Artur AJAZI/ A ka paqe në Ballkan?

607
Sigal

Përtej asaj që sot mbarë bota po diskuton mbi problemin “Ukraina” dhe “Krimea”, një tjetër shqetësim, ndoshta që kalon në heshtje me besimin që do të ketë zgjidhje, është edhe në krahun tjetër, në Gadishullin e Ballkanit. Është quajtur kështu nga turqishtja, që do të thotë “Vargmale të pyllëzuara në formë zinxhiri”, ashtu siç kanë qenë fatet e popujve të këtij rajoni. Historikisht Ballkani, është karakterizuar nga konflikte ndëretnike, ndërfetare, duke mos u përjashtuar edhe  nga të tjera rajone, veçanërisht në lindje. Pas Luftës së Dytë Botërore, u duk se, paqja në Ballkan u vendos, por vendet e këtij rajoni gjithmonë karakterizohen nga konflikte, ku në dallim nga vendet perëndimore, ende edhe sot ato vazhdojnë në heshtje. Ballkani, si pasojë e konflikteve, vazhdon të jetojë në një gjendje tensioni, pavarësisht se prej 20 vitesh ai kontrollohet nga  Aleanca e Atlantikut të Veriut. Qytetarët ballkanas, aktualisht ndjehen më të qetë, më të lirë, por sërish frika e konflikteve nuk është larguar. Duke mos u vetëpersekutuar, dhe duke qenë realistë, duhet të themi se, padyshim, edhe në Europën Perëndimore, ka pasur rajone të ngjashme që  kanë pasur probleme të mprehta dikur, por me bashkëpunim të ndërsjellë kanë arritur t’i kalojnë ato. Luftërat, si ato në Ballkan, kanë ndodhur edhe në Europën e qytetëruar, si në Gjermani, Francë, Norvegji, Suedi, Holandë, etj.  Por prej tyre popujt duhet të mësojnë, të mësojnë nga gabimet e historisë dhe të mos i përsërisin  ato. Historia e vendeve të Europës, që sot  karakterizohet  ga paqja, liria dhe zhvillimi, duhet të jenë një shembull për vendet e Ballkanit, si një formulë efikase. Edhe në Ballkan paqja mund të arrihet përmes njohjes dhe respektit reciprok, angazhimit në dialog dhe bashkëpunim për të ardhmen, dhe begatinë e popujve. Reagimi i qytetarëve të Ballkanit sot, është më ndërgjegjësues. Shpesh perëndimorët, kanë mbajtur një qëndrim të ftohtë prej padroni, gjë e cila ka sjellë edhe reagimin negativ të ballkanasve. Duke qasur një shembull të mirë, pra se si ne duhet të tejkalojmë dallimet  ndëretnike, ndërfetare, për të arritur tek suksesi, kjo padyshim do të ishte eksperiencë e mirë.  Konfliktet tek ne në Ballkan, kanë lënë gjurmë, të cilat nuk mund të fshihen lehtë. Duke u ndalur  tek Kosova, shteti më i ri në Ballkan, qytetarët e saj kanë mbijetuar nga konfliktet më të  përgjakshme të fundshekullit të kaluar. Natyrshëm që kosovarët po e shikojnë me rezerva  angazhimin e Serbisë, e cila vazhdon të mbajë një qëndrim aspak miqësor ndaj shtetit të tyre të ri. Ata ( pra kosovarët) e dinë dhe e pranojnë se bashkëpunimi me fqinjët e tyre, veçanërisht me Serbinë, është i nevojshëm, një bashkëpunim me kontribute të barabarta, ku të gjithë do të përfitonin. Por nuk mund të pranohet situata kur njëra palë jep shumë kontribute, dhe pala tjetër  vetëm kërkon të përfitojë. Ky nuk është koncept i drejtë për çdo bashkëpunim dypalësh. Kosovarët e ndjejnë se vetëm ata janë të hapur ndaj bashkëpunimit, kurse serbët vetëm sa kanë penguar përpjekjet e tyre. Ata mendojnë se në këtë drejtim bashkësia ndërkombëtare duhet të luajë një rol të vendosur, sidomos ndaj Serbisë. Shoqëria civile e Kosovës ka qenë aktive në përpjekje për një bashkëpunim, por ato janë penguar nga vendimet politike dhe i ka bërë përpjekjet e tyre pothuajse të pakuptueshme. Roli i shoqërisë civile në vendosjen e  bashkëpunimeve mes shteteve është i rëndësishëm dhe duhet të përkrahet, dhe jo të injorohet dhe denigrohet. Vendet e Ballkanit janë deklaruar se synojnë vendosjen e një sistemi demokratik të qeverisjes. Ky sistem demokratik i qeverisjes ofron platformë për debat, mendimin e lirë, dhe zgjedhje të pakontestuara. Në sistemin demokratik  qytetarët votojnë atë që u ofron një jetë më të mirë dhe zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik ofron një argument të fortë, si bashkëpunimi, pasi është përfituesi për gjithçka. Arritja e një zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet pa   bashkëpunim, po ashtu edhe paqja, veçanërisht në Ballkan. Vendet e këtij rajoni, duhet ta kuptojnë këtë filozofi, dhe të arrijnë bashkëpunim, për ta parë njëri -tjetrin si një partner në arritjen e një jete më të mirë për të gjithë qytetarët. Në Ballkan kanë një proverb, “fqinjin nuk e zgjedh ti, e ke risk, ndaj duhet ta pranosh”, dhe kjo vlen përjetësisht për vendet e këtij rajoni dhe jo vetëm.