Prof. Dr. Alqi Naqellari: Mario Alberti vuri gurin e themelit të sistemit financiar shqiptar

26
Sigal

Prof. Dr. Alqi NAQELLARI

15 mars 1925 shënon aktin e themelimit të Bankës së Shqipërisë. Kjo është një ditë e shënuar për popullin shqiptar, për ekonominë kombëtare të tij pasi u hodhën themelet e sistemit monetar shqiptar. Për herë të parë Shqipëria kishte Bankën Kombëtare të saj, e cila do kishte funksionet e një Banke kreditit dhe Banke Emisioni.

Cili ishte personi që ka meritën më të madhe, të padiskutueshme që duhet përkujtuar dhe vlerësuar nga Qeveria dhe Shteti Shqiptar si iniciatori dhe themeluesi i Bankës së Shqipërisë?

Iniciatori i themelimit të Bankës së Shqipërisë dhe Presidenti i Parë i saj ishte Mario Alberti nga Trieste. Theksova nga Trieste, sepse Qyteti Triestes dhe vetë Italia, kanë dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e Sistemit Financiar të Shqipërisë. Triestrinët kanë çelur Filialin e Parë në fushën e Sigurimeve në Vlorë më 1931. Kompania triestrine SVEA u bë shkak e krijimit të Bankës së Shqipërisë.

Mario Alberti lindi në Trieste, në 4 maj 1884. Ai u angazhua si ekonomist, profesor universitar, dijetar, gazetar, ekspert në çështjet ekonomike dhe financiare. Mario përfshihet në problemet e kohës duke shkruar artikuj dhe editorialë te “Il Piccolo”. Këto aktivitete u zhvilluan paralelisht me atë të liderit të grupit nacionalist-irredentist të qytetit të tij. Në vitin 1915 ai u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar ku zhvilloi një aktivitet të gjallë propagandistik në favor të ndërhyrjes italiane dhe u bë i disponueshëm për qeverinë. Ai ishte drejtor i kompanisë Pro Dalmazia Italiane, (Società nazionale Pro Dalmazia Italiana) e themeluar në Romë në fund të 1914, e cila çeli seksionet e saj në Firence, Venecia, Milano, Genoa, Ankona, Napoli dhe Palermo. Ndër shkrimet dhe pamfletet e një natyre politike, me referenca ekonomike, përmendim: Pushtimi i Triestes. Problemi ekonomik i sundimit italian të Adriatikut, i publikuar në mënyrë anonime (1914), Trieste, në serinë e “problemeve aktuale” (1915), Adriatiku dhe Mesdheu (1915), Dëmet e neutralitetit italian (1915), Avantazhet e luftës sonë (1915), Trieste dhe fiziologjia e saj ekonomike (1915). Në periudhën e pasluftës ai ishte pjesë e delegacionit financiar italian në Konferencën e Paqes të Parisit dhe në vitin 1921 ai ishte këshilltar financiar i ambasadës italiane në Uashington. Në vitet 1920 ai mbajti poste të tjera të rëndësishme, për shembull ai mori pjesë si një ekspert në punën që çoi në planin Daẇes për Gjermaninë.

Nga 1926 në 1931 ai dha leksione për politikën monetare në Bocconi University në Milano dhe më pas, nga 1933 në 1936, teknikën e parasë, teknikën e kredisë për pasuritë e paluajtshme, bursën etj. Nga 1936 e tutje kujdesej edhe për leksionet e politikave financiare dhe ekonomike. Ndër veprat e tij të lidhura me Triesten përfshijmë: Kostoja e jetesës, paga dhe mëditje në Trieste në çerek shekullin e kaluar (1911), Lëvizja e çmimeve dhe pagave në vitin 1911 në Trieste (1912), Drejt krizës? Tendencat themelore ekonomike në momentin aktual … (1914), Pasuria ekonomike dhe faktorët e saj (1915). Në vitin 1936 ai botoi Irredentizmi pa romantizëm.

Për një kohë të gjatë Mario Alberti ishte drejtor qendror i Credito Italiano. Më 15 mars 1925, u nënshkrua Konventa mes qeverisë shqiptare dhe grupit italian financiar, e përfaqësuar nga Mario Alberti, i cili parashikonte krijimin e Bankës së Shqipërisë dhe lëshimin e një kredi prej pesëdhjetë milionë franga ari (fr. A. ) për shtetin shqiptar, të destinuara për ndërtimin e punëve publike. Mario ishte Presidenti i parë i Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Për të prokuruar dhe për të menaxhuar financimin, u themelua Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë (la Società per lo Sviluppo Economico dell’Albania (SVEA), në të cilën Mario Alberti ishte nënkryetar dhe avokati Amedeo Gambino u bë “Drejtori-sekretar”.

Kompania kishte detyrën komplekse të ndërmjetësimit ndërmjet Qeverisë Italiane, e cila manifestohej përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme (Mussolini), dhe ministrave shqiptarë, që u nënshtroheshin presioneve të shumëfishta. Më 29 maj, paraprirë nga marrëveshje të tjera paraprake, u lidh Marrëveshja për Hua për Punët Publike të Shqipërisë ndërmjet SVEA dhe Qeveria Shqiptare. Në Nenin 1 përcaktohej se të ardhurat e kredisë kishin për qëllim për të zhvillimin e bujqësisë shqiptare, infrastrukturës dhe vepra të tjera themelore për të rritur aktivitetet e komunikimit dhe të prodhimit të tilla si portet, rrugët dhe urat, bonifikimin e tokave, hekurudhat, sisteme telefonike, etj. Mario krijoi kontakte për të sjellë një kompani të rëndësishme Triestine për të punuar në Shqipëri në emër të SVEA, kompaninë F. Mazorana: drejtuar nga Luigi Mazorana, e specializuar në Fondacionet dhe betonin e armuar, që në vitin 1927 u thirr për të realizuar një nga veprat e para dhe më ekonomike të promovuara nga SVEA, ose zgjerimin e portit të Durrësit. Në vitet në vijim, do të realizonte urën Giovanni Berta mbi lumin Mat, me gjatësi 473 metra, me nëntë trarë dhe gjashtë harqe parabolikë. Lindja e Shoqërisë së Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë (SVEA) dhe themelimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë ishin të nxitura dhe të përkrahura nga Qeveria Italiane. Shumë prej personaliteteve që kanë marrë pjesë në këto nisma ishin të lidhur me botën financiare, me grupet e siguracioneve triestrine. Iginio Brocchi nga Trieste (1872-1931), në Ministrinë e Jashtme dhe më pas shefi i shtabit të Giuseppe Volpit (Ministri i Financave nga viti 1925 deri 1928, ai punoi për të sjellë grupet e mëdha italiane financiare të fashizmit, dhe në vitin 1938 u bë president i Sigurimeve të Përgjithshme). Kompanitë e Sigurimeve Italiane kanë ndërhyrë në ndërtimin e Shqipërisë moderne të stilit të arkitekturës italiane jo vetëm financiarisht por ato kanë krijuar edhe Filialet e tyre. Filiali i parë është çelur në Vlorë në 1831. Antonio Mosconi (1866-1955, për një kohë të gjatë në Trieste, pas luftës së dytë Botërore, Presidenti i dytë i Bankës së Shqipërisë, Ministri i Financave nga 1928 në 1932),

Cilat ishin disa nga funksionet e Bankës Kombëtare të Shqipërisë?

Qendra administrative e Bankës Kombëtare të Shqipnis do të ishte qyteti i Durrësit, ndërsa Komiteti Administrativ do ta kishte qendrën në Romë.

Banka Kombëtare e Shqipnis u themelua më 2 shtator 1925 dhe në shkurt të vitit 1926 i dha vendit monedhën e parë kombëtare shqiptare, “frangun ar”, me nënfishat e tij, “lekë”. Që prej themelimit, Banka Kombëtare e Shqipnis adaptoi një sistem monetar të standardit të arit, i cili vepronte në mjaft vende në atë periudhë. Sipas konventës së themelimit, Banka ishte e detyruar të mbante një rezervë metalesh të çmuara baras me një të tretën e bankënotave të vëna në qarkullim. Duke mos qenë vetëm një bankë emisioni, ajo e shtriu veprimtarinë edhe në lëmin e kreditit, ku gjatë një periudhe 10-vjeçare veproi në kushte monopoli, ndërsa nga viti 1938 e gjendur në një konkurrencë të fortë me degën në Shqipëri të Bankës së Napolit dhe me Bankën Kombëtare të Punës, rriti shumë kreditimin dhe mbajti pozita sunduese në tregun shqiptar.

Sot Banka Kombëtare e Shqipërisë, është kthyer në Bankë me atributet vetëm të një banke qendrore evropiane. Vitet do kalojnë por emri i Mario Albertit, si themelues dhe Presidenti i Parë i saj nuk do harrohet. Nuk do harrohet edhe kontributi i qytetarëve të Triestes që aq shumë i kanë dhënë Shqipërisë. Për këto merita Mario Alberti meriton te vlerësohet jo vetëm nga BQ por edhe nga Qeveria dhe Shteti Shqiptar