Jakup B. GJOÇA / Shqipëria vrasëse e Adelës dhe Adela edhe vajza ime

972
Sigal

Adela
Nuk ka zemër Njeriu që të durojë dhimbjen Tënde.

Ti Adelë, bijë
Ike nga kjo Botë duke zënë edhe Sytë me një copë rrobe, sepse nuk doje të shikoje në frymën e fundit të Jetës Tënde përçudnimin e kësaj Shqipërie të sotme vrastare.

Dhe na le, neve, të gjithë prindërve të jetojmë Errësirën e Shpresës së vrarë të fëmijëve tanë se në këtë Shqipëri të sotme nuk ka më Shpresë për të jetuar…

Adelë Ti ike nga kjo Botë sepse nuk e durove dot këtë Shqipëri të sotme.
Nuk vrave vetëm Jetën Tënde por vrave edhe çdo zemër prindi.

Adelë Ti ike nga kjo Botë sepse nuk kishe më Shpresë të jetoje me Dinjitet si Njeri.

Ti Adelë Ike për të na dëftuar neve shqiptarëve se kjo Shqipëri e sotmja është vrastare e së Ardhmes të fëmijve tanë.

Adelë, bijë, Ti nuk u vetëvrave. Kjo Shqipëri e sotme TË VRAU.

Adelë, kjo Shqipëri e sotme, i vrau edhe Vajzës time Shpresën se këtu në Atdheun e Saj nuk jetohet me Dinjitet, me ndershmëri.
Adelë, edhe vajza ime në moshën Tënde ishte kur, duke u larguar nga kjo Shqipëri e sotme, më tha me lot në sy:
– Babi, më thuaj një fjalë, pse duhet të jetoj më në Shqipëri. Edhe dëshirën të mësoj, ma mohoi…

Adelë, bijë
Ti (por as vajza ime) nuk ishe bija e Ministres së Rilindjes Lindita Nikolla që të merrje bursën e Taksapaguesve shqiptarë e të studioje në Paris e pastaj të punoje në Bankën e Shqipërisë me rrogë 10.000 Euro në muaj.
Edhe pse Ti Adela ishe studenta e shkëlqyer e Universitetit Publik të Tiranës…

Ti Adelë ( por as vajza ime)
nuk linde kaq e lumtur sa të kishe baba GjeneralMinistër Sandër Lleshaj që me Paratë e Shqiptarëve të studioje në Gjermani e pastaj të emëroheshe Ambasadore në Zvicër…
Por Ti Adela u diplomove me nota “SHKËLQYESHËM” në Universitetin Publik të Tiranës por kjo Shqipëria e sotme të vrau Shpresën se me Meritën Tënde Intelektuale dhe Profesionale mund të punësohesh në Shtet…

Adelë, bijë
Ti, Atje lart ku je tani, na thua se ky kryeministri i kësaj Shqipërie të sotme e ka privatizuar Shqipërinë e sotme, dhe nëse nuk i puth atij dorën, as frymë nuk merr dot më në këtë Shqipëri të sotme…

Ti Adela
ishe e pafat sepse në Jetën Tënde nuk njohe Edi Ramën si shok e drejtues i MJAFT që të të emëronte Drejtoreshë të Përgjithshëm të Doganave të Shqipërisë, si Elisa Spiropali, vetëm e vetëm pse Elisa qëllonte me domate Kryeministrin e Partisë Socialiste…

Ti Adela
nuk u bëre kaq e zellshme dhe e përkushtuar sa ta cilësoje Kryeministrin e kësaj Shqipërie të sotme ” SKËNDERBE” që si shpërblim i servilizmit të emëroheshe Ministre e Marrëdhënieve të Kryeministrit të kësaj Shqipërie të sotme…

Ti Adela
ishe kaq Njeri i dlirtë sa nuk munde të duroje barrën e madhe të Sakrificave të prindërve të Tu, që me djersën dhe mundin e punës së tyre të Arsimuan Ty në universitet, por edhe pse u diplomove SHKËLQYESHËM mbete e papunë…

Sepse
Ti Adela
nuk ishe Kriminele, as trafikante e dënuar nga Gjykatat Penale që Kryeministri i kësaj Shqipërie të sotme të të emëronte Deputete apo Kryebashkiake.

Ti Adela,
U vetsakrifikove për të na bindur ne Shqiptarëve sa pak vlerë ka Jeta e Njeriut në këtë Shqipëri të sotme.

Ti Adelë
Viktima e Ndershërisë Njerëzore, na the me gjakun Tënd se kjo Shqipëri e sotme nuk është më e shqiptarëve, derisa babai e nëna jote nuk kanë asnjë mundësi që me Djersë, Sakrifica, Ndershmëri të ushqejnë fëmijët e tyre as me bukë e kripë. Kur Kryeministri i kësaj Shqipërie të sotme u jep klientëve të vet Shqipërinë me koncension për 30 vite.

Adela, Ti me vetmohimin Tënd
u the shqiptarëve që kjo Shqipëri e sotme nuk është e shqiptarëve në 30 vite që vijnë, Ngaqë ky kryeministër i sotëm e ka shitur me koncesione çdo shpresë të shqiptarëve për të jetuar në Atdheun e Tyre.

Ti Adela, duke vetikur nga kjo Jetë,
u the shqiptarëve që sot nuk kanë më Atdhe, sepse kryeministri i kësaj Shqipërie të sotme shqiptarëve ua rrëmbeu Atdheun, ua shiti me koncension.

Adelë, Ti duke u vetsakrifikuar e pashpresë të jetoje me ndershmëri
U the çdo prindëri që
Ky kryeministri i kësaj Shqipërie i tha babait dhe nënës Tënde që për çdo fëmijë që lind dhe do të lindë nuk ka më Shqipëri. Çdo fëmijë që lind në këtë Shqipëri të sotme, ose të ardhmen e ka në ..varr, siç të detyruan TI Adelë,
ose të arratiset nga kjo Shqipëri, siç detyruan Fëmijën time, siç detyruan të arratisen nga kjo Shqipëri e sotme 450.000 mijë shqiptarë.

Adelë
Ti e dije se 80 % e shoqeve dhe shokëve të Tu duan të largohen përgjithmonë nga kjo Shqipëri e sotme, sepse u janë vrarë Ëndrrat, dëshirat të jetojnë e punojnë në këtë Shqipëri të sotme…

Adelë.
Bijë. Falna që nuk mundëm të të jepnim një tjetër Shqipëri, që Ty të jetoje…