Rritja ekonomike dhe pabarazia mes nesh

466
Sigal

Nga Fatos Çoçoli

Qeveria ka shumë të drejtë kur thotë se kemi rritje ekonomike. Pra, që vëllimi i mallrave dhe shërbimeve gjatë vitit që lamë pas është, mbi 4 përqind më i lartë se një vit më parë, në 2017-ën. Por kurrsesi nuk duhet të mburret dhe nuk ka si të ndihet mirë me këtë, edhe pse mund të jetë përpjekur ta nxisë këtë rritje. Kjo, pse jo të gjithë qytetarët e këtij vendi janë 4 përqind më të kënaqur se një vit më parë! Oligarkët po. Më zengjinët mes nesh kanë shtuar pasurinë e tyre dhe vëllimin e punëve me 11 për qind. Qeveria u është ndodhur pranë sa më ska. U ka plotësuar gati çdo kërkesë të tyre për akse rrugore të reja, për rrugë pranë qendrave të tyre tregtare, për ulje gati përgjysëm të taksës mbi dividendin (fitimin që shpërndajnë aksionerët në një kompani) më 1 janar 2019. Ndërsa më të varfërit kanë ndjerë rritjen e peshës së halleve, pasigurisë dhe shtrenjtimin e jetesës. Kanë ndjerë mungesën kronike të vendeve të reja të punës. Me fjalë tjetër, jemi rritur ekonomikisht, por në mënyrën më të pabarabartë dhe të padrejtë të mundshme. Rreth 8 për qind e popullsisë ka njohur rritje të pasurisë dhe mbi 80 përqind e saj (rreth 1.4 milionë vetë, pa llogaritur fëmijët): Të varfër, pensionistë, të rinj të papunë, punonjës të ndershëm të institucioneve buxhetore në Shtet e me rradhë, kanë parë se me ato para që kanë fituar me djersën e ballit, marrin mallra dhe shërbime më pak se një vit më parë.

Prandaj është dhe kjo pakënaqësi e madhe në rritje mes shqiptarëve. Kjo dëshirë e papërballueshme për të emigruar, në kërkim të një jete më të mirë. Kështu që qeverisë i ngelen shifrat e rritjes ekonomike në dorë, pse nuk ngrohin dot njeri. Ky vend është i mirë dhe i jetueshëm vetëm për oligarkët. Ata po që kanë Amerikën këtu tek ne. Të varfrit tek ne nuk trajtohen me dinjitet, por me indiferentizëm. Qeveria jep pagesën e varfërisë dhe të papunësisë si një krodhe bukë dhe nuk bën asgjë tjetër. Me qindra mijëra shqiptarë ndihen të papërfillur, pa kurrfarë shprese për të ardhmen. Prandaj dhe duan të ikin nga sytë këmbët. Problemi i shoqërisë sonë me varfërinë e përhapur është politik, jo ekonomik. Drama më e madhe është që njerëzit kujtohen dhe vlerësojnë më tepër sigurinë dhe trajtimin që u bëhej në diktaturë, se sa tani. Kjo është e pafalshme për një qeveri. Për më tepër që i thotë vetes, e dalë nga një forcë e majtë politike. Politikat e bashkimit shoqëror, e shtëpive për të pastrehët dhe e vakteve falas për njerëzit në nevojë për bukën e gojës, edhe në bashkinë më të pasur e të madhe të vendit, në atë të Tiranës, bëhen për spektakël e për t’u marrë nga mediat. Për të mos folur për bashkitë e tjera, sidomos ato në zona të largëta të vendit, veriore dhe mes malesh në jug. Njerëzit e ndjejnë se shteti, qeveria nuk është me ta. Nuk u përkushton fonde të mjaftueshme nga Buxheti i Shtetit, nuk ka programe shoqërore të gjera për zonat më të varfëra dhe të largëta.

Nuk punon dhe vepron realisht për ta, pavarësisht nga fjalët e bukura të politikanëve. Është kjo arësyeja e një mosbesimi të thellë dhe të përhapur mes qytetarëve, në lidhje me politikën (si pozitën dhe opozitën e vendit) dhe shpresën se politikanët e gjithfarë lloji do të punojnë ndonjëherë për ta. E vetmja shpresë, dritë në fund të tunelit, duket hapja e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti. Një mundësi që mund të fiket si qiriri nga era e fortë e protestave opozitare dhe e krijimit të tensionit politik artificial me çdo mënyrë dhe mjet. Nëse arrijmë të marrim hapjen e bisedimeve, megjithë këto stërkëmbësha që do të vijnë në rritje në muajt në vijim, atëhere mund të shpresojmë për fonde të rritura me dhjetëra miliona euro nga Bashkimi Evropian dhe për një vëmendje më të madhe të programeve të familjes së madhe të bashkuar evropiane (jo të qeverisë sonë) për shtresat më të varfra dhe në mungesë alternativash për të jetuar më mirë. Si gjithnjë, që nga koha e Princ Vidit e deri tek miratimi i reformës në drejtësi, më 22 korrik, dy vjet më parë, ne po mësohemi ta shikojmë shpresën nga të huajt, nga fuqitë e mëdha një shekull më parë, nga ambasadorët e SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian tani. Përveç këtyre, tani kemi edhe shpresën e protestës së studentëve tanë, pavarësisht se në mënyrë paradoksale, protestat dhe tensioni na dëmtojnë për gjasat e çeljes së bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.