Artan Fuga: Mund të luash me pushtetin, por me historinë kurrë

130
Sigal

Mbaroi!

Vijeni flamurin në gjysmë shtizë sot!

Mos kujtojë njeri se nuk e dija që letra ime më shumë do ta ndizte zjarrin e pasionit shkatërrues. Por, të lutesh për kulturën kombëtare nuk është kurrë turp. Është nder. Unë mund edhe të lyp për këtë. Di edhe të tjera gjëra të bëj.

Me durim.

Qysh sot, Shqipëria, pas ndofta një shekulli, nuk do të ketë me institute për albanologji, as një Qendër albanologjike si institucion më vete.

Hendeku është bërë greminë.

Kultura kombëtare ka marre kështu një goditje vdekjeprurëse.

Pallavrat pa lidhje në shërbim të lobeve antikombëtare nuk e mbulojnë dot gjëmën e ndodhur.

Shihni programet mësimore të gjimnazit, aprovuar nga ministria e arsimit, një keqtrajtim i ndyrë i trashëgimisë letrare, filozofike, artistike, kulturore kombëtare, një minim me tritol administrativ i traditave tona që duhej të mbanin lidhur popullin me atdheun.

Është një platformë e tërë!

Dhe pyesin gjoja të habitur:- Përse ikin shqiptarët nga atdheu, nuk ikin serbet, nuk ikin boshnjakët, nuk ikin maqedonasit! Ja përse ikin! Se na kanë tharë çdo gjë kombëtare.

Është një disfatë tjetër. Shumë më e ndershme ama se ajo e atyre që me të tilla fitore do të kenë turpin më vete.

Mund të luash me pushtetin, por me Historinë kurrë.

Kujtesa nuk do ta harrojë. Ka pasur kohë edhe më të errëta dhe hiri është ndezur përsëri.