë. E dyta, për 32 vjet pas vdekjes së Mehmet Shehut, në këtë vend, në të gjitha hapësirat shqiptare, por edhe me gjerë, në botë, janë shkruar dhjetëra mijëra faqe shtypi, librash dhe faqe uebsajtesh të panumërta në internet. Nëse Mehmet Shehu do të ishte shtetas i ndonjë vendi tjetër të fuqishëm demokratik të botës, pasardhësit e tij do të ishin supermilionerë vetëm prej honorarëve të shtypit. Dilema më e madhe ka qenë dhe po mbetet nëse Mehmet Shehun e vranë, apo u vetëvra! Nga çdo pikëpamje dhe nga çdo këndvështrim ta shikojmë këtë çështje, nga ana politike, nga ana historike, nga koha kur ndodhi ngjarja, por edhe nga pikëpamja juridiko-kriminalistike, ajo ishte një vrasje.
Mehmet Shehun e vrau sistemi. Sistemi që përjetuam nuk u zgjodh nga Mehmet Shehu. Ai sistem na u imponua pa kushte nga Fuqitë e Mëdha, të cilat e ndanë botën përgjysmë. Për fatin tonë të zi, megjithëse ishim Lindja e Perëndimit të Evropës, padrejtësisht dhe dhunshëm na bënë Perëndimin e Lindjes së Evropës. Ky sistem, i cili e mori plumbin vdekjeprurës qysh në vitet 1960, dhe u varros përfundimisht kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, donte njerëz plastelinë, njerëz që përshtateshin, dhe jo burra të shquar shteti të përgjegjshëm për popullin dhe kombin, si Mehmet Shehu. Detyra e intelektualëve, e politikanëve të mirëfilltë, e historianëve objektivë, e të gjithë njerëzve seriozë të këtij vendi është, që t’i hedhim të pjekura dhe të sigurta hapat për ta ngritur Mehmet Shehun në piedestalin më të lartë, por të merituar të burrave më të shquar të shtetit dhe të kombit tonë.

Pak ditë para se të vdiste Shefqet Peçi, së bashku me telekronistin Timo Koka të televizionit Publik Shiqptar i kam marrë një intervistë dhe e kam pyetur drejpërdrejt se si e vlerësonte ai figurën e Mehmet Shehut. Shefqet Peçi m’u përgjigj: “Mehmet Shehu ishte gjeneral në ekonomi, gjeneral në ushtri, gjeneral në art dhe në kulturë, gjeneral në shkencë, gjeneral në argo-kulturë. Në të gjitha fushat ai kishte vetëm gradën gjeneral!”.