Altertekst, MAS skandalizon shtëpitë botuese

863
Sigal

Përfaqësuesit e MAS në takim me botuesit e teksteve shkollore. Prezantohen me vërejtjet për librat e tyre, bërë nga mësuesit dhe specialistët

Në programin afatshkurtër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çështja e Altertekst-it është prioritet, ndër më të rëndësishmet sa i takon arsimit parauniversitar. Vetë ministrja e Arsimit ka bërë të ditur se, mësuesit priten të jenë më të përfshirë në këtë proces. Ndërkohë që, pjesa më e madhe e teksteve shkollore janë shqyrtuar për sa u takon gabimeve, problemeve në ngarkesa, por edhe për sa i takon zbatimit korrekt dhe të saktë të gjuhës shqipe. Sipas burimeve të “Telegraf”, pranë MAS, çdo DAR/ZA, sipas një formulari të shpërndarë me urdhër të ministres Nikolla, ka paraqitur vërejtjet e mbledhura nga vetë mësuesit dhe të përpunuara nga Drejtoritë Arsimore Rajonale për çdo tekst shkollor të shtëpive botuese, pjesë të Altertekst-it. Deri këtu rezulton çdo gjë në rregull, madje është për t’u përshëndetur veprimi i Ministres së Arsimit. Po ku qëndron problemi?

Takimi i përfaqësuesve të MAS me botuesit e teksteve shkollore

Në datën 10 mars 2014 njoftohen botuesit e teksteve shkollore, për një mbledhje me ministren, zj. Lindita Nikolla, (ku i pranishëm ishte dhe këshilltari i saj z. Agim Leka), nga z. Piro Milo, specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve. Në mbledhje u fol për problemet e Altertekst, pjesë e së cilës është edhe shtëpia botuese “Rubin”. Ministria Nikolla, pasi parashtroi problemet (që në fakt, sipas pjesëmarrësve, rezultuan me të drejtë), u kërkoi botuesve të rishikonin Altertekst-in, por “duke marrë në konsideratë vërejtjet e dërguara nga gjithë grupet e interesit: mësuesit, specialistet e fushës, inspektorët e arsimit, përfaqësuesit e drejtorive dhe zyrave arsimore në rrethe, etj.”. Z.Agim Leka u tha botuesve që brenda datës 12 mars duhet të dërgonin me e-mail listën e teksteve “që doni të mbani dhe ato që dëshironi të hiqni”. Kjo përcaktoi dhe përfundimin e mbledhjes.

Shtëpitë botuese në praktikën e vërejtjeve

Të gjithë përfaqësuesit e shtëpive botuese shkojnë në zyrën e specialistit Piro Milo (i vetmi specialist për problemet ALTERTEKST) kontrollojnë gjithë praktikat e “vërejtjeve”. Pra ekziston një Altertekst, por ekziston dhe praktika e vërejtjeve, falë ministres Nikolla, në shumë fashikuj, rreth 2000 faqe, ku gjen vërejtje pafund për:

a) Shtëpinë botuese “Albas” për tekstet gjuhë shqipe dhe letërsi, që ajo e ka monopol në treg. (Në këtë shtëpi botuese ka botimet e veta dhe ministrja Nikolla së bashku me bashkëshortin e saj.)

b) Në po këto fashikuj gjen vërejtje për shtëpinë botuese “Pegi” dhe “Mediaprint”, të cilat kanë zaptuar, të paktën 2- vjeçarin e fundit, tregun, me urdhër nga ish-këshilltarët e ministrit apo zëvendës ministrat. Njëkohësisht shtëpia botuese “Pegi” ka pushtuar tregun, edhe me autorë që hartojnë kurrikulat vetë dhe u bëjnë presion mësuesve për të zgjedhur tekstet e tyre, siç është rasti i znj. Majlinda Hala.

c) Vërejtje pa fund ka për shtëpinë botuese “Edualba”, matematika e së cilës ka pushtuar nxënësit e fillores, meqë autori ishte këshilltar i ish- kryeministrit Berisha.

d) Çuditërisht aty gjeje pafund vërejtje për shtëpi botuese “të mëdha” dhe “që kanë pushtuar shkollat e Shqipërisë” (Këshilltari Agim Leka dhe ministrja Nikolla mund edhe t’i bëjnë publike për të informuar publikun e interesuar). E vetmja, për të cilën nuk gjen asnjë vërejtje, është shtëpia botuese “Rubin”.

Shtëpia botuese “Rubin”

Drejtuesja e kësaj shtëpie botuese znj. Adelina Toli, e kontaktuar nga gazeta “Telegraf”, tregon se z. Leka, këshilltari i ministres Nikolla u ka kërkuar që të heqin tekste nga Altertekst edhe pse nuk ka asnjë vërejtje për ‘to nga 2000 fashikujt që ekzistojnë për këtë problem në MAS.

Kush është Agim Leka

Çudia këtë radhë e reformës Altertekst mban emrin Agim Leka, kandidat për deputet në zgjedhjet e 2013-s, ish- deputet i Qarkut të Elbasanit dhe këshilltar i ministres së Arsimit, me lidhje shumë të ngushta, edhe biznesi me shtëpinë botuese “Erik”, me pronar Dëshira Shehu, për të cilën ka shumë vërejtje në ato fashikuj. Pse duhet të merret, pikërisht, ky këshilltar me Altertekst-in, ndërsa ekziston një specialist i kësaj fushe i trajnuar dhe i pozicionuar aty që nga koha e socialistëve të mëparshëm, që i mbijetoi, falë profesionalizmit dhe paanshmërisë, edhe 8 viteve të demokratëve, z. Pirro Milo?

A do kemi një Altertekst të denjë për shkollat shqiptare?

Detyra e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve është, thjesht, të sigurojë tekstet cilësore në duart e nxënësve, pa hyrë në problemet personale të këshilltarëve, të cilët mbartin edhe sot problemet e krijuara nga lista e kandidatëve për deputetë të qarkut Elbasan, apo më gjerë. Për më tepër, këshilltarët janë poste politike, dhe shpesh jokompetentë. Le të merren me këtë punë, ata që e njohin mirë Altertekst-in. Le “t’i japim Çezarit atë që i takon Çezarit” dhe të mos lejojmë rrugëtimin e Altertekst-it në të njëjtat gabime të qeverisë së kaluar.