Zamira Çavo: Tërmet në politikën shqiptare

489
Të mendoje, jo më larg se një muaj më parë, se Partia Demokratike do të hynte në një krizë të tillë, askush nuk do ta besonte. Por mjaftoi një turbullim ujërash nga Basha dhe qetësia ia la vendin shpërthimeve. A ka të drejtë Basha në zgjedhjet që beri? Personalisht më vjen mirë që elita e vjetër politike, përgjegjëse e kësaj rrumpalle që shitet për demokraci, po largohet pjesë- pjesë nga skena politike! Ajo që më shqetëson është e thjeshtë: As Basha por as Rama nuk kanë të bëjnë me Demokracinë! Ata tashmë synojnë të ndajnë zonat e influencës politike mes Rilindjes dhe Republikës së re! 

Rama dhe Basha janë produkti historik i lojës politike që është luajtur në kurrizin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot askush s’ka pse të mbetet i zhgënjyer. As ata që po largohen e as ata që mbeten. Është një akt historik që do e çojë deri ne fund “Zullumin” për të rrëzuar klanokracinë tonë!

As Basha dhe as Rama nuk pyesin për forume, e institucione për të arritur qëllimet e tyre. Por, ndërsa Rama që ka tashmë një përvojë më të gjatë në parti, e kuptoi se më parë se të “spastronte” listat e deputetëve duhej të spastronte organet drejtuese të partisë, Basha ka mbetur sot në” grackën” e këtyre institucioneve. Numrat mund ta çojnë Bashën në një pikë kritike brenda vetë Partisë. Rama e kaloi “mrekullisht” këtë fazë para katër vitesh dhe sot e ka fare të lehtë të komandojë atë grupim që ka ndërruar ngjyrën dhe formën e që quhet Rilindje. Basha nuk u mor me kryesinë e as me forumet me idenë se këto do t’i kishte tërësisht në dorë, sa kohë që mbështetej te Berisha. Por, po të kishte lexuar pak politikë, me siguri nuk do mbështetej më dot tek “ujku” i vjetër i politikës. Kur historia të nxjerr jashtë loje, të nxjerr sikur të përdorësh të gjitha mjetet për t’u mbrojtur! Basha po e humbet këtë shans. E kishte këtë shans kur hartoi listat. Ai nuk e bëri dot. Arsyet tashmë dihen.

Skakiera politike po bëhet shumë interesante, ndërsa populli rri e vështron. Ja pse nuk kemi ende për të pasur Demokraci!
Sigal