Agim Jazaj: Sovrani e dha verdiktin…!

568
Sigal

Peshorja e tha fjalën e saj: 85 % e shqiptarëve, zgjedhësve refuzojnë politikë- qeverisjen e krimit, degradimit dhe degjenerimit

Ashtu siç dhe nisi fushata e zgjedhjeve, në realitet e shndërruar në: Votimet-Abuzimet e 30 Qershorit, pa dekret të Presidentit etj, etj. Përgjatë zhvillimit, janë shoqëruar edhe me falsifikime, të pa dëgjuara e aplikuara deri më tani, të pa parashikuara, ndoshta edhe nga njerëz të sprovuar, në organizimin e këtyre proceseve, edhe pas 30 viteve, me këto përmasa.

Ndër më të rrallat rezulton: Abuzimi dhe falsifikimi i votave edhe duke qenë: “vetë Ali e vetë Kadi”! Vetë- voton e vetë- numëron, komisonerët e vetëm të PS…etj

1- Fenomeni “Suficiti” i votave, në krahasim me votuesit. Dukuri që është shtrirë pothuajse në gjithë qendrat e votimit- numërimit- ngatërrimit të Votave. Mbushja e kutive të votimit, mbi numrin e pjesëmarrësve, është një fenomen që provon dhe thellon krimin e votës, duke dhunuar në mënyrën më harbute të drejtën themelore të sovranit dhe duke deformuar produktin e saj.

Mbi 94 vota të hedhura, kanë rezultuar mbi numrin e votuesve edhe në kutitë e votimit, në bashkinë Selenicë.

2- Fenomeni tjetër është shënuar kudo, madje më shifra ulëritëse: votat e pavlefshme. Edhe ky fenomen i rezultuar kudo, shpjegohet me organizimin, dhunimin e të drejtës, detyrimin, pra votimin me dhunë të të gjithë njerëzve, e sidomos të punonjësve të ndërmarrjeve shtetërore, institucioneve, ndaj të cilëve është ushtruar dhunë, detyrimin e tyre për të shkuar e votuar, madje të votojnë me soj e sorollop.

Si provë duhet të paraqiten në punë ditën e hënë me shenjën në gishtin e dorës, në qendrën e votimit…Por, ky dhunim- detyrim shtetëror i PS, është përkthyer edhe nga votuesit, duke shkuar në qendrat e votimit, kanë marrë shenjën e gishtave dhe si i thonë llafit, i kanë futur gishtin fletës së votimit! Duke e zhbërë votimin. Kjo diktaturë mbi zgjedhësit, e dalluar kudo, ka rezultuar me mbi 1000 vota të numëruara, të pavlefshme, edhe në 4 KZAZ e qytetit të Vlorës. Votuesit janë detyruar të shkojnë në qendrën e votimit, po nuk kanë pranuar të votojnë në mënyrë të verbër. Edhe ky kontingjent, të njohur brenda kësaj stalle, madje të detyruar të votojnë për PS, nuk e pranojnë këtë politikë, kanë kundërshtuar kandidaturën, deri me karikatura e sharje të subjektit dhe kandidatit, në fletën e votimit!… Nuk kanë pranuar votën qorre, të imponuar, por kanë realizuar: votën e arsyes. Pra, votat e pavlefshme, e kanë zhbërë edhe këtë abuzim pervers të Rilindjes.

3-Fenomeni i tretë i ndodhur në këtë farsë votimesh është braktisja e komisionerëve nga qendrat e murmurimit. Gjë që e ka bërë edhe më të vështirë procesin e numërimit të votave. Gjithçka ndodhi në këtë maskaradë votimesh. Vota referendare e sovranit e dha verdiktin, vendimin e formës së prerë: 85 % e zgjedhësve refuzojnë politikë- qeverisjen e Krimit, degradimit dhe degjenerimit… Sovrani e ribëri nul 30 qershorin. Falënderime, mirënjohje dhe përulje përpara Tij!… Ekspertët dhe politikëbërësit, duhet të kenë mbajtur shënim edhe këto fenomene, shëmtimi dhe abuzimi mbi të drejtën fundamentale, të drejtën e qytetarit: “Të zgjedh dhe të zgjidhet”. Në këto raste, nuk zgjedh-zgjedhësi…