Gentian Çala: “O njerëz”!

414
Sigal

Nga Gentian Çala

Kjo thirrje më del nga marazi i atyre që pres të ndodhin. Më duken sinjale shqetësuese për zhvillimet ndër shqiptarë. Tensioni shekullor me fqinjët tanë verilindorë, po tentohet të zgjidhet në tavolinë në stilin e “fitimit” të dyanshëm, ku të humburit do të jenë shqiptarët. Politika dhe qeverisja në Kosovë janë në dyert e Gjykatës Kushtetuese, ku secili prej vendimeve që mund të merren e dërgon Kosovën në një gjendje të re: me qeverisje pa mandat ose me zgjedhje që mund të mos prodhojë qeverisje. Ndërsa në Shqipëri, një “yes man” Kryeministër për ndërkombëtarët dhe autokrat për popullin e tij, duket garanci për atë që po përgatitet të ndodhë në Kosovë.

Shpopullimi me përmasa shqetësuese në viset shqiptare duket e frikshme dhe zgjidhje jo vetëm që nuk ka nga qeveritë këtu dhe përtej kufirit, por kjo dukuri minimizohet ose jepen “zgjidhje” të stilit heqim ca dhe marrim disa të tjerë. E mjerimi i mosbesimit nuk ndalet, hyn në çdo mendje, nga veriu në lindje, nga fshati në qytet, ku shumica janë në kërkim të ikjes. O njerëz, këta që qeverisin, po na bëjnë të ikim, e kjo nuk duket as spontante dhe as e pamenduar. Në botën e çmendurisë së globalizimit, të fitimit, të shfrytëzimit, mendje të caktuara që trafikojnë interesa, nuk duan t’ia dinë nëse ne tretemi apo zhdukemi. Fatkeqësia janë kastat që për pushtetin e tyre, i shërbejnë ideve të tilla.

Ndër hallet e përditshme që keni, nuk ju lenë hapësirë të mendoni për disa gjëra të tjera. Qeveritarëve ju duheni të varfër dhe të shtypur, ju duheni të mendoni vetëm për bukën e gojës. Kaq! Për të tjerat mendojnë ata. Ata që nuk kanë ndjeshmëri, ata të marrëveshjeve të territoreve, ata që i thonë po gjithkujt që vepron kundër jush, se ata njohin vetëm atë që i mban në pushtet. Kurse ne jemi bërë ashtu siç na duan ata! Zhgënjimin tim nuk di nga ta kap e nga ta ze fill: ca prej atyre që duhej të na ndihmonin po na ngatërrojnë më keq, ata që duhej të na udhëhiqnin po i shërbejnë vetes. Kurse populli, ju o njerëz që ikni apo rrini, jeni spektatorët e teatrit që luhet me ju.

O njerëz! Me t’çelë sytë dhe me të ndriçu mendjen nuk është kurrë vonë! Ne mund të humbasim shumë nga ato që kemi fituar mundimshëm e që po i falim pa u përpjekur ti mbrojmë. Mos harroni se vatra jonë është aty ku na e lanë trashëgim t’parët. Me humbjen e saj vdes edhe një pjesë e jona!