Konfindustria: Borxhi publik shqetësues, eurobondi 600 mln. euro kosto e shtuar e buxhetit

843

“Marrja e eurobondit në tregun e huaj i ka kushtuar edhe disa dhjetra milionë euro kosto buxhetit të shtetit për shkak të komisionit të dhënë kompanive konsulente të huaja. Konfindustria vlerëson, se është e domosdoshme, që të paraqiten të gjitha arsyetimet dhe analizat e plota ekonomike dhe financiare, që e kanë shtyrë ekzekutivin shqiptar të marrë vendimin e sipërpërmendur.”

Sigal

Konfindustria i kërkon Kuvendit të Shqipërisë, të thërrasë në interpelancë përfaqësuesit e ekzekutivit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë/MFE për të arsyetuar publikisht, se përse borxhi ri prej 600 milion euro realizuar në qershor 2023 u emetua në tregjet ndërkombëtare, duke anashkaluar tregun e brendshëm financiar.

Është e rëndësishme të shpjegohet nga ekzekutivi, se përse u morr vendimi për shtimin me 100 milion euro nga planifikimi vjetor i masës së borxhit dhe përse operacioni nuk u krye brenda tregut financiar vendor.

Marrja e eurobondit në tregun e huaj i ka kushtuar edhe disa dhjetra milionë euro kosto buxhetit të shtetit për shkak të komisionit të dhënë kompanive konsulente të huaja. Konfindustria vlerëson, se është e domosdoshme, që të paraqiten të gjitha arsyetimet dhe analizat e plota ekonomike dhe financiare, që e kanë shtyrë ekzekutivin shqiptar të marrë vendimin e sipërpërmendur.

Në depozitat bankare vendore në maj të vitit 2023 në vazhdim, kemi një stok në vlerën e pothuaj 7 miliard euro gjëndje. Në shkurt të vitit 2023, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, depozitat në monedhën europiane vlerësoheshin në 6.4 miliard euro. Këtu nuk përmenden edhe masa të mëdha në euro, që ndodhen jashtë sistemit bankar, që mund të arrijnë gjithashtu në miliarda euro shtesë.

Rrymat e fuqishme në vlerë të lartë të hyrjes së monedhës së BE në Shqipëri e kanë zhvleftësuar euro-n në mbi 13% brenda pothuaj 1 viti kundrejt Lek-ut.

Konfindustria, ka shprehur shqetësimin e saj për ndikimin e fortë negativ të fuqizimit të Lek-ut kundrejt euros në disa prej kategorive të rëndësishme të biznesit në vend. Janë prekur sektorë të rëndësishëm të ekonomisë vendore, kryesisht prodhues dhe eksportues, si industria e manifakturës, tekstile, këpucë, prodhime bujqësore, agrobujqësore, të shërbimeve më pakicë, etj. Një pjesë e madhe e tyre rrezikohen deri me falimentim dhe/ose largim nga vendi. Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë në tregun e valutave dhe nga ana e Qeverisë shqiptare. Ndihma për sektoret e prekur ka qenë e papërfillshme dhe pa ndikim. Gjithashtu, fuqizimi jonormal i Lek-ut ka fuqizuar ndjeshëm importet.

Konfindustria vlerëson, se në kushtet e sipërpërmendura, marrja borxh brenda tregut vendor jo vetëm ishte e mundshme për t’u siguruar në vlerën ë kërkuar, pa prodhuar pasoja anësore ekonomike, por gjithashtu do ishte një instrument i arsyeshëm, që do të jepte frymëmarrje edhe për tregun monetar, ndihmë e drejtëpërdrejtë për kategoritë e mësipërme të biznesit dhe ekonominë kombëtare dhe kursimin e buxhetit të shtetit me dhjetra milionë euro komisione ndërmjetësimi.