Artan Fuga: Opozita e hutuar

637
Kandidatët e opozitës që kanë humbur thonë se elektorati u ka ikur, sepse është paguar dhe e ka shitur votën.

Por nuk japin asnjë rast, asnjë emër, kush bleu kë?
Ata që nuk u kandiduan kërkojnë revansh dhe lënë të nënkuptohet se opozita humbi dhe u fundos, sepse nuk ishin ata në listë, por nuk na sjellin asnjë njësi matëse për ta vërtetuar se elektoratit i digjej zemra vetëm për ta dhe nën këtë Qiell e mbi këtë Tokë nuk ka tjetër veç tyre.

Elektorati opozitar nëpër kafe është i trishtuar, i deprimuar dhe bën hamendje sepse të dhëna nuk ka. Ndjehet i tradhtuar.

Ca bizhdila pa shtyllë kurrizore, kalorës të xhepit të tyre, grabitës të parave të publikut, që deri dje hidhnin anatema, dihet se pse, në emër të kundër Lulzim Bashës, sot i dalin me hipokrizi në mbrojtje atij. Dje i fusnin thikën, sot i lëpijnë plagët.

Vetë zoti Lulzim Basha deklaron se komentet do t’i bëjë pasi të dalë rezultati, a thua se rezultati nuk ka dalë tashmë dhe se prej tij priten thjesht komente. Pasivitet i tij, i pakuptueshëm diskursiv dhe braktisje e hapësirës publike, pa u kuptuar se përse.

Ata që kanë siguruar vendin në Kuvend heshtin dhe nuk deklarojnë humbjen e partisë dhe fitoren e tyre personale, duke marrë përsipër opozitën.

Ca mprehin “thikat” për të ekzekutuar fajtorin që e personalizojnë duke mos parë nga vetja, se çfarë mëkatesh kanë!

Sa thjesht t’ia veshësh vetëm një njeriu mëkatin kolektiv, pa ia hequr askujt mëkatet personale!

Gjendet fajtori si në situata psikozash kolektive dhe pasi “vritet” ai ndërgjegjja e lënduar e turmës qetësohet. Thjesht iluzion. Inati nuk të çon kurrkund!

Dikush mund të thotë se, janë çaste hutimi. Pse more çfarë është politika? Bast personal? Po keni mbi shpatulla përgjegjësi publike që nuk mund ta dorëzoni. Jeni fëmijë të hutuar që keni rrëshqitur mbi një lëkurë bananeje mbi trotuar? Nuk kishit një plan B apo nuk e kishit kuptuar se po shkonit drejt disfatës elektorale!

Krejt e habitshme, e pakuptueshme kjo gjendje!

Qindra mijëra njerëz të trullosur politikisht në transmetimin absurd live të numërimit të votave.
Sigal