Prof. Dr. Qemal Lame: Nuk ka marveshje Kosov-Serbi pa partnerët strategjik

481
Sigal

 

Kosova dhe Serbia janë në Europë. Marrëveshja e tyre përfundimtare për njohje reciproke kushtëzohet me realitetin gjeografik. Vendimtare është forca me instrumentet përkatëse që ka mundësitë për të ndikuar, bindur apo imponuar më në fund marrëveshjen, bashkëpunim e miqësinë. Forca është vetëm politika ndërkombëtare e bindur dhe e përkushtuar për ti dhënë fund konfliktit me bisedime paqësore dhe me autoritetin e instrumenteve politike, ekonomike e ushtarake për vendosjen e paqes e arritjen e miqësisë midis shqiptarëve e serbëve, popujve të rajonit e gjithë Europës. Luftrat ballkanike, tragjedia e genocidit të Serbisë ndaj popujve të Bosnjes dhe Kosovës pas shpërbërjes së Jugosllavisë, arritën të përfundojnë me paqe me qëndrimin unanim dhe ultimativ ndërkombëtar. Veçojmë me këtë rast, rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

BE nuk ka mundësitë të zgjidhë e vetme krizën e Serbisë me Kosovën pa bashkëpunuar me SHBA. Edhe SHBA nuk mund të jetë e suksesshme pa bashkëpunuar dhe mbështetur nga BE. Megjithatë edhe këto të dyja nuk do të arrinin atë që kërkohet. Fuqia e tretë e domosdoshme mbetet Rusia. Për të qenë objektiv dhe të qartë, duhet të ndërgjegjësohemi, se SHBA në kordinim me BE dhe në dakordësi paraprake të domosdoshme me Rusinë, mbeten forca politike dhe diplomatike që shpresohet në arritjen e marrëveshjes. Është me vend të theksojmë me përgjegjësi edhe rolin direkt apo indirekt të Kinës si anëtare e Këshillit të Sigurimit, të politikës së saj kombëtare dhe influencës në Serbi. Çdo nismë që ndërmerret për shkaqe politike të brendshme apo gjeopolitike të jashtëme nga këta aktorë, nuk jep rezultatin që pretendohet. Janë disa probleme që kërkojnë reflektim.

1.Nuk ka ndryshaur situata politike që imponojë anullimin dhe shtyrjen e takimit të 27 qershorit 2020, në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i Kosovës mbetet në pamundësi për të luajtur rolin në bisedime për vetë akuzën e rëndë që ka ngritur Prokuroria Speciale e Hagës. Ai nuk është i mandatuar nga Kuvendi i Kosovës për të udhëhequr bisedimet. Në bazë të Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar sa i përket procesit të dialogut, është qeveria që ka përgjegjësi kushtetuese të udhëheqë këtë proces.

Presidentit Aleksandër Vuçiç deklaron se: “Ne nuk duam të ndezim edhe më shumë konflikte politike ose fizike mes serbëve dhe shqiptarëve, dhe kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur sigurinë dhe sigurinë e serbëve në Kosovë,” është shprehur Vuçiç për “Politico”.“Dialogu duhet të vazhdojë. Përndryshe, çfarë mund të ndodhë? Përfshirja e Thaçit në këtë proces varet nga liderët e Kosovës”.

Shtyrja e samitit në Shtëpinë e Bardhë ka krijuar një situatë rë re politike dhe në një moment të papërshtashëm për fazën finale të procesit të bisedimeve. Kryeministri i Kosovës, në intervistën me Deutsche Welle, në 4.07.2020, thekson, së pari, se dialogu mbetet përkushtim dhe nuk ka alternativë tjetëe. Së dyti, dialogu zhvillohet për njohje reciproke dhe për normalizim të marrëdhënieve në të gjitha fushat. Së treti, nuk ka ndarje e moskomunikimin të mirëfilltë ndërmjet SHBA-së dhe Evropës sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi.Uashington, është fokusuar në agjendën ekonomike, në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet të dy vendeve, duke hyrë në projekte të mëdha infrastrukturore që kanë ndikim në ekonomitë jo vetëm të të dy vendeve, por të mbarë rajonit, duke e lidhur Kosovën me Evropën Qendrore dhe më tutje.Së katërti, po presim për ftesën formale për Samitin e Parisit.

2.Bashkimi Evropian, nga 2011 deri ne 2018, ndërmjetësoi për tetë vite dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, por nuk arriti marrëveshjen përfundimtare. U miratuan marrëveshje që ndihmuan kryesisht Serbinë për të plotësuar disa kushte të integrimit për marrjen e statusit për anëtarësimin në BE. Tek shqiptarët u krijua me baza pakënaqësia për marrëveshjen për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e teritoreve me pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë midis dy vendeve dhe rajonit në tërësi. BE nuk arriti të unifikojë qëndrimin e shteteve anëtare për Kosovën. Pesë shtete anëtare të saj vazhdojnë padrejtësisht të mos e njohin, duke ruajtur me kryeneçësi të njejtin qëndrim edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në korrik të vitit 2010, për ligjshmërinë dhe drejtësinë e aktit të shpalljes së pavarësisë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB. Edhe ndërmjetësimi aktual nuk e ndryshon gjëndjen, përkundrazi rrezikon për ta mbajtur pezull. Çuditërisht, BE bëri gabimin tjetër që zgjodhi dy diplomatë nga shtete, që nuk e njohin Kosovën, shefin e politikës së jashtme dhe përfaqësuesin e saj të posaçëm për dialogun Serbi-Kosovë.

3.Politika ndërkombëtare, krijoi precedentin e rrezikshëm të zgjidhjes së konflikteve në ish Jugosllavi, me vënien në pozita të barabarta për bisedime të agresorëve me viktimat, të neonazistëve serbë me popujt jugosllavë, përfshirë edhe shqiptarët e pakicat e tjera të Kosovës.

Në lojën e gjeopolitikës antishqiptare e të shovinistëve serbë u radhit së fundi edhe Gjykata Speciale e Hagës, të cilës i mbaron mandati në vitin 2020. Pritej që të viheshin para drejtësisë gjithë kriminelët e luftës së genocidit serb në ish Jugosllavi. Por pas Millosheviçit e disa bashkëpuntorëve të tij, u la në heshtje genocidi serb. Papritur, vëmendja u përqëndrua tek përgjegjësia për krimet e luftës nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vlerësimin juridik, dëshmohet veprimtaria e drejtësisë ndërkombëtare ndaj genocidit shqiptar kundër serbëve. Shqiptarët viktimë të agresorit, përkufizohen njëlloj me akuzat e agresorëve!? Drejtësia ndërkombëtare, në vitin 1945, gjykoi dhe dënoi me rreptësi neonazistët dhe u mbështet ndërkombëtarisht. Pas 75- vjetëve, viktimat e Kosovës njësohen me neonazistët e Serbisë!? Opinioni ndërkombëtar nuk mund të solidarizohet me këtë praktikë. Marrëveshja dhe arritja e paqes e miqësisë midis Kosovës dhe Serbisë kërkojnë me të drejtë dënimet e fajtorëve për krimet e kryera në kohë lufte. Por çdo shtet, politikan, ushtarak apo person që kryen krime gjykohet sipas fajit, neneve të ligjeve ndërkombëtare apo kombëtare si dhe karakterit të luftës agresive dhe jo për vetëmbrojtje ose tejkalime nga individë të veçantë. Pala argersive mbetet pushtuese e genociduese. Pala viktimë mbetet e viktimizuar.

4 Për shkak të interesave gjeopolitike të Perëndimit, të supermacisë amerikane dhe kërkesave për një politikë të përbashkët europiane, nuk mund të shpresohet në arritjen e një suksesi edhe në samitin Serbi-Kosovë, që do të organizohet në Paris, në 10 korrik 2020, nga presidenti i Francës Makron. Është pozitive fakti që organizohet një samit dhe do të rifillojnë bisedimet në Europë dhe në një vend europian. Por Franca nuk ka shanse për ndërmjetësim efektiv dhe zgjidhje konkrete për arësye se në politikën që ka zbatuar në rajonin e Ballkanit, ka mbështetur në radhë të parë Serbinë dhe ka toleruar politikën serbe të së kaluarës. Me nismën për Ballkanin Perëndimor, Franca ka treguar se është edhe në konkurencë me Gjermaninë, që prej disa viteve vepron me sukses me nismën e Berlinit, nga Kancelarja Merkel.

5.Moska vepron me të gjitha mundësitë për të shtuar influencën e praninë e saj në rajonin e Ballkanit, mbajtur nën kontroll politikën në Beograd, pengon e saboton faktikisht çdo nismë për zgjidhen e konflikti Serbi-Kosovë dhe të arritjes së marëveshjes me njohje reciproke.  Për këtë qëllim, në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë, ajo dërgoi ministrin e jashtëm në Beograd, në 18 qershor, dhe thirri në Kremlin presidentin serb në 23 qershor për të bashkërenduar, më saktë imponuar qëndrimin për takimin në Shtëpinë e Bardhë. Politika ruse ishte e shqetësuar se Serbia mund të detyrohej që të pranonte në Uashington njohjen e Kosovës. Profesoresha e Institutit MGIMO të MPJ të Rusisë, Elena Ponomarjova, thekson e deklaron qartë në organin shtetëror rus “Russia today”, në 27 qershor 2020, se “situata ka qenë e tensionuar dhe gjithë trembeshin se mos Beogradi do të njohë Republikën e Kosovës. Ndërprerja e bisedimeve të Uashingtonit nuk e lejon situatën të shkojë në atë drejtim”.

Aktualisht do të ishte me dobi edhe një gjendje njohjeje e bashkëpunimi de fakto, me kushtin e heqies së pengesave e kushteve ultimative të Beogradit dhe mospengimin e Kosovës për njohjen nga shtetet e tjera dhe anëtarësimin në BE e mekanizmat e tjera ndërkombëtare.