Votimet e 30 qershorit 2019 na kthyen në monizëm

532
Sigal

Kristaq Meleqi, emigrant

Të përzgjedhësh njerëzit që do të administrojnë dhe drejtojnë Bashkitë në shërbim të popullit, është një eveniment i rëndësishëm. Në demokraci kërkohet që në drejtimin  e pushtetit vendor, të zgjidhen e të marrin pjesë kuadro të afta profesionalisht dhe të ndërgjegjshëm. Por çfarë ka ndodhur realisht gjatë këtyre 30 vjetëve që presupozojmë se jemi në “demokraci”. Kryetarë bashkish e këshilltarë, në përgjithësi nuk zgjidhen por emërohen nga partitë si militantë të tyre, duke u vënë në lëvizje qeveria dhe parlamentarët, sepse kështu të punësuarit me pushtetin vendor “kontribuojnë“ për mbushjen e xhepave të tyre dhe të pushtetarëve.

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 ishin moniste, pa kundërshtarë, pa pjesëmarrjen e opozitës. Kështu populli ka të drejtë të mos besojë për ndershmërinë e zgjedhjeve ku votuan me pak se gjysma e votuesve në shkallë vendi. Natyrshëm që zgjedhjet do të përsëriten në një kohë të përshtatshme por duhet thënë se patën si anë pozitive, që ato të mos tejkalohen asnjëherë në të ardhmen nga partitë politike, duke mos bojkotuar e braktisur dhe parlamentin, siç veproi gabimisht Partia Demokratike në opozitë, mbasi ky fenomen nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet demokratike. Edhe këshillat e aleatit më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës opozita nuk i dëgjoi, që nga parlamenti të mos largoheshin, që mandatet e deputetëve të mos i digjnin.

Vendi është futur në një krizë të thellë politike, sepse jemi akoma pa pushtetin gjyqësor të paanshëm dhe të pavarur nga politika. SPAK që është ngritur me ndihmën e Evropës së Bashkuar, nuk ka arritur akoma të kontrollojë plotësisht figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që të plotësohen këto organe me organikat e nevojshme për të filluar normalisht nga puna. Kjo vonesë ka ndodhur për arsye se shumë gjykatës e prokurorë kanë dalë të pëlqyer, me pasuri të mëdha e para të paligjshme, që i kanë vënë nga shpërdorimi i detyrës, duke u dhënë të drejtën e fitimit të gjyqeve atyre që kanë dhënë bakshishe të majme, duke u mohuar drejtësinë të ndershmëve dhe hallexhinjve.

Media gjermane “BILD” ka dhënë realisht me zë dhe figurë kasaphanën e zgjedhjeve të vitit 2017, të fituara nga e majta në pushtet, që ka kryer shumë veprime të paligjshme gjatë procesit zgjedhor. Kështu, i ka bërë presion administratës shtetërore deri në largim nga puna, po nuk votuan për të majtën në pushtet, deri tek blerja e votave nga pushtetarë, ministra e parlamentarë socialist të shndërruar në rilindës etj. Po kështu janë përdorur nga partia e majtë në pushtet dhe forma të tjera të shtrembëruara antiligjore për vjedhjen e zgjedhjeve, të cilat e kanë bërë sistemin zgjedhor të pavlefshëm, duke i mohuar popullit, lirinë dhe demokracinë, të drejtën për të zgjedhur njerëzit që duhet t’i shërbejnë vendit dhe popullit, dhe jo interesave të tyre por t’u pasuruar padrejtësisht.

Eshtë urgjente dhe shumë e domosdoshme bashkëpunimi që të merren vesh të tërë partitë politike si PD, PS dhe LSI, të gjejnë gjuhën e përbashkët, që të korrigjojnë Kushtetutën dhe kodin Zgjedhor, që ato vetë e prishën në vitin 2008. Aktualisht popullit i janë marrë atributet e sanksionuara me ligj, i cili shkon në zgjedhje formalisht, sepse ato i kanë fituar padrejtësisht partitë dhe kanë bërë çfarë kanë dashur, pa i hyrë “gjemb në këmbë“, thotë populli, gjatë këtyre 30 vjetëve.

Pavarësia e Pushtetit Gjyqësor, me çdo kusht duhet të vendoset për të gjykuar e dënuar fajtorët, pavarësisht funksionet, postet, detyrat që kanë, vetëm kështu mund të shpëtojë vendi nga kjo e keqe e madhe që e ka zënë. Aktualisht ligjin e bëjnë një grup “oligarkësh”, që u është dhënë nga pushteti ekonomia e vendit, që janë bërë pengesë për hyrjen e firmave të huaja, sepse s’ka konkurrencë demokratike.

Është uzurpuar pushteti nga grupe partiakësh të majtë e të djathtë, vetëm për t’u pasuruar për vete dhe jo për të kontribuar për zhvillimin e vendit, ndërtimin e shtetit ligjor në interes të popullit dhe kombit.