Adem Harxhi: Ka mjekë që të lënë te vde.sësh po nuk i pagove mirë

355

-Ai nuk do t’ia dijë, nëse ke ose nuk ke ti bukë në sofër dhe zjar në vatër.

-Shefat feudal të mjekësisë, brutal me vartësit dhe servil me eprorët

– Historia e rrallë e kirurgut grek Panajotis Ballas, me shefin e tij

Sigal

Unë u bëra doktor. Punova ditë e natë. Disa njerëz dëshërojnë të dëgjojnë gjithë jetën tingujt melodiozë. Ato tinguj, janë për ta të domosdoshme, një element esencial si oksigjeni. Ndërsa unë zgjodha të jetoj me zhurmën e sirenave, të thirjeve telefonike urgjente dhe monitoreve kardiake. Kur dëgjon sirenat, ështe sikur të dëgjosh ardhjen e stuhisë. Diçka e frikshme, që kërcënon aty pranë. Ti kupton shumë shpejt se je brënda saj dhe i angazhuar totalisht në këtë situatë. Sirena është një gjëmim që edhe tani pas shumë vitesh kur e dëgjoj më rrënqeth. Ka patur ditë që u pendova pse zgjodha sirenat në vend të tingujve melodiozë.

A u kujtohen ato ëndërimet e bukura fëminore, kur jashtë tërbohet stuhia dhe brënda kasolles, zjarri i dashur në vatër?. Unë zgjodha stuhinë dhe ulurimat e ujqëve, larg kasolles së ngrohtë. Tani e ndjej mirë, se ky spital ka qenë dhe vazhdon të jetë frymëmarja ime, qënia ime. Pa këtë spital unë nuk mund të jetoja dhe të arrija perëndimin e jetës time.

Më kujtohet kur isha një doktor i ri. U ndesha me urdhërat konfliktuoze të shumë superiorëve në spital. Për shumë vite, m’u desh të dëgjoj dhe të zbatoj urdhërat e tyre. Në çdo program trajtimi për t’u bërë një doktor, vështirësia nuk është lodhja nga puna ditën dhe natën. Nuk është shqetësimi për të sëmurët e tu. Vështirësia vjen nga mentaliteti feudal i disa mjekëve, më shumë akoma i disa kirurgëve.

Këta lloj kirurgësh infektojnë spitalet si minjtë në depot e drithit. Ata njihen që kur janë mjekë fare të rinj. Janë ata që u shesin moral studentëve dhe mjekëve më të rinj. Janë ata që u lehin pa mirësjellje infermierëve. Janë këta që arrijnë të zënë pozicionet më të mira kudo. Ata mendojnë se zotërojnë teknikën më të mirë dhe kanë kredenciale të paprekshme. Po qe se dëshëron ta gjesh një nga këta kirurgë, shko atje ku dëgjohen gajasje në spital. Ti do ta gjesh atë jashtë dhomës së një të sëmuri, i rrethuar nga shërbëtorë servilë, të gjithë të kënaqur me “gërdallën “ në shtrat. Atyre u duket vetja bukuroshë e trup mëdhenj, që përpiqen ta venë në pah dukjen e tyre kur ajo u duhet. Këta njerëz kërkojnë të çvendosin më shumë ajër nga sa kanë vëllimin e trupit të tyre. Ata nuk kanë dhëmshuri. Me superiorët e tyre, janë të ngrohtë, me një përshtatje tepër të llustruar. Me të barabartët janë tepër të kujdesshëm. Me ata nënë vete janë tepër abuzivë dhe të paturpshëm.

Po me të sëmurët?

Mjerë kush ka nevojën për ta. Ata të lënë te vdesësh po nuk i pagove mirë. Ai nuk do t’ia dijë, nëse ke ose nuk ke ti bukë në sofër dhe zjarr në vatër.

Më është dashur të bëj shumë kujdes, për të mos u infektuar nga këta kirurgë. Sëmundja e tyre është shumë ngjitëse. Po të zuri kjo sëmundje, nuk shërohesh dot. Atyre nuk duhet t’ua prekësh hundën. E kaloja shumicën e kohës me të sëmurët e mi. Kujdesesha për ta, ditën dhe natën. Kjo është e vetmja mënyrë, për të shpëtuar nga këta njerëz me shpirt të vogël, por me pushtet të madh.

Kanë kaluar shumë vjet, nga koha kur angiokirurgu i dëgjuar grek Panajotis Ballas, vizitoi Gjirokastrën. Nuk do ta harroj, kurrë, historinë e tij, me shefin e tij feudal. Ja historia:

“ Isha duke operuar. Po ngjitja një dorë të prerë. Ishte operacioni i parë i kësaj natyre, që bëhej në Greqi. Sapo isha kthyer nga Kina, ku isha për t’u specializuar për këto operacione. Ishim të gjithë të përqëndruar, prej disa orësh, në punën që bënim. Pa pritmas dëgjojmë zërin ironik të shefit, që fliste nga porta e sallës së operacionit:

  • Panajoti, duket që je shumë i ngeshëm, ndaj merresh me budallallëqe të tilla.

Ai kërciti fort derën e sallës dhe iku. Në sallë mbeti shija e hidhur e fjalëve të tij. Mbi maskat në hundë, ne shkëmbyem shikime domethënëse me njeri tjetrin.

Pas disa ditësh, kur dora po rigjenerohej, në klinikë erdhën mjaft ekipe televizive dhe të shtypit, për të intervistuar shefin për këtë sukses të madh. Shefi i fryrë prej lavdisë, deklaroi: “Nën udhëheqjen time, djemtë e mi, kryen një operacion të suksesshëm.”

Unë jam ndeshur me shumë nga këta shefa feudalë, që kërkojnë të përvetësojnë çdo sukses të vartësve të tyre.

Vite përpara, në një mbrëmje kolektivi, një kolegu ynë luante në violinë. Unë shihja fytyrën e tij të butë, butësia e një njeriu të rënë në dashuri me tingujt magjepës, që nxirrte violina e tij. Unë isha i çuditur nga forca rigjeneruese e shpirtit njerëzor. Në këtë moment, një nga kirurgët që përshkrova më sipër, u ngrit dhe me shumë keqdashje tha: “Muzikë bëjnë të gjithë jevgjit, ne duhet të bëjmë kirurgji.” Unë shtanga dhe pyeta veten: pse ka njerëz kaq të këqij në këtë botë? Më vonë u kujtova se, edhe Ferri është në rrugën e Parajsës.

Unë vazhdova të praktikoj mjekësinë. Në këtë rrugë të mundimshme, mësova dhe kuptova shumë gjëra. Midis të tjerash kuptova se, një pishtar reflekton në ujë kur është mbi të, po tentoj të shkojë atje ku reflektohet, do të shuhet. I qëndrova larg kësaj race mjekësh. Mjekësia, ashtu si poezia, janë arte tokësore. Ëngjëjt nuk pyesin për asnjërën. Janë njerëzit që i duan të dyja.

Ju që i lexuat këto rreshta, besoj. keni ndeshur në jetën tuaj shefa të tillë feudale, kudo ku keni punuar. Ata nuk janë vetëm në mjekësi. Tregoini eksperiencat tuaja, ato do t’u vlejnë shumë njerëzve.