Turren drejt bregdetit, “të fortët” sfidojnë ligjin

482
Sigal

Nis piketimi plazheve private, hidhet beton për të ndarë parcelat

 E ndërsa në jug dhe në Tiranë, qeveria ka disa muaj që ka nisur aksionet me fadroma duke prishur objekte pa leje, por edhe tek-tuk me leje, në Durrës duket se “të fortët” ende kanë mbetur të paprekur e duken sikur duan të sfidojnë shtetin. Përgjatë vijës bregdetare, prej disa ditësh, ka nisur “inspektimi” nga persona të panjohur për banorët e plazhit, të veshur me xhaketa lëkure dhe syze të errëta, me shoqërues madje. Sezoni i ri veror po troket, dhe duket se problematikat e vjetra do të rishfaqen sërish edhe sivjet. Ata ( pra “të fortët” ) janë dëgjuar nga banorët e plazhit të flasin për  piketime dhe kufij paraprak, për të nisur ngritjen e një bordure betoni ndarëse, duke pretenduar për plazh privat për sezonin e ri. Si çdo vit, me afrimin e sezonit veror, problemet në zonat bregdetare të Durrësit nisin e bëhen serioze në pikun e tij. Nga vëzhgimet e bëra këto ditët e fundit rezulton se, në bregdet, sheh përgatitjet që po kryhen nga disa individë për të vendosur lokale të tipit kioskë. Në  bashki deklaruan se “asnjë subjekt nuk ka kërkuar leje provizore për sezonin e ri veror 2014 për lokale në bregdet kështu që rezulton se përgatitja e shesheve prej betoni për vendosjen  e kioskave  apo bordurave për të parcelizuar plazhet private është veprim i paligjshëm”. Ngritja e lokaleve në bregdet është një histori e vjetër, e cila po përsëritet edhe këtë sezon. Vjet u rrafshuan një numër objektesh pa leje, por megjithatë edhe sivjet po tentohet të ndërtohet sërish duke shfrytëzuar  periudhën elektorale. Por duket se dhe bashkia nuk lëshon pe, pasi sipas saj zona është përfshirë në një studim urban. Përgjatë vijës bregdetare deri në Currila, e cila është pothuajse 2.5 km e gjatë, por  edhe gjatë plazhit publik, ka nisur tendenca e lulëzimit të objekteve pa leje. Para disa viteve, pasi rëra e bregdetit u mbush në mënyrë të qëllimshme me mbeturina inerte nga ato të pallateve në  ndërtim, u kalua në fazën e dytë, në atë të ndërtimit të lokaleve, që të gjitha u ngritën pa lejen e bashkisë. Policia Ndërtimore ndërhyri dhe prishi pjesën më të madhe të këtyre lokaleve, por brenda pak ditësh pa u shuar jehona e aksionit një pjesë e lokaleve u ringrit sërish. Edhe këtë vit tendenca  është për ndërtimin e disa lokaleve provizore. Nuk është e vështirë të konstatosh rrethimin e trojeve me tela si dhe shtrimin me  beton të platformave mbi të cilat pas pak do të mbijnë lokalet e sezonit. Bashkia e Durrësit me kohë ka deklaruar se nuk do të japë asnjë leje provizore për vendosje kioskash në këtë pjesë të qyteti, pa u përfunduar studimi urbanistik i zonës. Pjesa e bregdetit deri në Currila bën pjesë në zonën B, të qytetit të Durrësit e cila po i nënshtrohet sërish një studimi urban. Sipas projekteve të bashkisë, e njëjta vijë është gjithashtu pjesë e studimit i cili përfshin vijën  bregdetare nga muri rrethues i Portit deri në Currila. Në këtë zgjatim integrohet edhe segmenti në fjalë. Por asnjëri prej subjekteve që po ngrenë lokale atje nuk ka ndërmend që të presë përfundimin e këtij studimi po synon që të shfrytëzojë stinën e ngrohtë  për të bërë biznes. Bashkia duhet t’i bëjë që tani llogaritë e sjelljes së saj me këtë kategori përpara se të jetë vonë.