Ëngjëll Musai: Zëdhënësit e qeverisë shqiptare nga Gëllçi, Blushi, Dalipi te Elisa Spiropali

986

Nuk ka ndodhur dhe nuk kish parë ky vend që një ish-drejtoreshë doganash të bëhet zëdhënëse qeverie. Me sa duket kosherja e mjaltit të doganës paska rrjedhur në rrugën që të çon në selinë e Qeverisë, dhe ky mjaltë ka mbajtur të ngjizur lidhjet mes kreut të qeverisë dhe ish-nëpunëses së tij në krye të doganave. Nëse do ti referohemi raportit të kompanisë angleze Crown Agents, e cila do të monitoronte doganat shqiptare, për të cilat shteti pagoi miliona euro të taksapaguesve theksohet se: “Raporti mbi korrupsionin në dogana është i vërtetë, ekzistenca e të cilit është përfolur prej kohësh dhe ka qenë temë e nxehtë debati pasi Drejtoria e Përgjithshme Doganore regjistroi rënie të stërmadhe të të ardhurave në raport me planin përgjatë të gjithë vitit 2015, ku të ardhurat e munguara qenë në rendin e qindra milionë eurove.” Por qeveria e kryeministrit Rama ka mohuar me këmbëngulje ekzistencën e korrupsionit në dogana. Nga ana e saj kompania e specializuar angleze nuk e ka pranuar këtë argument dhe në një raport konfidencial raportonte se: “Për shkak të llojit të punës sonë, ky raport ishte konfidencial, prandaj ne nuk mund të përgjigjemi mbi çështjet specifike, të cilat përmenden në të”. Kjo ishte deklarata zyrtare e Crown Agents në një njoftim për shtyp të shpërndarë të shtunën, datë 23 janar 2016 , ku mbulohej periudha 2014- 2015. Tre vite më pas pikërisht në 22 Janar 2019 ish-drejtoresha e Përgjithshme e Doganave e emëruar si ministër e Shtetit për Parlamentin del në konferencën e parë për shtyp, por njëkohësisht edhe si zëdhënësja e re e qeverisë.

Një nga parimet e zëdhënësit ka të bëjë me faktin se duhet të jesh:

Së pari, i përkushtuar për transparencën, dhe ky veprim meriton vlerësim, pasi zonja Spiropali u kërkoi të gjitha institucioneve që: “Në kuadër të ligjit për informimin, siç ju e dini të gjitha autoritetet publike kanë detyrën që të japin informacion te mediat dhe te qytetarët mbi të gjitha dokumentet që ata prodhojnë ose mbajnë.”përfundoi zëdhënësja Spiropali. E megjithatë populli thotë se, “nga e thëna në të bërë, na ndanë një mal i tërë”. Ndoshta në të majtën shqiptare, në shoqërinë civile dhe në Partinë Socialiste ka të tjera figura dhe intelektualë me peshë dhe të pa përfolur. Por me sa duket kreu i qeverisë Rama zgjodhi të emëronte një “rilindëse”, edhe pse raportet e kompanisë ndërkombëtare e nxorën si të dështuar dhe korruptuar institucionin ku ajo drejtoi për disa vite. Me sa duket Rama i shikon figurat që emëron jo si vlera por si piktura, ku më e rëndësishmja nuk është ajo se çfarë ka brenda telajos por thjesht telajua ose ajo që fshihet pas telajos. Përgjegjësi e madhe për atë që e emëroi dhe akoma më e madhe për znj. Spiropali që e pranoi detyrën e zëdhënëses, pasi ajo njëkohësisht do të flasë edhe në emër të qeverisë edhe në emër të kuvendit, pasi tek ne aktualisht drejton partia-shtet. Ju jeni në atë post si pasardhëse e Ben Blushit, Aldrin Dalipit, Musa Ulqinit, Thoma Gëllçit, Majlinda Bregut, Lorenc Vangjelit, Mersila Dodës etj. Që të gjithë këta që po ju përmend znj. Elisa nuk vijnë nga bota e çudirave por nga ajo e gazetarisë së mirëfilltë. Ju u katapultuat në këtë post duke shkelur disa parime të thjeshta në dukje, por tepër të rëndësishme në vlera dhe standarde profesionale. Zëdhënësi vjen në atë post nga shkolla e medias dhe jo nga doganat. Ndërsa ministre për Parlamentin është më se e pranueshme, madje kusht që të vish nga doganat, tatimet, KESH, Bankat, portet, aeroportet etj.

Së dyti, të përfaqësosh zëdhënësen e qeverisë duhet që të jesh edhe bindëse për publikun dhe kundërshtarët por nga ana tjetër edhe e besueshme për mediat dhe sidomos kolegët e tu. A ndodh kjo me Erisën?! Ky parim është i shenjtë sidomos në perëndim dhe SHBA. Por këtë të fundit ju mbase nuk e keni për zemër dhe shembulli u dha para disa ditësh nga shefi juaj në adresë të VOA-s. Mënyra që zgjodhi duke emëruar znj. Spiropali është përsëri sfiduese ndaj medias dhe publikut dhe shfaq fytyrën arrogante të qeverisë. Ndaj dhe urimi për të gjithë mediat është: “Ta gëzoni zëdhënësen e qeverisë!”