Frank SHKRELI/Fryma e Davos-it

574
Sigal

Takimi më i njohur në botë i udhëheqësve politikë dhe të biznesit “Forumi Ekonomik Botëror 2013 në Davos të Zvicrës”, përfundoi punimet të dielën. Në atë forum morën pjesë javën që kaloi mbi 2500 veta ndër udhëheqësit më të dalluar të botës në fushën politike e qeveritare, biznesit, të shoqërisë civile dhe intelektualë të njohur botërorë. Përfshiheshin, gjithashtu, edhe aktivistë të lloj- lloj kauzash, përfaqësues sindikatash, akademikë dhe biznesmenë në moshë të re dhe natyrisht një mbledhje e tillë nuk mund të përjashtonte qindra gazetarë nga e gjithë bota.

Forumi ndërkombëtar në Davos mund të jetë i vetmi takim botëror ku nuk negociohen as nuk arrihen marrëveshje të asnjë natyre, as nuk merren vendime për asgjë, por është sipas Profesorit Klaus Schwab, i cili themeloi Forumin Davos 43 vjet më parë, një platformë për shkëmbimin e mendimeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve në një atmosferë të izoluar dhe larg nga problemet dhe presionet e jetës së përditshme.

Në një kryeartikull në lidhje me mbledhjen e këtij viti, botuar në gazetën kombëtare amerikane USA Today, Profesori Schwab, duke folur për mbledhjen e parë të Forumit Davos, tha se, ”objektivi i themelimit të Forumit ishte për të sjellë në Europën e pas luftës, idetë dhe aftësitë e intelektuale, industriale dhe të inovacionit të Shteteve të Bashkuara, me qëllim për të modernizuar sistemet evropiane shoqërore dhe të biznesit”. Ai shtoi se ndonëse natyra e këtij forumi vjetor ndërkombëtar ka ndryshuar gjatë 43-viteve të kaluara, Profesori Schwab shkruan se objektivi kryesor i Forumit mbetet i njëjti si atëherë: ”Shkëmbimi i lirë i mendimeve, dialogu, si dhe ideja e lirisë dhe të shprehurit hapur e pa pengesa, cilësi këto për të cilat Amerika është një model për botën”, tha ai në kryeartikullin për gazetën amerikane.

Natyrisht sesi vjet në mbledhjet e Davos-it u bisedua dhe u shkëmbyen mendime mbi pothuaj të gjitha problemet me të cilat përballet sot bota. U diskutua mbi ekonominë botërore dhe mbi papunësinë,  problem këto që u cilësuan si një burim shqetësimi serioz për shumë pjesëmarrës. U fol edhe mbi të ardhmen e Europës, pasi Kryeministri britanik David Cameron njoftoi mbajtjen e një referendumi mbi të ardhmen e anëtarësimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian, duke thënë se, ”Evropa ka më shumë nevojë për vullnet politik dhe jo për më shumë institucione politike”.

Folësja kryesore në Forum, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, duke folur për gjendjen ekonomike në eurozonë, paralajmëroi kundër lehtësimit të masave të rrepta ekonomike në Europë, duke shtuar se ”Përvoja politike tregon se shpeshherë nevojitet bërja e presionit për të siguruar reforma strukturore politike.” Ajo shtoi se,  ”Në qoftë se Europa sot është në një gjendje të vështirë, atëherë ne duhet që sot të ndërmarrim reformat e nevojshme, ashtu që të jetojmë më mirë nesër”.

Përveç problemeve ekonomike e financiare të botës, ndër shqetësimet kryesore për të cilat u bisedua sivjet në Davos ishin gjithashtu edhe problemet politike dhe të sigurisë ndërkombëtare, si për shembull mundësia që Irani të zhvillojë armë bërthamore dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, si rrjedhim i të ashtuquajturës ”Pranverë Arabe”.

Është e vërtetë se në këtë mbledhje vjetore tradicionalisht marrin pjesë kapitalistë të dalluar nga mbarë bota, përfaqësues dhe drejtues të firmave më të mëdha botërore, njerëz të fuqishëm dhe të njohur të politikës dhe ekonomisë e financave por edhe të fushave dhe aktiviteteve të ndryshme të shoqërisë, për të cilët shtrohen darka e dreka dhe kokteje ekskluzive për të ftuarit.

Por pjesëmarrësve të rregullt në Forumin Davos këtë vit iu bashkuan edhe udhëheqës dhe biznesmenë në moshë të re, të ftuar në frymën e shkëmbimit të lirë të mendimeve – për të sfiduar përfaqësuesit e elitës politike, ekonomike dhe financiare të botës, jo vetëm ata nga Perëndimi por edhe nga vendet në zhvillim. Ndër këta përfaqësues të brezit të ri nën moshën 30-vjeçare, përfshiheshin njëri prej udhëheqësve të protestave studentore në Kili, nipi i Warren Buffet, njeriut të tretë më të pasur në botë dhe vajza e ish-Presidentit Bill Clinton e Hillary Clinton. Të gjithë këta, në një mënyrë ose në një tjetër, janë të aktivizuar në përpjekje për një ”angazhim për të përmirësuar gjendjen në botë”, e që është edhe motoja zyrtare e Forumit Davos.

Ndër subjektet kryesore për diskutim ishte papunësia në radhët e rinisë, sidomos në Europën-Jugore, por edhe në mbarë botën, si dhe mënyrat për të motivuar rininë për tu angazhuar në zgjidhjen e problemeve, ndërkohë që, kjo rini përballet me një papunësi rreth 60 për qind në disa vende. Organizuesit e Forumit Davos bënë gjithashtu përpjekje që të komunikonin edhe me përfaqësues të protestave kundër Wall Street-it dhe të protestuesve nga Britania e Madhe dhe vendeve të tjera të Europës.

Themeluesi i Forumi Davos, Profesori Klaus Schwab duke folur për problemet e shumta me të cilat përballet sot Europa dhe bota, si dhe për zgjidhjen e problemeve ekonomike botërore, ai e mbylli forumin me fjalët e fushatës së Presidentit amerikan Barak Obama: ”Po, ne mund t’ia dalim…. por mendoj se kyçi është bashkëpunimi global”,- tha ai para më shumë se 2500 pjesëmarrësve nga e mbarë bota.

Arritjet ose dështimet e këtij Forumi sivjet po debatohen dhe kritikohen nga media, gjë që është e natyrshme për një takim të tillë të nivelit botëror. Madje edhe Profesori Schwab, që nga natyra është tepër optimist, pranoi se ky ishte forumi më i zymtë që ai ka organizuar ndonjëherë. Por ai është gjithnjë optimist dhe mbështetës i dialogut për zgjidhjen e problemeve në nivele të ndryshme shoqërore, shtetërore dhe botërore, duke shkruar në gazetën amerikane USA Today se: ”Dialogu i vërtetë do të thotë bashkëveprim dhe komunikim me ata me të cilët nuk je dakord, me fqinjët ose miqtë si dhe me ata të cilët e shikojnë botën nga një perspektivë krejt ndryshe, me njerëz të gjeneratave e kulturave të ndryshme si dhe me ata që mund të kenë misione të tjera në jetë. Ne të gjithë jemi pjesë e një komuniteti global”. Ky ishte një mesazh i rëndësishëm për të gjithë pjesëmarrësit dhe më gjerë.

Pa marrë parasysh analizat dhe komentet mbi përfundimet e Forumit në Davos të Zvicrës, pjesëmarrësit nga më shumë se 100-vende të botës janë larguar së andejmi me mendime dhe ide të ndryshme për problemet e shoqërive të tyre dhe të botës. Por cilatdo qofshin vlerësimet e punimeve të Forumit të sivjetshëm në Davos nga analistët dhe pjesëmarrësit, në qoftë se ata marrin me vete këshillat e porositë e themeluesit të Forumit Davos se, “të gjithë ne jemi pjesë e një komuniteti global” dhe se me dialog dhe respekt për njëri-tjetrin – pa marrë parasysh ndryshimet midis nesh- mund të zgjidhen më lehtë problemet serioze me të cilat përballet sot shoqëria dhe mbarë njerëzimi. Porosia për dialog dhe mirëkuptim e ”Frymës së Davos”-it vlen dhe për marrëdhëniet dhe komunikimet në çdo nivel të jetës, në familje, në shoqëri, në politikë – mundësia për t’u ulur dhe biseduar mbi problemet dhe zgjidhjen e tyre nëpërmjet shkëmbimit të lirë dhe të papenguar- pa marrë parasysh ndryshimet në pikëpamje – me qëllim që të përballohen sfidat me të cilat mund të ndeshen individët dhe shoqëria në përgjithësi.