Vepror Hasani: Korçë moj, ku t’i gjej vajtojcat të të vajtojnë, pleqtë fillikat, të rinjtë po shkojnë!

315
Sigal

Korçë moj, ku të t’i gjej vajtojcat e dikurshme të qajnë hallet e tua sot, sepse nuk të duhet një vajtojcë, por disa, dhe të jenë vajtojca të mira, që hallet e tua t’i qajnë shtruar, të shkulin flokët e të çjerrin faqet, të derdhin lot e të ngrehin zërin, që t’u paksohet dhimbja njerëzve që të duan teksa të shohin në këtë gjendje të mjerueshme. As në kohën e themeluesit tënd, Iljaz bej Mirahori, 500-600 vjet më parë, ti Korçë e bukur nuk ke qenë ndonjëherë  kaq e dëshpëruar. Sot gjithçka e jotja ka mbetur shkretë: rrugët, dyqanet, sheshet, kafentë  kalldremet e lulishtet.  Vetëm vajtojcat mund të lehtësojnë dhimbjen tënde, duke të mbushur me fjalë të bukura. Ja si i përshkruanin udhëtarët e dikurshëm të vendeve të huja vajtojcat shqiptare: “Teksa i sëmuri epte shpirt, thirreshin vajtojcat q’i t’ia rreshtonin do fjalë lavdit ma t’shumën të rrena. Vajtojcat e diftojshin dhimbjen e vet tuj rrahë shuplakat, tuj shkulë flokët e kokës e tuj kja me za n’kangët e me lot. Këto gra për me vojt me vajtue t’dekunin, vesheshin me të zeza e veshja e përmortshme e romakëve ishte e zezë ase e myllët. Këto zakone të përmortshme i patën disi edhe grekët, e këta dy popuj i patën marrë prej anës së Lemit ku maheshin sa e sa vjet përpara, thotë një ingliz i këndueshëm:  “Zakoni me vajtue t’deknit asht i përhapun në çdo vend e në çfarëdo besimi të anës së Lemit. Këto ana, për me diftue dhimbjen e madhe të mortjes e për me i dhanë lavdi e nderim t’dekunit, kanë da me pague do gra q’i ta din t’ja thonë do fjalë të cilat t’ja thekun zemrat e atyne që rrinë e dëgjojnë”. (Kalendari i vjetës 1918, f. 83)

Rrugët  bosh

Sot dola enkas për të parë rrugët e tua me shpresën se mund të kishte ndryshuar diçka, se vajzat dhe djemtë mund të kishin mbushur çdo cep, por nuk pashë asgjë të tillë, vetëm zbrazëti dhe trishtim. Të rrallë ishin njerëzit që përshkonin “Pedonalen” ose “Rrugën e gjerë” siç i thoshin qëmoti, sepse edhe qëmoti kjo rrugë kishte jo më pak se 20 dyqane e kafene, edhe pse dikujt mund t’i duket se u krijua në vitet e tanishme; jo pedonalja e ka zanafillën 500 vjet më parë, nuk i mungonin as kazinotë, as festimet, as aktivitetet kulturore, as shfaqjet e filmave te klubi i quajtur “Stema”. Në këto lokale bëheshin dasma dhe ahengje sa herë që njerëzit dëshironin të mblidheshin bashkë, shfaqeshin edhe pjesë teatrale ashtu siç ndodhte edhe te lokali i famshëm “Panda”, ose te “Dinamoja”, dikur i quajtur “Plakoci”, sepse atje shërbente një plak me emrin Koci, por sot në cilëndo rrugë të kalosh ka vetëm trishtim, ndaj m’u kujtuan jo rastësisht vajtojcat shqiptare, gratë që dinin të të lehtësonin dhimbjen e të tjerëve duke  renditur fjalë të bukura dhe lavdëruese për njeriun që po ndahej nga kjo botë. Dhe vërtet u ndieva më shumë se i trishtuar, ndaj mëngjesin e sotëm m’u desh të bëja disa foto për të treguar sa e braktisur është Korça; të vjen të ulesh diku e të qash në heshtje jo për të hequr dhimbjen e të tjerëve, por dhimbjen tënde. Atë dhimbje që ndjen gjithkush.

Pazari bosh

 

Pata shpresë se Pazarin e vjetër do të gjeja më ndryshe, me më shumë gjallëri dhe njerëz, me më shumë klientë dhe vizitorë, me më shumë lëvizje dhe zëra, me më shumë djem dhe vajza, me më shumë hyrje dhe dalje, por jo, pazari më i madh i qytetit të Korçës, më i bukuri, më famëmadhi,  me zanafillë 500-vjeçare, me histori dhe lavdi të shkruar nga historianë e shkrimtarë të hershëm, nuk regëtinte, dukej sikur nuk merrte frymë, ngjasonte me një të vdekur. Ndaj sërish m’u kujtuan vajtojcat, që shkulnin flokët dhe çirnin faqet. I lënduar u ndjeva nga gjithë panorama që më ofrohej. “Bëj foto, – më thoshin tregtarët, – dhe tregojua të gjithëve si është katandisur Korça, si jemi katandisur ne që vijmë në mëngjes e ikim në darkë pa nxjerrë asnjë qindarkë; tregojau qeveritarëve tanë tavolinat dhe karriget bosh që ngjasojnë me një sallë verore kinemaje të braktisur ku nuk gjen asgjë tjetër veçse zbrazëti, indiferencë dhe  boshllëk në shpirt”. Një çast desha ta bëja vetë vajtojcën dhe sigurisht atë po bëj, vajtojcat e dikurshme nuk janë më, ne jemi vajtojcat e kohëve moderne.

Edhe jeta e njerëzve bosh

Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto,  nga të dhënat zyrtare mësova se popullsia e Korçës po paksohet me shpejtësi; lindjet po pësojnë rënie të frikshme nga viti në vit; vdekjet po tejkalojnë numrin e lindjeve; braktisja e qarkut vazhdon me ritme të larta; norma e fertilitet (numri mesatar i lindjeve për grua), po zbret në minimum; numri i të rinjve po bëhet gjithnjë edhe më i vogël; për të moshuarit nuk ka kush të kujdeset; akomodimi në azil është jo i lehtë dhe me kosto të lartë; papunësia po shënon rekorde të reja; njerëzit rrezikojnë të mbeten pa pension pleqërie. Zyrtarisht qarku i Korçës për vitin 2018  ka shënuar rënien më të thellë në shkallë vendi për numrin e lindjeve. Ku po shkon qyteti i Korçës dhe qarku i Korçës është e vështirë të parashikohet. Në variantin më te keq, braktisja e trojeve do të jetë masive; në rastin më të mirë e di vetëm  Zoti. Në vitin 1923, qyteti i Korçës kishte 25.598 banorë, ishte qyteti më i madh i Shqipërisë, popullsia shënonte rritje nga viti në vit. Tashmë gjithçka ka ndryshuar për keq; qarkun e Korçës nuk e ka më zili askush. Shifrat negative nuk janë rastësi, krahasuar me vitet e më parshme, humnera bëhet edhe më e madhe dhe më e frikshme. Rënia ka vite që ka nisur dhe nuk po ndalet, shifrat negative janë në rritje. Të gjitha këto të dhënat  janë të publikuara nga Instituti i Statistikave. Mungojnë vetëm vajtojcat që gjithçka ta thonë me lot dhe zë të lënduar.

Por gjeta dhe njerëz të gëzuar!

Po, diku në hyrje të Korçës pashë një grup njerëzish të gëzuar, dukeshin vërtetë të lumtur, kjo ishte e vetmja gjë që më la tejet të hutur, sepse nuk po e kuptoja dot përse ata kishin një sjellje krejt tjetër. Pyeta dikë përse ai grup njerëzish ishte aq i ngazëllyer, dhe përgjigjja që mora më la edhe më së shumti të hutuar. “Janë militantë, – ma shpjeguan, – sot, dikush vjen nga Tirana dhe këta do të jenë shoqëruesit e tij, në fakt nuk i gëzohen ardhjes së kandidatit për deputet, por drekës që do të hanë bashkë, ndaj sot do ta ndjekin hap pas hapi kudo që i ardhuri do të hyje e dalë.  Ata do të jenë gaztorët e tij, atmosfera që do t’i krijojnë deputetit të ardhshëm, (nëse fiton). Ata, deri në fund të fushatës  do të jenë  të pranishmit në çdo drekë e darkë, kripa dhe piperi, shija dhe lezeti. Dhe tani a  mund të më thoni, a nuk jemi kthyer në kohën e vajtojcave? Kjo ishte rubrika e parë nga Korça, na ndiqni dhe kini për të mësuar më shumë me rubrikat e tjera të vajtojcave.