Rilindja, kanceri, që duhet hequr, përpara se të na vrasë të gjithëve

292
Sigal

Analizë nga Prof.Dr. Ana Leka; Qeveria Rama është më e korruptuara në 30 vitet e fundit, e mbushur plot skandale, abuzime, paligjshmëri, me drejtues të papërgjegjshëm, e madje kriminelë të lidhur me krimin dhe drogën. Një rilindje rrumpallë me ministra dhe kryebashkiak që kanë shkatërrur demokracinë,rendin kushtetues, të cilët edhe në kohë pandemie abuzojnë me tendera miliona euro duke përzënë edhe investitorët amerikanë

 

 Prof. Dr. Ana Leka

“Kombet bashkohen dhe lulëzojnë bazuar në besimin se institucionet e tyre mund të parashikojnë fatkeqësi, të ndalin impaktin e tyre dhe të rivendosin stabilitetin,” – shkroi para pak kohësh Henry Kissinger, ish sekretari amerikan i shtetit, mendimtari dhe diplomati më i shquar i shekullit të fundit, në lidhje me realitetin e ri në të cilin gjendet bota sot për shkak të pandemisë.

Krerët e shteteve më të fuqishme të botës, BE-së, OKB-së, OBSH-së, etj të gjithë pajtohen se bota po përballet me një situatë të vështirë dhe jeta që vjen më pas nuk do jetë më e njëjtë. Ekonomia nuk do jetë më e njëjtë. Dhe në Shqipërinë e varfër, familjet shqiptare do jenë edhe më të varfra. Në këtë realitet të ri, ndryshe nga krerët e përgjegjshëm botëror, kryeministri shqiptar narsicist gjatë të gjithë pandemisë nuk përmendi forcimin e institucioneve. por vetëm deklarata absurde si: Zoti më ka zgjedhur mua; Nuk jam më i miri por më të mirë se unë s’ka; dhe: Do e marr timonin e qeverisë edhe po të jem i sëmurë dhe me respirator. E shumë deklarata të tjera, karakteristike të një drejtuesi autoritar, megaloman, karagjoz e të papërgjegjshëm.

Në këtë situatë të re që ndodhemi, me rreziqet që na presin më pas, me mundësinë e një recesioni ekonomik që jo vetëm ja kalon atij të vitit 2008 por edhe na kthen në periudhën e pas Luftë së Dytë botërore, siç thotë edhe Kissinger, kërkohen institucione që ndalin impaktin e fatkeqësive dhe rivendosin stabilitetin.

A i ka Rama këto institucione?

A është e aftë qeveria Rama të përballet me një realitet të ri kaq të frikshëm? Nga çfarë kemi parë gjatë të gjithë qeverisjes së tij, përgjigja është JO. Ky përfundim nuk vjen nga aftësia jonë parashikuese, por nga analiza që gjithsecili prej nesh mund t’i bëjë qeverisjes së tij. Qeverisjes më të korruptuar në 30 vitet e fundit. Një qeverisje plot skandale, abuzime, paligjshmëri, me drejtues të papërgjegjshëm, e madje kriminelë të lidhur me krimin dhe drogën. Një qeverisje rrumpallë, e cila ka shkatërruar demokracinë dhe rendin kushtetues në vend. Një qeverisje e cila edhe gjatë kësaj pandemie vjedh e abuzon me tendera miliona eurosh që nuk shkojnë për luftën kundër pandemisë por për xhepat e rilindësve. A duhet lejuar Rilindja të menaxhojë Shqipërinë e një krize të re, teksa ajo ka shkaktuar një krizë të vjetër, e cila vazhdon të rëndojë mbi jetën e shqiptarëve?

 

Rilindja është një kancer që duhet larguar përndryshe do na vrasë të gjithëve

Plani i Ramës për t’u përballur me betejën e frikshme që na pret është legalizimi i hashashit. Ky është një plan i vjetër që i funksionoi për të rrëmbyer zgjedhjet dhe për të kapur shtetin. Po me këtë plan ai ëndërron të fitojë edhe betejën e radhës në interes të tij e jo të vendit e shqiptarëve.

Në vend që të punohet për përmbushjen e 15 kushteve të vendosura nga BE, Rama kërkon të shkojë në zemër të Evropës me kanabis. Marrëzi. Tallje. Diversion. Kishte shtatë vite kohë ta realizonte këtë projekt por e la për tani. Përse, sepse e ka lakun në fyt nga paudhësitë e tij korruptive. Pasi tani në fund të mandatit përmes hashashit mund të pastrojë milionat e vjedhura gjatë qeverisjes, jo vetëm të tijat, por edhe të grupeve kriminale, me të cilat ai bashkëpunon dhe të oligarkëve të cilët i ka majmur pa kursim. Me të mbaruar kjo pandemi, Rilindja duhet të largohet. Politika duhet të mobilizohet e të mos merret më me mikro-politika si deri tani por me makro-politika. Të merret me sigurinë e vendit dhe me masa të matura e të guximshme ekonomike.  Krizat prodhojnë fatkeqësi por edhe oportunitete.

 

Në këtë rend të ri botëror, cili do jetë vendi dhe roli i Shqipërisë?

Të fundit në Ballkan dhe në Europë, siç ishim përpara pandemisë, apo të nisim e mendojmë më guximshëm për t’u bërë faktorë në rajon për turizmin, të thithim investimet e huaja amerikane e perëndimore?  Për të pasur një qasje të re dhe për ta luftuar me sukses betejën që na pret, duhet një qeveri e përkushtuar dhe jo korruptive, si kjo që kemi, e cila na ka renditur të fundit në kontinent për sa i përket klimës së biznesit dhe të parët për korrupsion, e vërtetuar kjo nga të gjitha raportet serioze ndërkombëtare. Pandemia na mësoi, sesa e rëndësishme është qeverisja e mirë, përgjegjshmëria institucionale, funksionimi i shtetit të së drejtës. Fëmijët tanë kanë kaluar trauma e bashkë me ta edhe ne jemi të shqetësuar me atë që na pret nesër. A do lejojmë që Rilindja, ky klan mafioz që e zhyti vendin në korrupsion, që largoi bluzat e bardha, që detyroi shqiptarët të largohen, të marrë fatet e së ardhmes për fëmijët tanë? Në dorë të këtij kanceri do mbetemi edhe pas kësaj tragjedie? Jo, kurrë mos qoftë! Në dorë të këtij parlamenti gjysmak, ilegjitim e qesharak do mbetemi? A mundet ky parlament i kontrolluar nga Rilindja të prodhojë ligje dhe paketa ekonomike që do ndërtojnë një Shqipëri të sigurt e të qëndrueshme?  A mundet që kryetarët e bashkive, të ulur në karrige pa garë, shumica e të cilëve janë të lidhur me krimin, e me precedentë penalë, të kujdesen për nevojat e qytetarëve dhe të hartojnë plane e nisma lokale për zhvillimin e qyteteve e fshatrave tona?

 

Ktheni kokën pas në tmerrin e viteve të fundit për të imagjinuar katastrofën që na pret!

Në shtatë vite qeverisje Rilindja shkatërroi shtetin, institucionet, shkeli Kushtetutën në çdo ligj, shkatërroi gjykatat, degjeneroi parlamentin, shtypi median, vuri si standard të drejtësisë Dvoranin, një askush kamikaz që u bë si i famshëm botërisht, si gozhda e Nastradinit, në dëm të sistemit të drejtësisë. Në pak vite, Rilindja detyroi shqiptarët të mësojnë emër pas emri të kriminelëve, duke i bërë më të famshëm se yjet e kinemasë, detyroi bluzat e bardha të largohen, të mësojnë gjermanishten në moshë të madhe vetëm e vetëm që të emigrojnë sa më parë. Rilindja, si një kancer malinj, shpopulloi Shqipërinë, fyu intelektualët, rrënoi arsimin, shëndetësinë, artin, trashëgiminë kulturore, uzurpoi pronat e shqiptarëve, përdhosi emrin e Shqipërisë në arenën dhe median ndërkombëtare. Me ligësinë e saj shkatërroi demokracinë e fituar me kaq mund e sakrificë.  Rilindja na vrau shpresën e tani na rrezikon qëtë vdesim edhe fizikisht. Ajo duhet të largohet përpara se të shuhemi.  Kërkohet një politikë e re, një parlament i ri dhe një qeveri e re! Kjo sa më shpejt, përndryshe kanceri po avancon dita-ditës me korrupsionin dhe PPP-të e veta me të cilat ushqehet, e shumë shpejt do na vrasë të gjithëve! Në çdo frymëmarrje të Rilindjes ka korrupsion dhe vetëm korrupsion. Duhen sa më parë zgjedhje të reja që populli shqiptar të marrë në duart e veta fatin e vendit.  Të nderuar ndërkombëtarë ju tashmë e dini fare mirë që shqiptarët po vuajnë. Edhe ju e kuptoni gjendjen e rëndë politike, ekonomike, sociale, institucionale dhe korruptive në të cilën gjendet vendi ynë. Distancohuni nga ky regjim e mbani anën e demokracisë, të asaj demokracie mbi të cilat janë ndërtuar vendet tuaja. Shtetet mund të bashkëpunojnë dhe përfitojnë më shumë nëse bazohen mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Jepini një arsye të prekshme që shqiptarët t’ju bekojnë me zemër, që në momentet e tyre më të vështira ju qendrat krah tyre dhe jo një qeverie të korruptuar. Ambasadore Kim, investimet amerikane janë privuar në Shqipëri për shkak të korrupsionit dhe mungesës së drejtësisë. Shqiptarët e pritën me padurim ardhjen tuaj, përmbusheni pritshmërinë e tyre dhe reflektoni tek ky popull vlerat amerikane të shtetit të së drejtës dhe ëndrrës amerikane që shqiptarët e kanëpatur edhe në kapitujt më të errët të historisë së tyre. Delegacioni i BE në Tiranë, shërbeni si një pasqyrë reale e katastrofës, ku gjendemi dhe ndizeni sinjalistikën e integrimit në BE bazuar mbi kushtet që duhen përmbushur e jo me marrëzira kanabisi, në mënyrë që shqiptarët të shkojnë në Evropë me krenari dhe meritë, ashtu siç u takon.

 

Shqiptarë mos u mashtroni më

Ne jemi një popull i vogël por me dinjitet, ndaj mos lejoni më një pakicëkancerogjene të tallet me ne, të shkatërrojë këtë vend, dhe të skllavërojë të ardhmen e fëmijëve tanë. Rilindja ka dështuar. Çdo ditë që kalon dështimi shtohet e rëndon gjithnjë e më shumë mbi familjet shqiptare. Largimi i saj është hapi i parë i çlirimit. Hapi i dytëështë ndëshkimi përpara drejtësisë për të gjitha mëkatet e saj të mëdha. Vetëm kështu mundet që shqiptarët të shpresojnë sërish.