Prof. Dr. Bajram Hysa: Refleksione mbi thelbin e krizës politike

1117
Sigal

Duke vëzhguar historinë e sistemeve shoqërore botërore vërehet se periudhat e tranzicionit, të matura në shekuj, nuk janë fort frymëzuese, pasi disa nga institucionet themelore të shtetit bien në krizë të thellë. Në Shqipëri kjo krizë tashmë është mjaft e dukshme dhe specifike, pasi ka zhytur në anarki dhe kaos jo vetëm shtetin, por edhe shoqërinë, dhe sa vjen e bëhet më e frikshme. Arsyet janë disa, por le të shpjegojmë, sipas këndvështrimit tonë, se nga gjenerohet kjo krizë e thellë ekzistenciale, që ka çuar në maksimum krizën e besimit tek e ardhmja dhe demokracia.

Sistemi fals i tregut

Gjatë 28 viteve të tranzicionit në Shqipëri, me një frymëzim të mbrapshtë neototalitar dhe autokratik, u bënë përpjekje për të ndërtuar një sistem “as mish as peshk”, as kapitalist të mirëfilltë, as socialist liberal, por një sharrtesë e përçudnuar midis “socializmit revolucionar” dhe “kapitalizmit popullor” pa rregulla loje, me pasoja mjaft serioze për progresin ekonomik e social, për procesin e integrimit evropian. Asnjë nga forcat kryesore që dominuan jetën politike në këto 28 vjet nuk u pajtua me krijimin e një klase të mirëfilltë tregtare, duke e lënë vendin në një mishmash ekonomik e social dhe praapambetje të madhe kulturore, duke u zdërhallur dhe spekulur mbi një sistem propogandistik, të papërshtatur me sistemin e vërtetë të ekonomisë së tregut, të paaftë për t’u rritur, për të riprodhuar vetveten, pra të paaftë për t’i dhënë trajtë të ardhmes sonë evropiane.  Rruga perëndimore nënkupton shpërndarje pushteti dhe jo individualizëm, që nuk pajtohet me mënyrat e jetesës së shumë shoqërive. Ne duhet të bëhemi shtet modern evropian pa humbur trashëgiminë tonë kombëtare, me kulturën e vërtetë evropiane dhe me institucione demokratike të mirëfillta. Shpërndarja e pushtetit nënkupton domosdoshmërisht ekzistencën e një klase tregtarësh, sipërmarrësish ose kapitalistësh, të aftë për të marrë vendime ekonomike dhe për t’i përdorur ato në mënyrë konkurruese.  Në historinë perëndimore asnjë klasë e tillë nuk është krijuar vetvetiu.

PS dhe PD, dy dominueset kryesore të jetës politike dhe institucionale të vendit, ndërtuan një sistem fals që favorizon interesat vetjake të klasës politike, u jep atyre mundësi për t’u pasuruar, me anë të komisioneve zyrtare dhe kontratave të tjera, me dhënien e lejeve për monopolet dhe shumë privilegje dhe shpenzime të veçanta, që i ka në dorë vetëm një grup politik. Udhëheqësit e të dy krahëve ndërtuan një makinë pa jetë, që tashmë shtyhet në grahmat e fundit, gati të japë shpirt, ndërkohë që liderët grinden për të marrë timonin, pa bërë konvergjencën e sistemit, pa i bërë asnjë remont kapital kësaj makine të përbindshme vdekjeprurëse, pa pranuar asnjë alternativë tjetër në sfond, vetëm e vetëm që kontratat t’i bëjnë me njëri -tjetrin për të mbajtur peng jetën politike, pa asnjë recetë të qartë për ekonominë dhe mirëqënien e qytetarëve.

Duke i bërë një skaner të thjeshtë situatës aktuale bindemi menjëherë se këtu nuk kemi vetëm afera me blerje votash dhe votime pa kundërshtar, por këtu ka ngecur sistemi; ekonomia është kthyer në një statujë pa jetë dhe qytetarët shqiptarë duken si të mbajtur në një kopësht zoologjik, nga ku duan të ikin një orë e më parë nga sytë këmëbët.

Pronat-Burimi i grindjeve

Me fillimin e tranzicionit shqiptar lipsej loja e një dinamike të brendshme që të krijohej klasa tregtare kapitaliste, por ky proces hasi në një opozicion politik shumë të ashpër dhe njëkohësisht të heshtur qysh kur u krijuan PD dhe PS, të cilat ranë dakord për një reformë “neokomuniste” në ndarjen e tokës dhe të pasurive kombëtare. Kësisoj me ligjin famëkeq 7501, që u votua me konsensusin e të dyja palëve, si dhe me privatizimet pa kriter, u krijua një lloj kapitalizmi hybrid, nuk u krijuan klasa por vetëm klane, që e kanë tepruar me lakminë e tyre, të mbështetura në forma të ndryshme pronësie, të cilat nuk respektojnë pronën e ligjshme.

Konflikti më i madh sot nuk është politik, por përçarja që kanë mbjellë politikanët mes atyre që kishin prona dhe atyre që nuk kishin, pra përçarja e thellë mes pronarëve me forma të ndryshe pronësimi. Kjo ka sjellë gjithmonë sherre, grindje dhe përçarje, Pra burimi më i rëndomtë i grindjeve dhe përçarjeve ka qenë shpërndarja e pronës në mënyra të ndryshme të pabarabarta. Ata që kanë prona dhe ata që nuk kanë, kanë formuar gjithmonë grupe të dallueshme në shoqëri. Legjislacioni modern shqiptar nuk mundi të rregullonte interesat e ndryshme që përplasen me njëra- tjetrën dhe kjo përbën thelbin e ekzistencës së partive politike të krijuara në Shqipëri pas pluralizmit, të cilët ndërtuan programe alternative, jo duke u mbështetur në të drejtën legjitime të pronës, por në në nonsenset juridike që krijoi shpërndarja e padrejtë e pronës apo procesi antikushtetues i legalizimeve.  S’ka dyshim se nga kjo përçarje dhe ky konfuzion u krijua dhe një shoqëri e përzier, duke mbartur në vetvete shumë elementë të së kaluarës, së bashku me farat e së ardhmes së tyre.

Simbiozë e heshtur politike

Këtu paradoksalisht ka plot njerëz që e quajnë veten “bosa kapitalistë”, por në fakt gjithmonë votojnë për të majtën, duke ruajtur shumë prej institucioneve dhe mënyrës së të menduarit komunist. Po kështu e djathta në Shqipëri, me vokacion të majtë populist, asnjëherë nuk i trajtoi seriozisht kërkesat e pronarëve, por mbeti si e tillë vetëm në retorikë. Shteti ndikon në rritjen ekonomike me anë të të drejtave natyrore të pronës që ai vendos dhe që i bën të zbatueshme. Të drejta e pronës nuk janë vetëm një çështje e thjeshtë e mbrojtjes së pasurisë. Ato kanë të bëjnë edhe me formulime juridike të të drejtave dhe përgjegjësive.

Në thelb leximi i historisë së PS dhe PD, si dy partitë kryesore të së majtës dhe të djathtës, mund të përshkruhet si histori transformimesh të vazhdueshme të pushtetit nga njëra dorë te tjetra, shpesh të mbështetura mbi autoritetin e shtetit dhe policinë dhe jo si konkurrim alternativash të mbështetur në shtylla autentike elektorale. Duke e konceptuar autoritetin e shtetit si ekskluziv, pjesë e një ortakërie ose simbioze të heshtur politike, me rënie dhe ngritje, këto forca politike kanë bashkëjetuar gjatë në historinë politike të tranzicionit, duke sjellë pas kaos dhe delegjitimim të institucioneve të shtetit, duke shpërdoruar pushtetin që u jep monopli i forcës. Por dy forca politike me progarame pothuaj të njëjta, pavarësisht nga pozat dhe etiketimet, nuk mund të bashkëjetojnë gjatë në një hapësirë të njëjtë gjeografike. Tani duket se kanë arritur pikërisht në këtë fazë. Të dyja rendin për nga paligjshmëria, kundërshtimi i rregullave të kapitalizmit modern dhe hegjemonia e sferës politike mbi taksat dhe koncensionet, monopoli i shtrëngimeve për të arritur maksimumin e pasurisë, injorimi i konkurrencës, denatyrimi i tregut, shpërdorimi i taksave dhe i pasurive kombëtare. Në Shqipëri funksionarët politikë kanë qenë dhe janë të shkëputur nga rendi ekonomik. Ata e konceptojnë shtetin si monopol të përdorimit të forcës detyruese brenda territorit të republikës. Historia botërore ka plot raste sa dritëshkurtra janë mendësi të tilla.

Analogji e gabuar

Në Shqipëri nuk ka ndodhur ende revolucioni demokratik, kalimi i pushtetit nga një klasë shoqërore në një tjetër, përfundimi i të cilës është forcimi i pushtetit politik të së djathtës dhe dobësim i pushtetit politik të së majtës, ose e kundërta. Këtu ka ndodhur vetëm një konflikt interesash apo grindje klanesh politike. Kur flasim për pushtet të së djathtës apo të majtës kemi një analogji të gabuar. Këtu përdoren paratë e taksapaguesve për t’u mbyllur gojën profesionistëve të administartës, këtu nëpunësit civilë trajtohen si militantë të rëndomtë partie

dhe merren me administrimin politik, këtu stafet partiake stimulojnë dhe favorizojnë manjatë të krimit dhe korrupsionit, këtu shkohet deri aty sa kutitë e votimit dhe komisionerët e papërgjegjshëm dhe të njëanshëm bëhen burimi kryesor i fuqisë politike.

“Arti i ri” për të mbajtur pushtetin

Pushteti politik tek ne vjen nga pushteti ekonomik, pasi ende nuk kemi klasa shoqërore të përcaktuara. Këtu tashmë është krijuar një art i ri për të mbajtur pushtetin, shtënia në dorë e investimve dhe resurseve të ekonomisë kombëtare për të subvencionuar grupe politike me interesa të ndryshme, nëpërmjet PPP-ve të famshme. Prandaj zgjedhjet apo votimet, të rregullta apo të deformuara, këtu janë një farsë që do vazhdojë të gjenerojë konflikte, derisa këto dy forca politike të shkatërrojnë njëra- tjetrën, ose të shkojnë secila në punën e vet me një tolerancë indiferente, ku njerëzit t’i japin Cezarit atë që është e Cezarit dhe Zotit atë që është e Zotit.

Ka shumë të ngjarë që të papërfaqësuarit të organizohen në veprime politike, për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të grupeve shoqërore, që e kanë ngritur zërin, por deri sot nuk janë dëgjuar nga askush. Në Shqipëri nuk mund të vendosin më dy apo tre parti. Marrja e vendimeve duhet të kalojë përmes një debati të madh publik dhe intelektual. Në radhë të parë lipset një debat akademik i paanshëm, i mirëfilltë dhe profesional, i cili të orientojë debatin e shoqërisë në përgjithësi. Metoda e debateve për të marrë vendime u hap rrugë debateve të gjata, eksperimentev të mëtejshme, peshimit të kostove dhe fitimeve, kundërthënieve mes opinioneve të ekspertëve, ankesave të vazhdueshme në juridiksione politike të ndryshme, secili me autoritetin e nevojshme për të nxitur ndryshimet. Në qoftë se do të presim derisa PD dhe PS të arrijnë një konsensus politik, do të mbetemi mjaft pas një shoqërie demokratike të vërtetë.