Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Iku Parlamenti që bënte ligje antikushtetuese!

377
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Fjalimi i Ramës në Forumin e Prespës, si fjalimi i Nolit në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve me 10 shtator 1924.

Miqtë e mi “besnikë” ! Do të dëshiroja shumë, që në analizën e sotme, të përdorja stilin Nolian, që në historinë e institucioneve politike të Shqipërisë, ka hyrë si mjeshtëri i fjalës sarkastike e idealisti më i “pandreqshëm”, dhe si kryeministri më i dobët në vitet 20-të të shekullit XX-të, si e vlerësonte Kryetari i Akademisë së Shkencave, Aleks Buda në “kohën e Enverit”.

Nga politikanët, Rama ka thënë tërë qejf, se model ka Nolin. Për ta provuar, nuk është e nevojëshme të “kërrejmë” studime. Mjafton të krahasohen fjalimi në Forumin e Prespës, me fjalimin e Nolit në Asamblenë e Përgjitheshme të Lidhjes së Kombeve më 10 shtator 1924, kur ishte kryeministër i Shqipërisë.

“Deputetët ikën nga “miniera e floririt”, thyen qafën, por përveç përftimeve e dhuratave për shërbimet, ai soj politikani, do u marrin akoma gjak, taksapaguesve të varfër shqiptarë me pensionet suplementare !”

Le ta nisim me Parlamentin që sapo u mbyll. Si do e “ledhatonte” Noli ? Iku, shpëtuam, nga ky parlamenti ynë i sajuar dhe këta baballarët e kombit që i pataksën të gjallë e të vdekur me gojën e tyre të shthurur dhe na e boshatisën buxhetin e shtetit më të varfër të Evropit, me ligjet antikushtetuese, që frynin barkun e pasunarëve të panginjur, të “oborrit kryeministror”.

Në fakt, Noli parlamentin, nuk e dëshironte fare. Erdhi në pushtet me kryengritje më 10 qershor 1924, dhe e qesëndiste Lidhjen e Kombeve dhe sekretarin e saj të përgjithshëm, sepse nuk i jepte huanë e kërkuar. Prandaj e pyeti sekretarin. Përse nuk na e jepni huanë 300 milionë fr. ari ? Atëhere po bëj gjestin elegant dhe po e zbres në 200 milion…. Ju tundni kokën. Jam gati ta ul në 100 milion. Nuk do jepni asnjë dhjetëshe ?Ju refuzoni ? Athere merre këtë kërkesen time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbyteni fort në akropolin tuaj, sepse mund t’u dalë nga varri. Ndoshta ju nuk jepni huanë, se nuk doni të hyni në bisedime me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, por, një qeveri, që ka kryeministër priftin e përunjur që po ju flet ? Po ç’ishte parlamenti sipas Nolit ? Është një sallë ku mblidhen politikanë të pashpirt, për të bërë prova operete, në trupin e gjallë të rracës së tyre, një sallë plot gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lotë dhe të qeshura…

Fjalimi i  Nolit ngjason motamo sikur e kishte me “gazrat” e deputetëve listare, që hynë në parlament si përfaqësuesit e “opozitës parlamentare”, dhe u shkulën nga “miniera e floririt”, si përfaqësuesit mazhoritarë, duke ëndërruar rikthimin e shpejtë  tek oda e fjalimeve, që i bëri më të famshëm së aktorët e TCh, që përpiqen të përputhen në dashni.

Nuk jemi në endërr. Ata ikën, thyen qafën, por, përveç përftimeve e dhuratave për shërbimet, ai soj politikani, do u marrë akoma gjak taksapaguesve të varfër shqiptarë me pensionet suplementare !

“Shqipëria, që u fut në Lidhjen e Kombeve, më 17 dhjetor 1920, pas 100 vjetësh, nuk po hap dot negociatat, për tu bërë pjesë institucionale e BE-së. Rama me fjalimet e tipit Nolian, herë hap shampanjën e feston hapjen e negociatave, e here- herë bie në dëshpërimin Nolian, e u turret me “kosën e barit” BE-së.”

Noli, ligjëroi, e shkarkoi dufin kundër Sekretariatit të Përgjithshem dhe e këshilloi atë të duronte edhe tre vjet të tjera qeverimin e tij atëror, për të bërë zgjedhjet parlamentare, që i kërkonin si kusht për të dhënë huanë, zgjedhje të cilat, Noli i quante, plagë e madhe e bestytni e shëmtuar.

Fjalimi u trajtua si brilant, nga mediat ndërkombëtare, por, për Nolin, ishte fundi i tij si politikan.

Shqipëria, që u fut në Lidhjen e Kombeve, më 17 dhjetor 1920, pas 100 vjetësh, nuk po hap dot negociatat, për t’u bërë pjesë institucionale e BE-së. Rama me fjalimet e tipit Nolian, herë hap shampanjën e feston hapjen e negociatave, e herë -herë bie në dëshpërimin Nolian, e u turret me “kosën e barit” BE-së. Në fjalimin e mbajtur në Forumin e Prespës, por të organizuar në Ohër, e bëri BE- në copë e thërrime. Ashtu, me shalët e gjata, i hypur mbi Rosinantin e “qua” me beeee BE-në e kredhur në depression, e së bashku me Vuçiçin e Zaev morën vendimin që të tre, të shpallin se, ata nuk janë në depresion dhe as do i luten evropit, ej, ju, shikoni, ne jemi këtu, na pranoni, se ata, pra të tre, si tre musketierët e kohëve moderne, janë shumë më mirë së evropi, pa depresion, po rriten e zhvillohen dhe falë zotit, evropi nuk mund t’i bllokojë e t’u tregojë se çfarë musketierët  modernë, mund të bëjnë në rajonin e tyre, të cilin po e projektojnë si domenin e tyre, dhe as që ka më nevojë për ndihmën e udhëheqësve të BE-së ,veç, Presidentes së BE-së dhe Komisionerit  të Zgjerimit,  që i shpëtuan evropit fytyrën!

Nga parlamenti i sajuar shpëtuam..Rama i përdori si ariun e cirkut…