Kosova duhet të flasë gjermanisht

Berat BUZHALA

E lexova – me shqetësim – komunikatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejtuar bartësve të institucioneve te Kosovës, por që, në mes tjerash, u ishte bërë me dije edhe ‘komentatorëve’ që analizat e tyre për krizën e fundit në vend nuk po kalojnë pa u vërejtur, për të mirë ose për të keq. Të polemizosh me Ambasadën Amerikane, ose Zoti mos e dhashtë, ta kundërshtosh Ambasadën Amerikane, ka qenë vetëvrasja më e sigurt politike. Ne që jemi që një kohë pjesë e debateve publike, ose që e përcjellim politikën që 15-20 vjet, mund t’i numërojmë me precizitet varret e atyre që e kanë humbur jetën (metaforikisht), kur e kanë kundërshtuar një pikëpamje amerikane, ose një interes amerikan. Amerikanët çka mendojnë për këtë punë? Ata nuk po pajtohen! A po a, i paska vdekë nana kësaj pune – le krejt, mos u ban budallë!

Sigal

A na ka ra keq ndonjëherë që e kemi dëgjuar Amerikën?

Jo, jo. Ani mbylle pra, mos e zgjat. Këqyre çka e gjetë Nexhat Dacin që u prish me amerikanë. Dhe vërtet, në përgjithësi kështu ka qenë. Pas Bushit të vjetër erdhi Klintoni i ri. Në Kosovë ky ndryshim na kishte frikësuar paksa. Na dukej pak axhami krahasuar me reputacionin e Ronald Reganit, një anti rus i përbetuar, i cili thuhet që e kishte fituar mandatin e dytë me reklamën dedikuar Bashkimit Sovjetik “There is a bear in the woods”, pastaj reputacionin e Bushit të Vjetër, posaçërisht pas Stuhisë në Shkretëtirë, kur për disa ditë e gjunjëzoi aleatin e Rusisë në Lindje të Mesme, Irakun. Mirëpo frika jonë doli të ishte e ekzagjeruar. Billi i ri, lozonjar, kur ishte në pyetje mbrojtja e nderit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qoftë në Ballkan, apo edhe në vende të tjera të botës, ishte po aq i vendosur dhe po aq patriot sa edhe Regan e Bush, e Bushi i Ri e Obama.

Amanet: Me Amerikën edhe me Zotin mos u prish!

Këtë herë Amerika ka nevojë për ndihmë, ndoshta më shumë se sa kemi ne. Kjo është ndoshta hera e parë që Ambasada Amerikane i komenton, përveç politikanëve, edhe komentatorët. Jam paksa i frikësuar që kjo nuk do të jetë hera e fundit. Trendi më i ri, i vendosur nga Presidenti Amerikan, në kundërshtim flagrant me vlerat e vërteta amerikane, siç është liria e plotë e medias – madje edhe liria për ta pasur gabim – nuk është shpresëdhënës. Sido që të jetë, ne si gazetarë, por edhe si komentatorë, vazhdojmë që ta kemi pikë referuese demokracinë amerikane, minus Presidentin Trump dhe rrethin e tij të ngushtë, që në afat rekord është duke e minuar një punë të ndërtuar me sakrifica të mëdha, për më shumë se 200 vjet. Tash të kthehemi konkretisht në temën për të cilin edhe u lëshua komunikata: Marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e orkestruar nga Presidenti Thaçi dhe Presidenti Vuçiç, dhe – si duket – e aprovuar edhe nga Shtëpia e Bardhë. Personalisht, si komentator, e konsideroj krejtësisht të rrezikshme dhe me pasoja të mëdha për vendin tonë, por edhe për rajonin, idenë e dy presidentëve, që për t’i rënë shkurt problemit i kanë rikthyer në tryezë idetë e shekullit të kaluar, të cilat sa herë janë përdorur kanë sjell vuajtje dhe gjak. Nuk e di pse dikush duhet ta bëjë prapë të njëjtën rrugë për të shkuar te i njëjti rezultat? Kanë qenë vitet 90’të, lufta në Bosnje dhe Hercegovinë sapo kishte nisur, kur presidenti serb, më i madhi kriminel në Evropë që nga Adolf Hitler, dhe Presidenti kroat Franjo Tugjman, ishin argëtuar me idenë e zgjidhjeve të shpejta dhe ‘efikase’ në mes këtyre dy etnive, me rivizatim të kufijve. Kemi qenë dëshmitarë okularë të rezultateve të kësaj ideje. Qindra mijëra civilë të vrarë dhe miliona të shpërngulur. Pas këtyre skenave të horrorit, ka pasuar një përkushtim të pashoq të administratave të katër presidentëve amerikanë, Bushit të vjetër, Klintonit, Bushit të Ri, Obamës, që t’i shmangen tundimit të krijimit të shteteve etnike. Pastaj, ndoshta është e kotë ta ripërsërisim se autorët e kësaj ideje, Thaçi dhe Vuçiç, janë çdo gjë tjetër përveç liderë kredibël. Që të dy këta, për aq vite sa i sundojnë banorët e shteteve të tyre, kanë demonstruar zell për autoritarizëm, keqqeverisje dhe korrupsion. Kredibiliteti i tyre, për çfarëdo gjëje, e edhe për paqe, ka kohë që është komprometuar.

Mirëpo ky nuk është problemi i vetëm

Aq sa janë shqetësues aktorët lokalë, aq është shqetësues edhe aktori kryesor global, në këtë rast Presidenti Trump dhe këshilltari i tij për Siguri Kombëtare, John Bolton. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të zhvillimeve dramatike për, dhe rreth, fatit të Presidentit Trump, posaçërisht në kontekstin e hetimeve për lidhjet e tij me Rusinë, për zgjedhjet e fundit (sot u arrestua një bashkëpunëtor i ngushtë i tij) të cilat po zhvillohen nga prokurori Robert Mueller. Ajo çfarë kemi parë deri më tash, dhe kemi lexuar, për Presidentin Trump dhe rolin e tij në kontinentin Evropian nuk është aspak shpresëdhënëse për ne. Agjenda e tij anti evropiane është e paprecedent në 100 vitet e fundit. Dëshira e tij për ta dobësuar Bashkimin Evropian, për të provokuar kriza, për t’i mbështetur partitë radikale nacionaliste në kurriz të partive liberale evropiane, për t’i anatemuar emigrantët, janë vetëm disa prej angazhimeve të tij, ose të të deleguarit të tij joformal për Bashkim Evropian, Steve Bannon. Historikisht Ballkani ka qenë thembra e Akilit për kontinentin Evropian. Prandaj asgjë nuk do ta dobësonte më shumë Bashkimin Evropian se sa një konflikt i ri në këtë territor. Është e tepër të thuhet se këtu ka filluar një Luftë Botërore, e sa e sa luftëra të tjera rajonale me pasoja shumë më të gjëra. Prandaj t’i qasesh sot zgjidhjes së problemit të Kosovës me Serbinë, në një formë kaq blatante, dhe kaq të patakt, është pak a shumë sikur të provosh të lërosh arën me tren. Problemet e Ballkanit janë aq delikate, sa secila prej fijeve të problemit e ka një histori të komplikuar. Prerja e secilës prej fijeve, duke e konsideruar të kotë, mund ta çojë në ajër gjithë rajonin. Kështu që Trump, dhe administrata e tij, nuk e kanë as ekspertizën e as memorien për këtë rajon dhe për problemet këtu. Kjo bëhet edhe më dramatike nëse kihet parasysh që pjesë e procesit të zgjidhjes së problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk janë aleatët tradicional të Kosovës, siç janë Gjermania dhe Britania e Madhe. Të vetmit të interesuar për ta rihapur nga e para problemin e Kosovës, për ta shtruar për diskutim, duken rusët dhe serbët. Mirëpo, rusët janë shumë më të interesuar për ta hapur se sa për të mbyllur problemin e Kosovës, në mënyrë që në Evropë të hapet edhe një problem më tepër dhe në mënyra që Rusia ta ketë edhe një chip më tepër në pokerin global. Kurse Serbia në anën tjetër, çfarëdo dialogu të këtyre përmasave që do ta nisë me Kosovën, do ta propagandojë të shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e edhe te ato që e kanë njohur se “kjo është një çështje e hapur.” Pra, pyetjet që shtrohen janë këto:

-Çfarë nëse nuk arrihet kjo marrëveshje historike?

-Çfarë nëse palët nuk pajtohen?

-A do të thotë që statusi i Kosovës mbetet i hapur përsëri?

-A do të thotë që bisedat dhe tentativat për paqe do të vazhdojnë pafundësisht?

-A do të luftojmë pastaj për t’i rifituar ato fshatra që i kemi dhënë?

Janë shumë pyetje që askush nuk ka përgjigje. Nuk i ka as administrata e Donald Trump. Kështu që e gjitha bota demokratike, bota demokratike e ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, ajo liberale, po e pret vetëm një gjë: Raportin e Robert Mueller. Atë duhet ta presim edhe ne. Deri kur të zbardhet ai raport, i cili do të zbardhë shumëçka, Kosova nuk duhet ta heqë taksën ndaj Serbisë, Kosova nuk duhet të bëjë asnjë përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje finale me Serbinë. Kosova duhet të flasë gjermanisht.

P.s. Një ditë, jo shumë larg, të gjithë do ta pyesim veten: Çfarë kam thënë unë, kur ishte në pushtet?