Zef Zeka: HERONJTË E DRITËS TË BRAKTISUR NGA DISA QEVERI

216
Sigal

 

(Të parët në kontribute e  të fundit në shpërblime)

Shumë herë në shtypin shqiptar kemi parë të flitet për shtesa të pensioneve në profesione të ndryshme për minatorët, naftëtarët, ushtarakët, arsimin dhe shëndetësinë, por asnjë fjalë për minatorët e hidrocentraleve që punonin në kushte të veçanta në tokën shqiptare. Asnjë fjalë për shoferët e tonazheve të rënda edhe këta në kushte të veçanta nga gjithë shoferët e territorit shqiptar. Edhe manovratorët e makinerisë së rëndë dallonin në vështirësitë e tyre nga gjithë kolegët. Për ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe për qeveritarët që nuk i paskan njohur sakrificat e punonjësve të ndërtimit në kaskadën e Drinit, po u përshkruajmë gjithë zhvillimet e jetës së tyre 18 vjeçare. Në veprën më të madhe ndërtuese, atë të hidrocentralit të Fierzës, ku 40.000 punonjës morën pjesë me afate të përhershme dhe të përkohshme, projekti madhështor i kësaj vepre, kërkonte sakrifica të mëdha për t’u zbatuar. Në këtë projekt, vepra më madhështore ishte diga, me një lartësi 167 metra, që në atë kohë quhej më e madhja në Evropë dhe baza kryesore për ndërtimin e saj ishin minatorët, që nëpërmjet plasjeve masive siguronin prodhimin e gurit. Punimet nëntokësore për hapjen e galerive të plasjeve masive, ishin më të vështirat në të gjithë Shqipërinë. Minatorët e këtyre galerive, gjatë gjithë turnit të punës ishin të detyruar të qëndronin të kërrusur, pa e drejtuar trupin nga ngushtësia e galerive. Pluhuri i gurit dhe era helmuese e dinamitit ishin prezent gjatë gjithë orëve të punës. Në 3 katet e sektorit të gurores gjatë netëve të akullta të dimrit qëndronin zjarre të ndezura, ku nxeheshin me radhë minatorët. Këta minatorë përveç vështirësive të përgatitjes së plasjeve, kishin gjithashtu vështirësi të mëdha edhe në shfrytëzimin e gurit të prodhuar. Nga sheshi i katit të parë deri në krye të katit të tretë, ishte një lartësi deri 100 metra dhe skrapatat e formuara nga gurët e shkrifët ishin një rrezik i madh gjatë punimeve për minatorët dhe manovratorët e ngarkesave të makinave të transportit. Ngurimi i masivëve të gurit të shkriftë, krijonte rrezik dhe ndonjëherë kërkohej ndërhyrja e artilerisë ushtarake që ndodhej përtej lumit Valbona përballë gurores, për të çliruar masivet e gurëve me bambardim. Në qindra metër tunele në kaskadën e Drinit punohej në kushte nëntokësore. Me gjithë hapësirën e madhe që kishin këto tunele, me 18 metër lartësi dhe 12 gjerësi, ditë e natë qëndronin në gjysmëerrësirë nga pluhuri i premeksëve çpues të shkëmbit, nga djegia e karburanteve të mjeteve ngarkuese dhe atyre transportuese që merreshin me pastrimin e tuneleve. Parku më i madh i makinave në të gjithë Shqipërinë, për nga tonazhi, ishte ai i Fierzës. Shoferët e këtij parku përballeshin me vështirësitë e stinës së dimrit. Ishte tepër e vështirë të ngjitej e të zbritej me këto mjete të tonazhit të madh në borë e në akull, në kthesat malore të gurores dhe ato të digës. Për punonjësit e tre hidrocentraleve në kaskadën e Drinit nuk kishte asnjë herë ditë festash për ndërprerjen e punës. Ky kolektiv punonjësish, më i madhi në Shqipëri, përbëhej nga banorë nga të gjitha rrethet. Kështu që asnjë kolektivi tjetër nuk i takonte të ishte me shkëputje aq të gjata me familjet e tyre. Që të shkonin në Sarandë, Delvinë, Korçë dhe Vlorë, duheshin 4 ditë vajtje e ardhje pa përmendur shpenzimet e udhëtimit të asaj kohe. Por gjithë këto vuajtje ishin të harruara para tragjedive të shumta njerëzore. Në ndërtimin e këtyre veprave të medha nga aksidentet në punë u shkaktuan vdekjet masive më të mëdhatë në të gjithë Shqipërinë në punimet e nëntokës dhe mbitokës. Vetëm në hidrocentralin e Vaut të Dejës, vepra më e vogël mbi lumin Drin, për 3 vite e gjysmë vdiqën 51 persona ku vetëm në muajin maj 1969 vdiqën 10 vetë. Në hidrocentralin e Fierzës 2 raste të vdekjeve masive morën jetën e 21 personave brenda disa sekondash, me 13 minatorë të brigadës së Shaban Gjokës nga shembja e masivit të dheut, nga pastrimi i shpatullës së majtë të digës dhe 8 të tjerë minatorë në galeritë e plasjeve masive në sektorin e gurores nga shkrepja e rrufesë në 3 ton dinamit i vendosur në një nga këto galeri. Ishte data 12 tetor 1978 ku gjithë punonjësit e veprës së madhe do festonin për suksesin e arritur të vënies në shfrytëzim të kësaj vepre. Në momentin që po zhvillohej ky miting, 8 minatorë ndodheshin të vdekur në thellësi të kësaj galerie, akoma brenda galerisë për t’u strehuar nga shiu pa u marrë vesh me asnjë nga kolegët e tyre. Kjo vdekje ishte aq e tmerrshme sa gjithë ata që tentonin të futeshin në galeri për të nxjerrë kufomat mbeteshin të asfiksuar. Ata u nxorën vetëm kur arritën nga Tirana me helikopter grupet e specializuara me mjete dhe veshje kundërkimike. Përveç këtyre rasteve që përmendëm, pati dhe aksidente të tjera me vdekje, si qarkullimin e mjeteve rrugore, rryma elektrike, mbytje në ujë etj. Këto ngjarje tragjike bënë që të visheshin me të zeza qindra nëna, gra  dhe motra shqiptare. Qindra fëmijë mbetën jetimë për babatë e tyre. Veprat e këtyre heronjve janë sot shtylla kurrizore e financave shqiptare. Në lidhje me këtë, me rastin e 70 vjetorit të krijimit të ndërmarrjes elektro-energjetike, tetor 2019, nga diskutantët specialistë u tha që vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2018, kur prurjet e Drinit ishin të bollshme janë fituar 11 miliardë lekë të rinj, pa llogaritur furnizimin e brendshëm. Është për të ardhur çudi që gjatë 18 viteve që ndodhën këto ngjarje sa tragjike dhe të lavdishme, asnjë nga mediat e asaj kohe të shkruara dhe elektronike nuk shkruan as folën një fjalë. Ju lutem, ju zotëri qeveritarë që administroni këtë pasuri, një ndër më të mëdhatë në shtetin shqiptar, të kini parasysh shpërblimet ligjore në bazë të sakrificave dhe kontributeve tona për pasardhësit tanë.