Zgjedhjet në PD dhe cicërimat e harabelave

655
Sigal

Nga Gëzim ZILJA

Ndoshta nuk do të kisha marrë mundimin të shkruaja sikur mos të lexoja në Fb një lajmërim të deputetit Agron Shehaj lidhur me zgjedhjet në PD-në e Vlorës me titullin revolucionar: “Shqipërinë do ta bëjnë ata që e duan, që nuk dorëzohen dhe nuk bëjnë sehir por përfshihen.” Pasi thoshte se i takon atij dhe demokratëve të ndërtojnë një alternativë për të fituar besimin e qytetarëve ai përfundonte frazën si një udhëheqës largpamës: “ Të gjithë anëtarët që kanë nevojë për më shumë informacion rreth procesit, mund t’i drejtohen degës ose mund të më shkruajnë direkt në faqen e Facebook-ut.” Meqenëse drejtimi dhe organizimi i PD-së është kthyer në lajmërime Fb-je i hodha një sy faqes së internetit të Partisë Demokratike. Prisja ( meqenëse u hap fushata zgjedhore) të gjeja një lajmërim për Mbledhjen e KKPD-së, pastaj të Kryesisë së PD-së në qendër, një plan pune të detajuar me njerëzit e deleguar në rrethe, udhëzime, takime, veprimtari të ndryshme etj., etj. Veç fotos së madhe me ngjyra të Kryetarit, një parulle të madhe butaforike: “Një e ardhme e re po troket për shqiptarët” dhe ca parrullëzave, bija si “Përballje, Rezistencë, Betejë Totale”; “Me gjithë sa kemi në dorë kundër kësaj të keqe që ka pushtuar vendin tonë”, asgjë tjetër nuk kishte aty.

Hapa faqen “Sekretariati” dhe lexova sekretarët: F. Kadilli, E. Bozdo, I. Kaso, G. Dume, V. Mezini., N. Xhindi, G. Bogdani, E. Salianji, B. Kadia. U gëzova që të gjithë ishin gjallë dhe gëzonin shëndet të plotë. Po nuk pashë asnjë datë, asnjë shënim, asnjë plan, asnjë gjë, që të fliste për lajmin e bujshëm të Kryetarit dhe vendimin unanim për të nisur menjëherë, Procesi Mbarëkombëtar i Analizës dhe Konsultimit me Anëtarësinë…. E po thashë: Të shoh te “Lidhja e Gruas Demokratike.” Aty kish vetëm këtë shënim ne tetë rreshta: Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë është themeluar më 18 gusht 1991 si një organizim vullnetar i grave shqiptare mbi bazën e parimeve dhe të vlerave të liberaldemokracisë në Shqipëri. LDGSH ka si qëllim… etj. Me durim e shpresë, hapa faqen e FRDP-së. Edhe këtu HIÇ siç thuhet turqisht. Po ama kishte lajme të tjera: Te Rubrika Shënime thuhej: Më 16 Maj 2015 do të ketë një takim madhështor me z. Lulëzim Basha. Ftoheni… Tjetri i datë 26 shkurt 2015 bënte me dije: Pakti Rama-Meta i datës 23 qershor 2013 i nxitur nga ambicia për pushtet politik apo ndoshta dhe të degjenerimi moral të filozofisë së tyre oportuniste për të vjedhur edhe më shumë….  Në rubrikën “Postimet” ngjitur me rubrikën Shënime dallohej një foto e B. Këlliçit me Presidentin Meta dhe njoftimi: Më dt. 29 shtator 2018, ora 11:00, para Kryeministrisë, organizohet një tubim revolte kundër dhunës shtetërore ndaj grave e vajzave. Përdhunimi dhe torturimi i vajzës nga Nikla… Partia Demokratike u krijua si kundërpeshë e Partisë së Punës në kohë shumë të vështira. Detyra e saj ishte historike: Të shkatërronte strukturat e shtetit diktatorial, duke ngritur një shtet të ri demokratik me struktura krejt të reja. Duhet pohuar se Partia Demokratike ia doli me sukses këtij shndërrimi në një periudhë rekord prej katër vjetësh. Pjesa dërrmuese e atyre që e themeluan këtë parti janë gjallë dhe e dinë sesi u formua PD-ja në qendër dhe në bazë ato ditë të papërsëritshme. Goditje të rëndë PD-ja mori pas ngjarjeve të vitit 1997, ku nën kërcënimet e Komiteteve të Shpëtimit Publik, anëtarët e saj dhe sidomos drejtuesit u përndoqën nën kërcënimin e armëve. Megjithatë PD-ja, më 28 qershor 1997 ia doli të nxirrte në votime një pjesë të madhe të demokratëve dhe të merrte më shumë vota sesa në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pas qershorit 1997 PD-ja rinisi organizimin e në qendër dhe në bazë. Fillimisht u mblodh KKPD-ja, ku u vlerësua gjendja dhe u dhanë orientime si do të veprohej, me një plan shumë të detajuar.

Më vonë Kryesia caktoi grupet e punës në rrethe, duke i udhëzuar dhe ndihmuar me materiale ndihmëse për gjendjen e vendit ku do të shkonin, njerëzit që do të takonin, udhëzimet që do të jepnin etj. etj. Kam qenë në grupin e përbërë prej tetë vetësh që morën përsipër të ringrenë strukturat e PD-së në Jug veçanërisht në Tepelenë, Memaliaj e Elbasan. Kemi shkuar muaj me radhë derë më derë në kuptimin absolut të fjalës, duke takuar qindra demokratë, trima dhe jo trima, të trembur ose jo të trembur, intelektualë dhe jo intelektualë. Dua të pohoj se udhëtonim pesë veta me një BMV shkatarraqe që më shumë e shtynim ne atë sesa na ‘shtynte’ ajo neve. Nëse demokratët e vendit pritës kishin mundësi na jepnin një drekë diku, në të kundërt secili bukën e vet. Në Tepelenë (jo vetëm aty) kur bëmë takimin për zgjedhjet e Kryetarit të Partisë kanë hyrë njerëz me kallashë në zyrën ku po bënim mbledhjen duke na kërcënuar që të zgjidhnim kryetar atë që donin njerëzit e armatosur. Jo më pak e vështirë ishte gjendja në Memaliaj, në Përmet, Sarandë, Himarë e gjetkë. Por Grupet e punës të ngritura me bekimin e PD-së në Qendër, me gjakftohtësi, pjekuri e durim ia dolën të bindnin njerëzit, të ringrinin strukturat, të zgjidhnin drejtuesit e degëve në rrethe sipas parimit një anëtar një votë dhe të ngjallnin besimin në fitore. I them këto, jo vetëm për kujtesë historike, por edhe për eksperiencë sesi punohet me njerëzit e si mund t’i bindësh ata se PD-ja mund dhe di të ndërtojë një shtet më të mirë se socialistët. Nëse demokratët në qendër e bazë në vitet 1997, 1998, 1999 nuk do të kishin punuar me mish e shpirt si e thashë më lart në të gjithë Shqipërinë, sigurisht të përfaqësuar nga njerëz të ndershëm, të mençur e të përkushtuar, ndoshta sot PD-ja do të ishe OJQ, OJF ose një kujtim. Meqenëse kam punuar me strukturat e PD-së bashkë me mijëra të tjerë, kam të drejtë të pyes: Ju që drejtoni sot PD-në e shpallni zgjedhjet e reja, nuk dini, nuk doni, tallni prapanicën ditën me diell me demokratët apo u mjaftojnë dyzetë deputetë e jeni të kënaqur? Ndryshe nuk ka sesi shpallet një fushatë e tillë?! Po si u shkuaka në fushatën zgjedhore pa mbledhur KKPD-në, Kryesinë e PD-së, Sekretariatin e PD-së, pa hartuar një plan të përgjithshëm pune të detajuar se si do të veprohet, ku dhe si do të raportohet, kush janë personat përgjegjës, si do të zgjidhen rastet e vështira, dhe ajo që është shumë e rëndësishme: Si do të caktohen apo konkurrojnë në struktura kandidatët për Kryetarë Bashkie dhe këshilltarë? Si do të përzgjidhen dhe do të promovohen këta njerëz? Mjerimi i të rinjve të ardhur në Forumet Drejtuese të Partisë Demokratikë është se ata vijnë nga kolltukët, paratë e miqësitë dhe shumë pak nga strukturat. Në të gjithë botën demokratike shkolla e parë për karrierë politike është pjesëmarrja në strukturat e Partisë si veprimtar i thjeshtë. Nuk mund të bëhesh gjeneral pa kaluar te gradat e nëntogerit e kapitenit. Kështu kur deputetët apo drejtuesit shkojnë te njerëzit, do të shihen sy në sy si miq të mirë e të vjetër, që kanë marrë përsipër një çështje të shenjtë: Përmirësimin e jetës së shqiptarëve të djathtë e të majtë. E t’ua mbushin mendjen shqiptarëve ballë për ballë ( jo nga fb-ja) se ata ( deputetët e të tjerë) kanë një të shkuar, një të sotme dhe janë në gjendje të drejtojnë Shqipërinë në të ardhmen. Të flasësh me Fb është si të flasësh prapa ferrës. Për ta përfunduar, ky miliarderi i PD-së së Vlorës, alias deputeti, as ia ka haberin këtyre punëve. Nga mënyra sesi ka ardhur në PD dhe paratë që ka, mendon se ky e ndonjë tjetër si ky, boll të vendosin një lajmërim në Fb e demokratët e njerëzia do të zënë radhën për ta takuar. I njeh ky demokratët e Vlorës e të Shqipërisë? E ka idenë se çfarë duan e shpresojnë ata? Janë njerëz plot respekt për veten, të ndershëm, të gatshëm për të bërë ndryshimin por me drejtues, që ngjallin shpresën, vizionarë, të ditur, dhe sigurisht jo të korruptuar. Me cicërima harabelash, në Fb, do të mblidhen demokratët? Edhe lajmërim për vende të reja pune të kish vendosur në Fb deputeti miliarder i CC-së, njerëzit do të mendoheshin njëherë pastaj do të trokisnin. Dhe për ta përfunduar: 70% e votuesve që jetojnë në kodrat, malet, fushat, luginat e lagunat e Albanisë, nuk kanë internet dhe as u kërcet fare për Facebook-un.