Astrit Çerma/ Liria

458
Ai që erdhi pa përshëndetur, u skërmit: 
– Prapë këtu ti?! 
– Këtu – pohoi ai që ishte – Ku të mbytem tjetër! 
– Po pi zotrote, ëëë! – shfryu ai që erdhi. 
– Po pi. Ç’të bëj tjetër?! – ia ktheu ai që ishte. 
– Ashtu-ëëë! Hë. – dhe pa kërkuar leje për tu ulur, u ulë dhe urdhëroi: – Hajde. Më porosit edhe mua një dopio. 
Ai që ishte i gërthiti një “ejjj” kamarjerit dhe pasi i bëri një nga ato shenjat e zakonshme ndezi cigaren tjetër me fundin e asaj që pinte. 
– Punë muti. – ç’fryu ai që erdhi. 
– Ehhh. E kam parasysh. -rënkoi ai që ishte. 
– Një mut e ke parasysh, një mut. 
– Eeee…E mire. Ja: S’e kam. E çë pastaj?! 
– Oreee. Merr vesh ti apo jo?. Të gjithë janë bërë si çakejt. Të gjithë. 
– Ehhh, po. domosdo…Ah. E kam parasysh byrazer. E kam. 
– Një mut e ke. Bobobobob. Katrahurëëë. Qelbësinllëk nga të gjitha anët. Çfarë s’bëhet! 
– E kam parasysh e kam. – rënkoi përsëri ai që ishte. Ktheu gotën që kishte përpara dhe në vend të mezes thithi si i pangopur cigaren e posa ndezur. 
– E kam parasysh, e kam. Aq mirë e kam byrazer, sa ehhh. -rënkoi. – Në mekanik byrazer kur kalohet nga “Statika” në “Dinamikë”, fillimisht studiohen çernjerët. E ke parasysh? Çernjerët janë guzhinetat, kokat e zbarave, kokat e paraleleve. E ke parasysh…Ëë?. E pra. Tani: Që të jetë lëvizja “Dinamike” duhet të ketë gradë lirie…Gradë liriiijeeee. Mirëpo. He, he…Kjo puna e “gradës së lirisëëë” He-he-heee. Është “punë dreqi”. Posi…Sepse…“duhet liri”, por. jo me tepër se ç’duhet. Jo më tepër. E ke parasysh: Jo më teeepëëërrrr. Po të ketë më tepër nuk ka kuptim, ose, si me thënë, kalohet në lëvizje tjetër. Posi…Nga lëvizja “dinamike” kalohet në lëvizje “kaotike”. E ke parasysh? Ë? Kaos. Ç’bjellohet çdo gjë. Çdo gjë byrazer, çdo gjëëëë. Ore…mut fare…E ke para sysh?. e- he…E ke parasysh, e keee. He-he-eee. 
Kamerieri solli dy dopiot. Të dy i kthyen rrëmbimthi dhe porositën dy të tjera, ai që erdhi vetëm duke shfryrë dhe ai që ishte vetëm duke rënkuar: 
– Eh byrazer, byrazer. Edhe kufiri pa liri, edhe liria pa kufi është shkatërrim byrazer. Diku kam lexuar se…shumë nga te burgosurit nëpër kampet e përqendrimit hitlierian që vuanin tmerrësisht nga uria, kur u çliruan. He, he. vdiqën…Po ore byrazer, pooo…Vdiqën. Vdiqën sepse, të babëzitur siç ishin, hëngrën pa kufi çfarë gjetën për të ngrënë. Dhe ne, të uritur për liri, në emër të lirisë që solli kjo soifarlloi demokracie, hëngrëm dhe po hamë të gjitha të ndaluarat e kohës së diktaturës, pa e kuptuar se po helmohemi drejt vetëvrasjes… 
Dhe ai që ishte dhe ai që erdhi sërish rrëkëllyen gotat dhe, ndërsa i pari thithi fort si i pangopur cigaren, i dyti shfryu një “punë muti” dhe porositi dy dopio të tjera. 
Sigal