Durrës, 60 familje braktisin banesat e përmbytura

538
Sigal

Kryebashkiaku, Dako deklaron: “Mbështesim Prokurorinë. Për përmbytjet, faji ishte i institucioneve shtetërore”

Në Shkozet dhe në Plazh dhjetëra banesa ende janë të përmbytura me ujë brenda mjediseve jetësore. Kjo ka bërë që rreth 60 familje të braktisin shtëpitë, ndonëse në ‘to kanë derdhur kursimet e jetës. Po shumë nga këto banesa nga reshjet e vazhdueshme dhe përmbytjet kanë marrë dëmtime të pariparueshme në mure papërshkruar dëmet e mëdha të orendive dhe pajisjeve elektro-shtëpiake. Dhe koston e madhe shëndetësore në fëmijët dhe të moshuarit. Nga informacionet e fundit mësohet se, në Shkozet të Durrësit, të paktën 25 familje i kanë braktisur shtëpitë dhe janë zhvendosur tek të afërmit,  apo në banesa me qira. Të tjerët jetojnë në kushte të vështira. Të tjerë banorë në pamundësi për tu zhvendosur, mundohen të shpëtojnë ç’të mundin. Banorët më shumë sesa për dëmet e shkaktuara, shqetësohen për shëndetin e fëmijëve, të cilët prej të paktën 14 ditësh jetojnë mes ujit e lagështirës. Ata ndërkohë ankohen: “Askush nuk ka ardhur për të parë gjendjen e tonë”. Dhe më pas kur pyeten shtojnë se: “Grupet e emergjencave nuk kanë ndërhyrë për të larguar ujin nga rrugët e shtëpive”. Ndërkohë në paraqitjen mediatike janë bërë deklarata serioze për ndërmarrje veprimesh energjike në zgjidhje të situatës së rëndë që ka tashme në një shtrirje të madhe në periferi e Durrësit nga bllokimi i kanalizimeve, bllokim që ka ardhur në mënyre graduale, por që kuadrot, të cilat paguhen për t’i shërbyer njerëzve. Duke u nisur nga kjo praktikë vihet re se Prefekti garanton se do të ndërhyhet sa më parë, por nuk jep një afat konkret. Premton dëmshpërblimin e familjeve të përmbytur, por nuk garanton mbulimin 100%  të dëmeve të shkaktuara. Kjo tablo është edhe për Bashkinë. Bazuar në denoncimet e banorëve, pak ditë më parë Prokuroria e Rrethit Durrës, nisi hetimet mbi situatën problematike e shkaktuar si pasojë e përmbytjeve. Organi i akuzës dyshon se autoritetet lokale nuk kanë përmbushur detyrën e tyre për marrjen e masave për përballimin e situatave metereologjike, dyshim, i cili pritet të vërë para përgjegjësisë shkaktarët e situatës së krijuar. Ndërkohë, janë edhe rreth 40 familje në plazh që kanë bërë të njëjtën gjë si banorët e Shkozetit duke braktisur shtëpitë e tyre.

Reagimi

Kryetari i Bashkisë së Durrësit ka fajësuar drejtpërdrejtë qeverinë shqiptare dhe institucionet e saj të varësisë në nivele lokale për gjendjen tejet problematike në Durrës të shkaktuara nga përmbytjet masive. Dako ka bërë të ditur se, disponon dokumentacion të plotë për situatën tejet të vështirë të krijuar në këtë bashki për shkak të përmbytjeve. “Do të mbështesim Prokurorinë dhe do të jemi të gatshëm për t’i shkuar deri në fund problematikës së përvitshme të shkaktuar nga përmbytjet e reshjeve të shiut”, -ka bërë të ditur për gazetën “Telegraf”, Kryebashkiaku Dako. Dako ka thënë se, janë të evidentuara pikat shqetësuese, të cilat krijojnë situatën alarmante, ndërkohë që, ka saktësuar se bashkia e ka të pamundur të reagojë për të detyruar shkaktarët të veprojnë në zgjidhjen e problemit. “Në Prefekturë ka një zyrë më vete, e cila quhet “Zyra e Emergjencave” dhe ajo duhet para së gjithash të evidentojë problemet dhe të raportojë për t’i futur në rrugën e zgjidhjes”, -ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Durrësit. Dako ka deklaruar se: “Harta e banesave të përmbytura zgjerohet herë pas here dhe kjo ngase nuk ka veprim e reagim në terren”.

Dako: Ja përgjegjësit

Për situatën Bashkia e Durrësit ngarkon me përgjegjësi Ujësjellës-Kanalizimet sh.a dhe Bordin e Kullimeve, të cilët jo vetëm që nuk kanë ndërhyrë, por edhe kanë lejuar përkeqësimin e situatës. Bordi i Kullimit nuk ka vënë dorë prej disa vitesh në pastrimin e kanaleve kryesore, të cilat përcjellin ujin për në kolektorët e Porto-Romanos. Këto kanale janë ngushtuar, mbushur dhe bllokuar në disa nyje duke sjellë edhe përmbytjet për arsye subjektive, në një kohë që Bordi i Kullimit nuk ka vënë askënd para përgjegjësisë. Edhe tani që reshjet kanë pushuar, uji në mjaft vende e zona ka izoluar dhjetëra e qindra familje e biznese. Dëmet jo vetëm që janë të konsideruar, por edhe rishfaqen sa herë që vjen stina e vjeshtës dhe dimrit. Banorët kanë protestuar gjithandej, por pa mundur të gjejnë zgjidhje dhe as mirëkuptim”, tha Dako.