Mekolli i zhgënjyer nga Shqipëria: Me këto masa po falimentojmë, do të largohem!

356
Sigal

Renato Mekolli, një nga shefat e kuzhinës më të njohur në Shqipëri, shprehet i zhgënjyer me masat e qeverisë për të mbyllur lokalet gjatë fundjavës dhe orarin e kufizuar. Në një intervistë televizive ai tha se, nga një anë shteti nuk u ka ofruar asnjë ndihmë dhe nga ana tjetër po i penalizon në mënyrën më të rëndë të mundshme.

“Jemi në një situatë tragjike. Restorantet prej tre muajsh nuk kanë punë. Ndihmë nga shteti nuk ka aspak, është një situatë kaosi. Vërtetë ne kemi një orar deri në orën 21:00, por atëherë dalin të gjithë njerëzit dhe janë të qetë për të shijuar ndonjë darkë”, shprehet z. Mekolli.

Ai tregon se, nga 15 persona që punonin në kuzhinën e restorantit të tij, sot gjenden vetëm shtatë vetë. Renato Mekolli krahason atë që po ndodh në vendin tonë me Greqinë, duke theksuar se mbyllja është bërë më vonë ndërsa hapja ka ardhur njëkohësisht me ne.

“Greqia u mbyll më vonë dhe sot që flasim janë hapur të gjitha. Turizmi, restorantet dhe lokalet janë të hapura. Jam pro masave dhe protokollit të sigurisë, por nuk mund të na vënë kufizime. Po falimentojnë bizneset, jashtë kanë mbështetje nga shteti, këtu nuk ka asnjë lloj mbështetje. Kjo është qesharake. Në një kohë normale në kuzhinën time duhet të ishin 15 veta, tani janë shtatë persona. Këtu çalon gjithçka se asnjëri nuk ka besim, ka dhe interesa personale dhe të gjithë nuk bëhen bashkë”, shprehet ai.

I gjendur përballë kësaj situate, z. Mekolli thotë se ka vendosur që të largohet nga Shqipëria, por jo tani në një kohë të mëvonshme dhe destinacioni do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo situatë të bën që të dalësh nga vetja dhe të thuash se ky vend nuk është për të jetuar. Shikoj që nuk kam mbështetje nga shteti dhe njerëzit që na drejtojnë, situata është absurde. Do të largohem nga Shqipëria dhe ia kam vënë syrin Los Angeles. Dëshira ime është që të jap pasionin dhe dëshirën time dhe të ndjej që ajo që jap të më kthehet”, theksoi z. Mekolli.