“U bë bozë” thotë një fjalë e urtë. Kështu edhe kjo puna jonë me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Çirremi e qahemi, hidhemi e përplasemi, por gjithçka mbetet njësoj, si dekada më parë. (“Çfarë dallimi bën nëse bërtima është e fortë apo e paktë?” S. Beckett) Ja ndonjë nga fjalitë e pafundme e të formuluara së fundi – po në të njëjtin model – në Bruksel, nga Këshilli Europian, që përndryshe përfaqëson qeveritë e venedve anëtare të BE-së: “Këshilli gjithashtu mirëpret progresin e prekshëm të arritur në reformën e administratës publike dhe inkurajon Shqipërinë të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet në këtë fushë.” E inkurajon, dëgjoni ju? E inkurajon. Ka të paktën dy dekada që… e inkurajon. Vuuu(!) e në vend. Po vërtet, kush e ka fajin për këtë ngecje groteske, për kushtet e panumërta, të vazhdueshme, torturuese? Doemos një pjesë të fajit, e ka vetë BE-ja, që luan me Shqipërinë – për fat të keq – siç ka luajtur Evropa gjithë jetën. Një pjesë të mirë të fajit e ka vetë ajo, Shqipëria. Në fakt, kohë e pa kohë, fajësuar kemi edhe opozitën. Por le të shqyrtojmë ‘kushtet’ e formuluara këto ditë; dhe të shohim… çfarë është e opozitës dhe çfarë është e qeverisë së z. Rama, (një megalloman i pandreqshëm). Ja disa nga kushtet në vijim: Forcimi i dialogut politik në vend, lidhur me zbatimin e reformës zgjedhore dhe sigurimin e transparencës mbi financimin e partive politike. Funksionimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese dhe i Gjykatës së Lartë. Finalizimin i struktuarve anti-korrupsion si BKH dhe krijimi i një ‘gjurme provash solide’ (thonjëzat janë të autorit të shkrimit) për korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar. Zbatimi i planit të veprimit për trajtmin e rekomandimeve të Task Forcës për Veprimet Financiare. Ndryshimi i ligjit për mediat online në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
I pamë. Të afrohemi tani për një vështrim ‘ma precioz’, siç mund të thoshte Migjeni. Nga ato, vetëm kushti i parë dhe i dytë duket se kanë të bëjnë me opozitën; madje edhe këtu, ndahen përgjegjësitë. Të tjerat janë punë qeverie dhe administrate. Pra, kush e ka penguar qeverinë dhe administratën t’i realizojë ato? Le të përpiqemi të gjejmë termat e duhur: Paaftësia. Padija. Zvarritjet. Mungesa e dëshirës. Prirja për ngadalësim të reformave. Lojërat e turbullta për të ruajtur ‘statukuonë’. Këtyre termave mund t’iu ngjisnim nga një pikëpyetje prapa. Dhe prapë nuk do të ishte i plotë ‘vizatimi’. Kjo është Shqipëria, me dhe pa opozitë. Ky është realiteti ynë, dje dhe sot: një pikëpyetje e madhe, që një Zot e di si mund të shkulet dhe a do të shkulet nga jeta dhe episodet medituese të çdo qytetari shqiptar. Ne mund të vijmë rrotull në disa tema dhe arsye. Bie fjala, Eurostat na bëri me dije këto ditë që PPB-ja për frymë e Shqipërisë në vitin 2019 ishte sa 31% e mesatares së BE-së, duke e renditur kështu vendin tonë ndër ata me potencialin ekonomik më të dobët (në Evropë). Të dhëna këso, në disa fusha, mund të jenë vërtet drobitëse. Por prapë, nuk janë ato më e keqja; është vija, rruga, sundimi i të pahirëve, i mediokërve. Në politikën shqiptare, në administratën shqiptare, në ekranet shqiptare, sundon mediokriteti dhe banaliteti. (“Koha e ligë është koha e mediokërve. Shfaqja e tyre bëhet shpejt, vërshuese, pushtuese dhe pastaj sunduese.” A. Shkreli) Situata në të cilën ndodhemi – kjo është thënë e stërthënë, mes të tjerave edhe nga autori i këtyre radhëve – kërkon një vëmëndjen të veçantë ndaj marrëdhënieve me fqinjët, me partnerët, por më së pari mes vedi. Dhe emergjenca e kësaj thirrjeje, është tërheqja e klasës politike aktuale. Kjo duhet të fillojë nga qytetarët, nga vetë partitë politike. Krahas mënjanimit të zakoneve të këqia, të vjetra e të reja, na lipset një referendum që t’i vërë fre klasës politike që na ka rënë për pjesë gjer më sot. Kjo nuk do të thotë se ç’vjen më pas do të jetë e ndritur; por besoj do të jetë më mirë, më pranueshëm nga ç’ka hequr ai popull gjer më sot. (“Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato!” F. Kafka) Në këtë referendum, mund të vihen data, kufij, kërkesa. Shoqëria shqiptare duhet të pastrohet. Mund të jetë një nga mundësitë për të parë sadopak ndryshim. Rrugë tjetër nuk shoh.